Drafti i buxhetit për 2017-ën mbërrin në Kuvend, prezantohet në Konferencën e Kryetarëve

Drafti i projektbuxhetit të vitit 2017 si dhe paketa fiskale që shoqëron atë,  u pezantuan të mërkurën në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend. Drafti është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita ka braktisur mbledhjen. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, bëri të ditur për mediat  dhe arsyet e largimit.

“Ne e kemi bërë me dije administratën e Kuvendit që dje që nuk mund të jemi pjesë e kësaj konferencë. Të shkojnë të bëjnë detyrën e tyre pranë qytetarëve shqiptarë, bëhet fjalë për propagandë dhe mashtrime. Nuk kanë as kuorumin edhe konferenca e kryetarëve ka nevoje per kuorum”, deklaroi Paloka.

Edhe pse përfaqësuesit e opozitës u larguan, ministri  i Financave, Arben Ahmetaj, vijoi prezantimin e projektbuxhetit në konferencën e kryetarëve.

Pas  përfundimit  të  kësaj  konference,  kryetari  i  Komisionit  të Ekonomisë, Erjon  Brace, i  është  përgjigjur  akuzave  të  opozitës, duke sqaruar procedurën e ndjekur.

“Nuk është i domosdoshëm kourumi, pasi në këtë mbledhje nuk merret vnedim . Vendimarrja bëhet në seancë plenare”, deklaroi Braçe.

Ndërsa ministri i Financave, Ahmetaj bëri të ditur disa nga prioritetet e buxhetit të shtetit. Buxheti i vitit 2017 mbështet përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe e çon atë në 3.8 përqind.Buxheti rrit pagat me 10 përqind dhe pensionet me 3 përqind. Buxheti financon edhe rimbursimin e ilaçeve për të gjithë. Ndryshe nga tani që e përfitojnë vetëm pensionistët dhe të varfërit, nga viti tjetër të gjithë qytetarët do marrin ilaçe që gjenden në listë me rimbursim. Huamarrja e Qeverisë për 2017-ën programohet rreth 30 miliardë lekë, ose 1.9 përqind e prodhimit kombëtar, që është niveli më i ulët historik. Projektbuxheti 2017 do të  shoqërohet nga një paketë fiskale, që sipas ministrit do të ketë disa lehtësi për industrinë fasone, si dhe vendosjen e  akcizës për gazin e lëngshëm për automjetet.

Projektbuxheti  dhe  paketa  fiskale  do  të  diskutohet  në  të  gjitha komisionët parlamentare, për një periudhë 35 ditore. Më pas kalon për miratim në seancë plenare dhe dekretim nga Presidenti.

SHKARKO APP