Drejtësia nuk mund të pastrohet nga “halimxhafëria”…

NË VEND TË NJË LETRE PA ZARF

Nga Kristo Mërtiri

Miku ynë i vjetër, si të pushtoi vallë ky trishtim e dëshpërim vrasës, ky mosbesim thatanik kockë e lëkurë që të degdisi ca kohë larg faqeve të shtypit? Ne vërsnikët e tu te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, të njohim me rrënjë e me degë dhe nuk mund të besojmë kurrë që ti të gremisesh me dashje a pa dashje në ndonjë humbëtirë e dhokan (çark) pushteti. Dhe as t’i mbushin dot të dyja bulçitë me favore e privilegje që ndryshkin penën, mendimin e hapur përballë publikut që të ka ndjekur katër dekada. Se është halle-halle kjo dynja. Aman, të kemi rixha, në cilën shpellë u ngujove? Apo u fute në ndonjë  “manastir” si i paharruari dhimbje shumë Ndoc Gjetja?… Kur të thamë të hapje barkun para Kryeministrit, sikur na i preve drutë shkurt: “Ju dua shumë, por Edi Ramës i kam folur pa doreza, pa hile e pa pseudonime, pa gënjeshtra e pa furça, drejtpërdrejt e në sheshmejdanin mediatik.(Megjithëse, ai deklaronte se nuk e lëçit shtypin, ti ende nuk beson). Shpesh fola ashpër e me zë të lartë nga bedenat e së vërtetës, sidomos për drejtimin e torollepsur të PS-së e larg socialistëve të ndershëm. Sa për qeverisjen, le të presim ca kohë frytet e pastaj llafosemi, këtu jemi…”. Dhe ne të mirëkuptuam pa shkelur syrin. Tani kanë rrjedhur shumë ujëra. Kandilit të legjislaturës po i firon vajguri. Neve po na e bëjnë kokën daulle dhe mendjen ujem, mjaft fjalime e bubullima për Drejtësinë. Me kë të kuvendojnë njerëzit e thjeshtë midis Golikut e Trebeshinës? Askush nuk i begenis. Televizorët na shushatën e po na e bëjnë edhe gjumin haram. Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Gati të njëjtat fytyra e zëra. Të gjithë birbilosen brenda studiove komode me ajër të kondicionuar të kryeqytetit, këmbë përmbi këmbë, të kamur e pa halle mbi shpinë. Të varur e të pavarur. Nga mazhoranca e nga opozita. Po ti, miku ynë, përse dimëron kaq shumë ?…

Nuk e ka thënë kot Dritëroi , njeriu vdes kur humb kuriozitetin politik. Ti i ke pasur zët tërë jetën ata tipa që “betohen për të vërtetën, por puthen me gënjeshtrën”. Por  na e bëj kabull një kërkesë, që e pleqëruam mirë ditët e fundit. A mundesh të shkosh në një konferencë shtypi  të ambasadorëve euro-perëndimorë dhe të bësh vetëm një pyetje që ka mbetur varur këtu në Jug : – Zotërinj ambasadorë, edhe ju besoni se drejtësia shqiptare do të reformohet nga “halimxhafëria” shtirake me dy faqe ?…

Biseda me miqtë e mi që nuk kanë asnjë teserë partie në xhepa u ndez më tej edhe nga humori, shpotitë e batutat plot kripë. Mirëpo qenë irrituar shumë pasi kishin lexuar një intervistë gjatoshe dhe pa lëng dinjiteti e plot mburravecëri provinciale të kryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Ky njeri që historikisht ka ditur dhe di të hyjë me marifet nën sqetullat e kryeministrave, veç të tjerave, paska zbrazur me gojën e vet se është “njeriu që inicio procesin”(?) dhe u bë “promotorri”(!) i kësaj Reforme. O tempora, o mores!… Kujtojnë se memoria qytetare e publicistike në Shqipërizën tonë, paska humbur pa nam e nishan? Njollat e zeza të këtij individi mediokër, ligësitë dhe bëmat korruptive nëpër istikamet e pamerituara të pushteteve që shkojnë e vijnë, tregohen plot neveri nga njerëzit e thjeshtë sot e kësaj dite. Madje, pak vite më parë, një djalë i guximshëm e me kontribute reale në lidershipin e së majtës, e pagëzoi publikisht si “inkubator i intrigave në PS”. Më tej. Atëherë po përgatitej edhe një libër (tip monografie e hidhur), që do rrëfente udhëtimin tragjikomik dhe ngjitjen e kulprave të tillë nëpër trupin e shtetit të telikosur në këtë rrumpallë tranzicioni. Madje, një personalitet i shquar i kulturës dhe i gazetarisë, propozoi e ngulte këmbë seriozisht që ai libër të titullohej “Fatligxhafëria”!…

-Na dëgjo pak, miku ynë, në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia dhe të mallkuar nga politika, po bëjnë prokopi e pasuri ata që shesin parime e moral me okë, të pamoralshmit e hajdutët me pushtet. Për shembull, kot ia përmendin shpesh atë tufën me lule që ia dha Enverit në tribunë. Mirëpo shumë besojnë me të drejtë se ajo tufë i hapi udhën e ofiqeve të shpejta e marramendëse në kupolën drejtuese moniste të kryeqytetit. Ama, si jurist i sapodiplomuar, ia bënë një zarar: Nuk e lanë të derdhte pikë djerse në fushën e Drejtësisë ! Kur po trokiste fort pluralizmi, ekonominë e tregut e përqafoi sipas avazit të njohur “dallëndyshe ktheje ndryshe”. Fjala vjen, nëse ndalesh gjatë e konkretisht te privatizimi i ish shtëpive  të rinisë në Tiranë; te pika “pjellore” e karburantit në Cerkovinë ose te ndërtimet rreth “kalit të Trojës” në Vlorë; te firma e mobiljeve apo te pallatet pranë Gjykatës së kryeqytetit; te pishinat e liqenit artificial apo te ish- çerdhja e fëmijëve në Pogradec ku sot ngrihet pallati i deputetit “kollovar” me diplomë juridikse; triblimet urithore pas shpine nëpër gërxhet e ish- lëvizjes “Mjaft” etj., mbase do duhej një natë dimri për të rrëfyer të plota mjaft episode të fëlliqura. (Ne do donim shumë, që një ditë ti, miku ynë, të zbardhje publikisht ca të pathëna drithëruese për këtë prototip, disa prej të cilave ia ke përplasur sy më sy e ballë për ballë…). Pa llogaritur pisllëqet me tenderat korruptivë në aparatin e Këshillit të Ministrave apo atë dosjen e Gjirit të Lalëzit (që ende bie erë gjirizi) kur ishte në krye të dikasterit të Punëve Publike. Dhe akoma më sterrë e katran, kur mori një vit e gjysmë timonin e Ministrisë së Drejtësisë. Sikur ndërkombëtarët e nderuar të marrin mundimin e të lexojnë sot të paktën një letër 2 faqe të plota gazete e botuar në disa të përditshme (rast tepër i rrallë, me autorësi kolektivin e asaj ministrie jo dosido), me siguri do skuqen a nxihen në fytyrë dhe do vënë duart në kokë! Por atëherë heshtën ish Presidenti, ish- Kryeministri e të tjera institucione kushtetuese. Kush ua kyçi vallë gojën e Ligjit ?!…Një sqarim i vockël: Sa për “halimkën” që iku apo e përzunë tani së fundi nga froni i nënkryetarit të Reformës, mbase nuk ia vlen shumë barra qiranë të molloisemi gjatë për të (sepse Oerdi, tani për tani na duket djalë i paqëm dhe i palakuar për veprime korruptive). Ndërsa “halimka”  thonë se tundet e shkundet ende për një vendim “human” si ministër Drejtësie: sanitaret e shtëpisë së tij private, i emëroi fët e fët si punonjëse të asaj ministrie(?!). E të tjera e të tjera “ndere” e hyjnere. Por kapaku më “human” që e katapultoi në kolltukë të larta, ishte dhe mbeti i pahapur. Është fjala për kapakun përvëlues të 21 Janarit të përgjakur poshtërsisht, që ngriu a u kolis në duart e tij si ish Kryetar i Komisionit të zi parlamentar… Shkurt, miku ynë i vjetër, me këta e të tjerë zuzarë e “xhuxhmaxhuxhë të moralit” do na rikthehet besimi te Drejtësia e munguar ? Kjo klasë politike duhet shporrur, ndryshe do vuajmë gjatë ! Sa për ndërkombëtarët, neve u heqim kapelën, sepse pa ndihmën e tyre do të mbetemi përjetë nën kthetrat e pushtetit oligarkik dhe “përtej Urës së Qabesë”…

Zotërinj Ambasadorë, autori i këtij shkrimi është një nga njerëzit që jetën e vet ia kushtoi medias së shkruar. Por sinqerisht, unë nuk kam besuar dhe nuk besoj ende se një lloj propagande ligavecë apo gazetë mercenare e rëndomtë të ketë korruptuar me kohë gjithë lexuesit shqiptarë. Apo më keq “u ka mësuar ta duan paturpësinë, duke i bërë indiferentë ndaj veprimeve të paligjshme”(siç do të shprehej me pak piper i famshmi Mark Tuein). Populli im është historikisht një popull mirënjohës, sidomos ndaj SHBA dhe BE. Njerëzit e thjeshtë i thonë gjërat açik e pa maska, e duan kompromisin e konsensusin, megjithëse vullnetin e tyre shpesh ua grabisin kryetarët e partive. Të kuptohemi drejt. Përtej pyetjes dilemë të miqve të mi hallemëdhenj që punojnë e jetojnë me dinjitet te Gryka e Këlcyrë – Mezhgoranit, unë ndjeva edhe një trishtim, fyerje a poshtërim të tyre sa herë dëgjojnë mjaft politikanë hipokritë e pasanikë hajdutë. Majtas e djathtas. Veçse shpresa e besimi i secilit mban brenda edhe një lloj skepticizmi të natyrshëm, skepticizëm që zien edhe brenda meje( gjer në 21 Korrik mund ta trajtoj më gjerë në një shkrim të veçantë). Sepse kur thonë “halimxhafëria”, prapa tyre nënkuptojnë edhe një tabor të veshur e ngjeshur me kostumin e neveritshëm të imoralitetit politik, tabor që në 25 vite vrapon e bëhet copë drejt kolltukëve shtetërore tamam “si kali që fluturon i uritur drejt tagjisë”. Janë ustallarë të sapunit mbi gunë. Ju lutem, mos i llastoni e mos u bëni shumë temena hajdutëve në pushtet e në opozitë ! Sepse nuk mblidhen kurrë pleshtat në grusht. Shqiptarët, jo më kot ruajnë edhe një mençuri të lashtë: Kur t’u mbushet mendja zengjinëve, fukarenjve u ka dalë shpirti…

SHKARKO APP