Dritan Prifti dhe Skënder Gjinushi, kokë më kokë në ish-Bllok
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi është takuar pasditen e djeshme me ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti. Siç duket dhe në fotot, dy politikanët e majtë kanë qëndruar gjatë bashkë në një nga kafenetë e ish-Bllokut. Takimi Priftit dhe Gjinishit, nuk do të kishte asnjë rëndësi, nëse nuk merren parasysh zhvillimet e fundit politike dhe deklaratat e bëra. Dy ditë më parë Dritan Priftit, pas dëshmisë së dhënë në prokurori kundër Kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe mbështetjes publike që i dha deputetit Tom Doshi, deklaroi se ka ardhur koha për t’iu rikthyer politikës aktive. Ndërkohë që dhe deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi ka deklaruar se do të ketë një angazhim të ri në politike, madje duke konkurruar me 61 kandidatë në zgjedhjet e 21 qershorit përballë mazhorancës. Takimi i djeshëm shton aludimet për një përfshirje të Priftit në një parti të spektrit të majtë. I pyetur mbrëmjen e djeshme nga “Koha Jonë” lidhur me mundësinë e përfshirjes së Priftit në PSD, Skënder Gjinushi nuk ka pranuar jap asnjë koment. Përveç se Prifti dhe Gjinushi i përkasin të njëjti spektër politik, duket se i bashkon dhe një tjetër motiv. Të dy kanë pasur rezerva ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta. Gjinushi është një nga zërat brenda së majtës që ka kundërshtuar koalicionin mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrimi. Ndërsa së fundi ka shprehur rezerva dhe për funksionimin e koalicionit me Partinë Socialiste dhe PSD-në, duke lënë të kuptohet se mund të kandidojë dhe si forcë më vete.