DPT: Çdo tatimpagues duhet të përditësojë të dhënat pranë QKR-së

Administrata Tatimore informoi të premten se çdo tatimpagues duhet të përditësojë të dhënat e detyrueshme pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Përmes një njoftimi për shtyp, DPT thotë se, çdo tatimpagues ka detyrimin ligjor që të përditësojë të dhënat e tij, sa herë që i ndryshon.

Në këto të dhëna, ndër të tjera përfshihen adresat kryesore dhe sekondare si dhe veprimtaria ekonomike e tatimpaguesve. “Duke parë në realitetin e përditshëm shmangien dhe mosplotësimin e këtij detyrimi, Administrata Tatimore vendosi që t’i bëjë thirrje tatimpaguesve për ta plotësuar atë, në mënyrë që të mos penalizoheshin, siç e parashikon legjislacioni në fuqi”, thuhet në njoftimin për shtyp. Administrata ka sqaruar tatimpaguesit se në cilat raste do të duhej të paraqiteshin në sportelet e QKR-së dhe çfarë përbënte kjo nisëm për ta.

Sipas DPT-së, numri i madh i aplikantëve tregon nivelin e ulët të përmbushjes vullnetare që kanë tatimpaguesit për detyrimet e tyre ligjore dhe njohuritë e pakta mbi to. Qëllimi i Administratës Tatimore, thuhet më tej, me këtë veprim është zbatimi i filozofisë së saj të re, për të mos penalizuar tatimpaguesit, por për t’i ndihmuar ata. “Afatet kohore vihen në dispozicion të tyre, pikërisht për t’i bërë të ndjeshëm për detyrimin e tyre që duhet plotësuar.

“Këtë fakt duhet të kenë parasysh edhe mediat kur raportojnë këto zhvillime dhe jo të godasin punën që po kryhet nga kjo Administratë, sipas një modeli bashkëkohor dhe europian”, sqaron DPT. Fakti që masa e gjobave për vitin 2014 është ulur me 30% ose 33 milionë dollarë krahasuar me 2013, informon DPT-ja, është një tregues se misioni ynë nuk drejtohet tek penalizimi, por tek rritja e mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet rritjes së vetëdeklarimit të tatimpaguesve, në mënyrë që të mbështetim programin e qeverisë shqiptare në zhvillimin e vendit.

SHKARKO APP