Drejtimi i ekonomisë pa ekonomistë
Nga Sadedin Çeliku/Studimet e fundit vërtetojnë se ekonomia e tregut nuk vetërregullohet dhe nuk mjafton oferta dhe kërkesa, tregu i lirë, nëse nuk ka asistencën dhe mbështetjen e qeverive në përgjithësi, dhe të atyre që kanë politika të qarta për ekonominë në veçanti. Këtë e vërtetoi më së miri kriza financiare që pllakosi gati të gjithë botën dhe që kërkon masa të forta për daljen prej saj. Shkalla e rëndësisë për prioritetin që i do dhënë ekonomisë fillon nga struktura që krijon një forcë politike. Duke dashur ti kthehemi problemeve tona më lejoni të sjell në vëmendjen e lexuesit disa fakte dhe argumente që vërtetojnë se ekonomia shqiptare nuk drejtohet nga ekonomistë.
Në vendin tonë zhvillimi ekonomik bëhet në mënyrë spontane dhe gati kaotike. Kështu, po të kemi parasysh treguesit ekonomikë, si rritjen e papunësisë, mungesën e prodhimit, bilancin e import – eksportit, rritjen e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor pa asnjë studim, kreditë tregtare me interesa të larta, kreditë e këqija, barrën e kredive të huaja të cilat rriten në dinamikë dhe imputet mbeten në stanjacion, mungesa e masave për uljen e shpenzimeve, mos reflektimi i krizës financiare dhe efektet e saj ne buxhetin e shtetit, privatizimi dhe konçensionimi i sektorëve ekonomikë shpesh herë gabim dhe pa efektivitet, e mjaft plagë të tjera që e kanë burimin te politikat e gabuara të qeverisë. Vëmë re pra se pikërisht aty ku duhet të jenë prioritetet nuk ka ministri përgjegjëse. Për shembull mungon Ministria e Turizmit. Këtë sektor në Ministrinë e Ekonomisë e mbulojnë vetëm pak njerëz dhe një agjenci, ku dominon një personel jashtë profilit. Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës është bërë një bashkim mekanik që nuk e vërejmë askund. Ç’lidhje ka transporti ajror, rrugor apo të tjerat me ujësjellësin. Asnjë lidhje. Për rrjedhojë efektiviteti është mjaft i dobët.
Ministria e Ekonomisë është, por nuk merret me punën e vet. Ju hoq sektori i turizmit Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe ju shtua Ekonomisë. Gjendja duket njëlloj. Pra nuk ka ministri në vete edhe pse themi se e kemi prioritet dhe për rrjedhojë nuk ka kush të bëjë politikat ekonomike për turizmin . Me problemet e integrimit nuk merret Ministria përkatëse por Ministria e Punëve të Jashtme . Kjo e fundit nuk merret me problemet ekonomike . Shikoni vendet e zhvilluara. Diplomacia e tyre fokusohet në problemet ekonomike e tregtare dhe çdo ambasadë e tyre kanë një atashe tregtar apo përfaqësues për ekonominë, ndërsa ne nuk e kemi një të tillë edhe pse nuk bëjmë diplomaci të madhe. Diplomatët shqiptarë janë kthyer në zëdhënës dhe vetëm përcjellin informacione gazetash dhe kaq. Pse mungojnë ekspertët e këshilltarët ekonomikë në strukturat e ambasadave tona apo kursejmë. Kështu mund të flasim pa fund dhe për ministritë e tjera. Pra ekonomia shqiptare prodhon vetëm plagë e papunësi.
Ministritë tona janë kthyer në ministri licencash se pune të tjera nuk bëjnë. Ajo e transportit vetëm licenca jep dhe është shndërruar në ministri rrugësh, e arsimit i ka ardhur bixha me shkollat e universitetet jo publike dhe tani na është kthyer në qendër trajnimi. Mjedisit i kanë mbetur licencat e peshkimit se ndotja që kur është krijuar ministria vetëm rritje ka pasur. Ministria e Punës është kthyer në ministri të papunësh. Nxitja e punësimit dhe fondet që e shoqërojnë atë si projekt nuk ka pasur asnjë impakt pozitiv. Meqenëse fronte pune nuk ka dhe as hapen nxjerrin bidate se shqiptarët janë dembelë dhe s’duan punë.
Ministria e Shëndetësisë është kthyer në ministri koncensionare. Ajo nuk merret me përmirësimin e shërbimeve por me koncensionimin e shërbimeve, të cilat janë efektive për pak njerëz. Shëndetësia kurrë s’ka qenë me keq se sot. Po kush do ta ndalojë këtë hemorragji ekonomike dhe kur do ti japim shpresa shqiptarëve se ky vend mund të bëhet . Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të madh në ekonomitë europiane në zhvillim. Në vitin 2007 borxhi i qeverisë ishte 52. 7 për qind e produktit të brendshëm bruto, ndërsa sot atë e kemi në nivelet e 72 për qind të PPB. Shkak për këtë është paaftësia dhe rritja e shfrenuar e shpenzimeve, gabime këto që rendojnë mbi taksapaguesit shqiptarë .
Gabimi më i rendë është keqadministrimi i burimeve dhe potencialit njerëzor. Kudo në administratën publike dominojnë militantet me dhe pa arsim. E ç’i duam ekonomistët kur ekonomia u rregulloka vetë. Ata janë katandisur në shitës. Janë me mijëra studentë që vazhdojnë studimet në vendet perëndimore dhe me qindra të tjerë për mastera dhe doktoratura. Me qindra janë të diplomuar . Askush nuk kujtohet për këto dhe as e merr mundimin njeri në Ministrinë e Arsimit të administrojë këtë pasuri, madje ajo nuk ka edhe strukturë për ndjekjen e tyre kudo që janë . Ata e kanë mendjen te njehsimi i diplomës apo gradës shkencore dhe sigurisht tek tenderat.
Pra ekonomia ka mbetur pa ekonomistë dhe s’ka si bëhet ndryshe . Kudo ku janë bërë investime nuk riciklohen pra investime qe nuk sjellin te ardhura për ekonominë. E pra mungojnë ekonomistë edhe pse kudo kemi vetëm probleme ekonomike. Ato i kemi të shumtë në numër me shumë mundësi për të bërë seleksionim. Edhe aty ku administrojnë të rinj që janë diplomuar jashtë vendit i bëjnë menjëherë deputetë apo drejtues kryesore në njësitë vendore. Sa gabim.
Ekonomia shqiptare ka mjaft sëmundje që duhen kuruar se për t’i shëruar nuk ka mundësi më dhe për të bërë këtë duhet vullnet politik dhe përkushtim . U hoq një ministër që drejtonte Ministrinë e Financës me mjaft përvojë dhe u zëvendësua me një që di vetëm anglisht kur këtë gjuhë e zotërojnë tre milionë shqiptarë. E gjithë bota financat i drejtojnë me njerëzit më të zot, ndërsa ne bëjmë të kundërtën. U emërua një informaticien në krye të shëndetësisë e për rrjedhojë ai i është shmangur objektit themelor dhe merret me drejtimin e ekonomisë, veçanërisht me koncensionimin e shërbimeve dhe me rikonstruksionet e qendrave shëndetësore dhe tenderat e pajisjeve mjekësore sepse këto di ti bëjë mirë. Asnjëherë arsimin se kanë drejtuar njerëz inkopetentë. Atë e kanë drejtuar së paku pesë dekada profesorë të nderuar. Sot atë e drejton një njeri pa emër. Ministrinë e zhvillimit urban e drejton një grua e mirë, por kjo nuk mjafton. Zonja ka mbaruar shkencat sociale dhe ne i kërkojmë asaj të zhvillojë ndërtimin, planin rregullues dhe urbanistikën si dhe transportin e ujësjellësit dhe infrastrukturën që e drejton një frankofon.
Në se do t’i referohemi shifrave, treguesit më të mirë Shqipëria i ka pasur kur e kanë drejtuar ekonomistët. Kështu në kohën që drejtonin kryeministrat ekonomistë në vitet 1997-2005 situata makroekonomike ka qenë nën kontroll dhe më e mirë e të gjithë kohërave. Shikoni se si e keni ekonominë sot që e drejtuan doktorë e piktorë me tregues krize, me papunësi, ulje konsumi, rritje taksash, rrudhje të buxhetit familjar, rritje të borxhit publik, inflacion i ulët pse jo dhe deflacion etj.
Në se analizon me vëmendje treguesit ekonomikë të çdo sektori ministerial dallon lehtësisht se sektorët me probleme janë kryesisht ato që nuk drejtohen nga ekonomistë, madje ka sektorë që drejtohen me diploma fallco ose me arsim të mesëm dhe formim të pamjaftueshëm. E pra Shqipëria nuk ka shanse të bëjë përpara me këta njerëz. Meqenëse kryefjala e ditës është reforma në drejtësi natyrshëm del pyetja: “Si mundet ta bëjnë këta njerëz drejtësinë, ku gjithçka e kanë fituar me padrejtësi”.
Kështu është kur ekonomia nuk ju besohet e drejtohet nga ekonomistë, ai që i vuan në kësi rastesh është populli.