Drejtësia e ligjit dhe paradokset e zbatimit të tij

Nga Abdyl Neli –

Minatorët janë ata që për dekada i kanë dhënë shtetit vlera të mëdha monetare,  ata të cilët janë përballur me vështirësi të panumërta dhe me qefin në kokë kanë rrezikuar thellësive.  Në këtë vështrim ngjethës është e pamundur të konceptohet figura e tyre prej zyrtarëve dhe klaneve të pushtetit , të cilët duke gëzuar të mira materiale të pamerituara kanë harruar në dy sistemet se ndaj minatorit duhet një përkujdesje disi më e veçantë, edhe pse shpesh propaganda si e djeshme, ashtu edhe e sotme,  mjaftohet me lajme kronikash,  aksidentesh dhe në slogane të një poetizimi të panevojshëm kur minatori cilësohet si luan i galerive,  si një figurë gati gati legjendare duke harruar se është një njeri i zakonshëm po i detyruar nga hallet e shumta për të përballur nevojat e jetës së përditshme,  ashtu si shumica e punëtorëve shqiptarë të nëpërkëmbur nga firmat shqiptare dhe konçensionare.

 M`u desh ta bëja këtë hyrje jo për të rënë në kurthin e një gjëje të ditur , as për të kujtuar ndonjë dhembsuri të harruar, as për të sjellë ndërmend efektet e një propagande,  e clila ngarkohet shpesh në raste ndodhishë që vijnë me lajme nga minierat tona me kushte të një mizerabiliteti absurd, po për ta sjellë si evokim për zërin e arsyeshëm të ndonjë lexuesi që ende beson se në Shqipëri gjërat mund të shihen më me realizëm dhe konkretësi nga instancat e institucioneve tona  të zëna nga ngërçi i rutinës së fjetur.  Vetë i kam kaluar 25 vjet nëntokë duke punuar si minator minierave të Martaneshit e të Bulqizës, kaq vite të një pune të palodhur në shërbim të rrogës sime dhe të një pune përkushtuese. Rastësia dhe kujdesi më kanë shpëtuar , sepse nuk kam ndërmend të përshkruaj gjithë ato kushte të dobta të punës dhe të moskujdesit për të bërë investimet e nevojshme teknike. Kjo mbetet një tjetër histori. Historia e diskutimit tim fillon me një fakt dhe me një ligj.

Më 1996 dola në pension të parakohshëm, me 60%. Kriteret ishin : dhjetë vjet e gjysëm nëntokë e po aq në sipërfaqe, ndërsa unë po,  i kisha 23 vjet vetëm nën tokë. Kështu kishte qëlluar puna ose ashtu kishin ardhë rrethanat e asaj pune , përkushtimi im ndaj vetes, rrogës dhe punës në tërësi. Prisja që ligji të konceptonte diçka tjetër. Çfarë mund të konceptonte në konsultë me minatorët?Ka minatorë që kanë punuar gjithë  kohën nëntokë , në punë të vështira  me rreziqe dhe me kontribut të madh, a mund ta parashikonte ligji këtë, vitet e mia për shembull? Por ligji mbetet ligj dhe atij ne duhet t`i bindemi dhe , siç e thashë , dola në pension të parakohshëm.  Akoma nuk e kisha mbushur moshën. Kërkova të dal këtë vit në pension të plotë me që moshën e kam mbushur dhe madje e kam tejkaluar disa vite mbi të. Por më thanë se të takon aty nga viti 2018.  Ju jeni me pension të parakohshëm.

Po çfarë thotë ligji i ri për minatorët?Minatori del në pension 55 vjeç vetëm me 14 vjet nëntokë. Ky ligj,  me sa kuptohet hyn në fuqi vetëm për ata që ndodhen në punë në kohën e daljes së tij. Paradoks më të madh nuk mund të mendosh teksa mendon se ti i ke 23 vjet vetëm nëntokë, dhe duhet të presësh edhe disa vite për ta arritur një kohë tjetër kur ligji të tregohet disi i mëshirshëm që të përfshijë në një arsyetim interpretimi nga ndonjë zyrtar që ti të përfitosh të drejtën e nevojshme që të jep ose ndoshta nuk ta jep ai. Pra,  23 vitet nën tokë , mosha e tejkaluar mbeten në pengun e një viti të caktuar, 1996, kur me një reforme(sa shpesh përdoret kjo fjalë në vendin tonë)ne dolëm në pension të parakohshëm. Dhe tani më duhet të pres ose të marr ndonjë avokat , po një minator nuk mund të marrë avokat me pensionin e tij mjeran, as mund të trokasë çdo ditë nëpër zyra duke pritur një përgjigje të prerë,  të thatë e moskokëçarëse pa bërë sqarimet e nevojshme. Këto fakte që sjellin një copëz jete dhe shprehin në vetvete  përmes dokumentimit prej librezës së punës vitet e nëntokës vijnë në përputhshmëri me  atë që thotë ligji, po zyrtarët,  me sa kuptoj , ende nuk janë të përgatitur ta kuptojnë e ta zbatojnë ose me që janë shumë minatorë që përfitojnë prej tij, në frikën e barrës financiare,  nuk duan ta zbatojnë ose marrin ndonjë urdhër jashtë ligjit për ta shtyrë , sepse e shohin të udhës kështu.

Gjithësesi më bëhet të mendoj se në Shqipëri gjërat serioze kapërcehen me lehtësinë e një pashpirtësie dhe dyfytyrësie të pakonceptueshme , teksa çdo ditë flitet dhe propogandohet me të madhe për zbatimin e ligjit. Minatorët , siç e thamë , janë shtresa më e vuajtur e punëtorisë ,  njerëz të cilët kanë dhënë dëshmorët e nëntokës duke u përballur me të fshehtat e saj e duke i rrëmbyer asaj vlera. Rasti im nuk mbetet vetëm i imi, por përbën një dukuri, e cila kërkon të përfshihet në ligj. Por tek ne ligji arrin me vonesë ose zbret në interpretime dhe shtyrje të panevojshme edhe pse me efektet paravajtëse e prapavajtëse duhet të veprojë automatikisht dhe nuk është nevoja të rendësh zyrave për ta kërkuar e biseduar me të. Duke u munduar të sqaroj këtë fakt shpresoj që ai të trokasë në ndërgjegjen e dikujt  të paktën të bëhet i besueshëm , sepse edhe po ta merrja atë pension ashtu si gjithë shokët e mi nuk do ishte ndonjë gjë e madhe,  sepse diferenca mbetet  një përfillje jo shumë rritëse , por mbetet e kuptueshme se kur është fjala për të zbatuar një të drejtë ajo i ka hije jo vetëm ligjit dhe i jep rëndësi atij,  po edhe zyrtarëve , me seriozitetin e të cilëve ligji do vihej në vend, në shtratin e drejtësisë sëc tij me të cilin është formuluar. . .

SHKARKO APP