Drejt Durrësit për të votuar?
Nga Arion Sulo
Padia që KQZ bëri në Prokurori për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, me dyshimin se listës së zgjedhësve i janë shtuar mbi 2 mijë votues artificialë, rikthen hijet e manipulimit dhe tregon se qyteti bregdetar do të jetë një përballje e tensionuar, që mund t’i ketë brenda të gjitha sëmundjet e vjetra të zgjedhjeve pa standarde.
Beteja e ashpër në Durrës u paralajmërua që në fundjavë, kur një makinë me mbështetës të eksituar të Dakos së PS prishi një takim të kandidates rivale, Grida Duma. Zhurma e borive dhe fishkëllima e gomave, shoqëruar nga grushtet mes të rinjve ishin asgjë më shumë se një autogol i socialistëve në fushatën e Durrësit. Pamjet e flamurit me trëndafilin mavi mbi makinën e militantëve dhunues mund t’u rrijë shumë mirë demokratëve në Durrës si një spot simbol, për të treguar sesi kërkon t’i fitojë zgjedhjet kampi kundërshtar.
Së dyti, lëvizja magjike e 2186 qytetarëve nga Tirana drejt Durrësit në prag të fushatës bie erë manipulimi dhe ngre akuza mbi administratën aktuale të Bashkisë së drejtuar nga Dako.
Materialet që i kanë kaluar Prokurorisë për hetim flasin për një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish, shtatë herë më të lartë se mesatarja e dy viteve të shkuara, që po migrojnë drejt Durrësit.
Vetë Dako është mbrojtur duke thënë se nuk ka dijeni dhe se fenomeni ka qenë i zakonshëm para fushatave elektorale, por asnjëherë nuk është bërë problem në të shkuarën.
Fatkeqësisht, zhvendosja fiktive e votuesve ka ndodhur tek ne qysh nga vitet 2000, por asnjëherë nuk është kthyer në zakon të amnistohet me një “kështu e kanë shqiptarët”. Aq më pak të pranohet si normalitet nga një kandidat në garë.
Gjithmonë në të shkuarën, zhvendosjet e votuesve janë konsideruar manovra manipulimi dhe janë denoncuar si të tilla nga pala kundërshtare dhe raportet e ODIHR-it në përfundim të zgjedhjeve. Edhe në 2003, kur Spartak Ngjela akuzonte Ramën dhe në 2011, kur kryeministri i sotëm akuzonte Bashën për kosovarët e famshëm.
E drejta e lëvizjes së lirë së qytetarëve duket një tjetër alibi e dobët e kryebashkiakut të Durrësit. Në Shqipëri njerëzit kanë njëzet e pesë vjet që vijnë nga rrethet në Tiranë dhe jo e kundërta. Në Durrës kanë migruar veriorë e jugorë gjatë tranzicionit, por që mijëra vetë nga Tirana të bëhen papritur durrsakë, këtë askush nuk e beson kaq lehtë.
Edhe po t’i falemi symbyllur dorës së fshehtë të tregut të Adam Smith, duhet të kishim parë ndërkaq disa shenja; Çfarë investimi gjigant u bë në Durrës në prill që 2 mijë banorë të njësisë 4 të Tiranës të zbarkojnë atje të gjithë bashkë? Sa vende pune u hapën para një muaji në Durrës, që askush tjetër veç 2 mijë qytetarëve s’e paska marrë vesh?!
Si ka mundësi që 2 mijë qytetarëve që iu shkrep në kokë për të migruar në Durrës në të njëjtën kohë, ndryshojnë brenda dy javëve edhe gjendjen civile?!
Nëse Dako pretendon se nuk e di se ç’ka ndodhur së fundmi me regjistrimet e reja, kjo s’do të thotë asgjë. Gjendjet civile janë në varësi të bashkisë dhe listat e zgjedhësve dalin nga ato zyra.
Aq më tepër se në këtë rast, kur shumica e banorëve të rinj të Durrësit pretendohet se janë regjistruar në Gjendjen Civile falë kontratave të qirasë, të firmosura nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit, ndërmarrje kjo nën administrimin e Bashkisë.
Numri që pretendohet shton dyshimet e arsyeshme se ata janë zgjedhur e deri numëruar nga një dorë e stërvitur me këto manovrime alla-shqiptarçe. Pasi 2200 vota mund të jenë të mjaftueshme për të vendosur rezultatin në bashkinë e re të Durrësit.
Duke marrë për bazë rezultatet e zgjedhjeve 2011 dhe ndarjen e re territoriale, opozita është e avantazhuar me rreth 1 mijë vota në Durrës.
Nëse Durrësi do të gdhihej blu më 22 qershor, humbja do t’i shkaktonte mazhorancës një dhimbje të dyfishtë. Kosto do të kishte edhe kryeministri Rama, që me rikandidimin e Dakos theksoi prirjen për emërime personale dhe zgjedhje selektive mes kryebashkiakëve me shumë mandate.
Shtimi artificial i numrit të votuesve në Durrës duhet kërkuar mes këtyre pasigurive të mazhorancës. Pasi njësoj si në të shkuarën, hendeku i matematikës zgjedhore dhe kandidatit të konsumuar po tentohet të mbushet me votues të marrë borxh.
Gazeta "Mapo"