Dredha takohet me zëvendësuesin në bashkinë Vlorë: Halili do udhëheqë qytetin drejt përparimit
Ish-kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha zhvilloi një takim me zëvendësuesin e tij, Elis Halili i cili mori detyrën si kryetar i komanduar i Bashkisë pas dorëheqjes së Dredhës.
Dredha e përshëndeti Halilin dhe shprehu besimin e tij të plotë për kapacitetin dhe angazhimin e tij për qytetin. Në një postim në Facebook, Dredha shkroi: “Me bindjen dhe besimin që do të bëjë më të mirën për qytetin, i uroj Elisit dhe gjithë ekipit, punë të mbarë në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Vlorës së bukur!”.
Elis Halili u emërua si kryetar i komanduar i Bashkisë së Vlorës pas dorëheqjes së Dredhës më 10 shtator të këtij viti. Ai ka shërbyer më parë si një nga nënkryetarët e Bashkisë dhe ka një njohuri të thellë të sfidave dhe mundësive të zhvillimit të qytetit. Në një prononcim të tij për mediat, ish-kryebashkiaku Dredha e shpjegoi dorëheqjen.
”Ka kohë që e mendoj. Dashuria për Vlorën nuk shteret. Jam djalë Vlore dhe do të vijoj të kontribuoj për të. Jam i sigurt që do të ketë një ekip shumë të mirë për të çuar përpara Vlorën. Do ta mbështes sa të mundem ekipin që do të krijohet. Socialist kam lindur dhe i tillë do mbetem”.
KOHA JONË SONDAZH

