Dua armë e municione…

Fejton Nga Thoma Goga/ Nuk u besova veshëve kur dëgjova Plakun Mere në televizor, që bëri thirrje për të rrëmbyer armët. Ndërrova “dritat e shkurtra me të gjata”. E mo, e kam llafin për gjyzlykët. Kur e pashë dhe me “katër palë sy” u binda; ishte ai vetë- Plaku Mere. Uuu, ç’më panë sytë! Plaku Mere kërkon të rrokim armët. Po me kë ta ketë inatin, xhanëm? E në çast më erdhi në mend ajo kënga:

 “Dua armë e municione, se do shkoj

E urrej dhe unë armikun, do luftoj…

       Ja ta zëmë se i morëm armët, po armikun ku ta gjejmë? Jo se jemi mësuar ne; bëjmë një herë urën, pastaj mendojmë se si do vijë ujë. Hë, del ndonjë të më thotë se kujt t’i biem? E nejse. Po ky plak matuf ç’pati? Akoma nuk e ka nxjerr inatin me Mato Grudën?! Ama, ky tjetri ka top e vetëm me një gjyle të bën hi. Mbase për herë të parë u ra mullarëve, po për herë tjetër gjej vrimë e futu. Ca me ndihmën e italianit Agush, e ca me “terezitjen” e hallës, t’i ngre patkonjtë nga dielli.

Mendova një herë se mos është ndonjë shaka e atyre “shakatorëve” që e imitojnë. Janë shtuar dhe këta ca si shumë e hajde mere vesh kur del “ujku” i vërtetë”. Po nejse. Filluan të lindin hamendjet e para. Ca thonë se Plaku Mere na paska hapur një punishte armësh, e do të shes dyfekët modern. Prandaj dhe ulëriti ashtu. I ka mbetur malli në punishte. Doemos se kjo punishte nuk do ishte si ajo e Gërdecit, ku plasi gjylja e u shuan nja 26 fakirë. Madje për të “ndihmuar” popullin do jepen edhe armë “veresie”; domethënë falas. Dhe populli, ngaqë është ca hollë nga “të hollat”, fillon e beson. E hëngri këtë matufepsje edhe plaka ime.

– Dil, o qyq, dil. Ikën shokët e tu të marrin armë e ti mbete mbyllur. Uu, pika burrit që mbeti pas çitjaneve të mia!…

Që të qetësoja veshët e të shpëtoja ca orë nga llomotitjet e plakës, mora rrugën nga diga e liqenit. Aty në të hyrë të parkut kishte plasur sherri. Ca civilë e ca policë. Heu, thashë, civilët janë popull, policët janë shteti. Si ka mundësi? Bile këndoheshin dhe këngë partizane, si ne një herë e një kohë kundër dushmanit.

“O djem rrëmbeni armët-ë

Ja vdekje, ja liri…”.

Ore, dakord vdesim për lirinë, po për lirinë e kujt? Me rregull të treshit, i bie të vdesim sa herë të thotë Plaku Mere. Si nuk doli një “i mençëm” ta sqarojë popullin?! Se Plaku Mere e mban veten edhe si “të freskët” nga truri, paçka se ka rrjedhur e “fut ujë” nga çdo anë.

Ec e ec, duke u llafosur me vete, thashë t’i fus një “shqeto” atje ku e pi gjithnjë. Dhe këmbët më çuan nga parku “Rinia”. Edhe atje mizëri me njerëz. Po qetësi e madhe. Burra, gra, të rinj e të reja. Si me terezi u afrova të shikoja ç’bëhet, mo. Kishte zbarkuar doktoratura dhe i masnin tensionin popullit. E mata dhe unë. Një çupkë, që ta pije në kupë, ma tereziti mirë aparatin. Pastaj më dha xhevapin.

– E di si ma ke, xhaxha, si për pilot.

– Hë, më rrugaç e të hënksha dasmën. Po si t’ia mbush mendjen plakës se jam gati për fluturim…

Ca qeshën, ca filluan të hedhin “shashka të ëmbla” dhe jo si ajo e Plakut Mere. Ca metra më tej ishte një çadër ku shtyheshin të rinjtë. “Heu, thashë, më duket po ndahen armët”…Iu drejtova një zdapi që kishte një kartolinë varur në qafë. Dukej si përgjegjës.

– Na more djalë, ç’bënet këtu, mo?

– Ndahen “kapota”, xhaxha. Të hyjnë në punë?

– Ore unë kam kapotën e ushtrisë, po sille një se ia jap plakës.

Ata që ishin rrotull meje u shkrinë, kurse “zdapi” më dha një kuti si pako aspirinash. Kur e hapa ç’të shoh! Ishin prezervativë. Aty për aty qesha dhe unë. Tunda kokën e vura trurin në punë. Do t’ja çoj plakës në shtëpi. Të shkrihemi e të shkriftohemi një çikë. Pa do t’i mburrem plakës: “Armë kërkove, armë të solla”. Edhe këto “armë” të mbrojnë. Po të mbrojnë nga një gjë tjetër…Jam i bindur se ajo do dorëzohet e si flamur do vari çitjanet…

Rrofsh e na lënç pas, o Plaku Mere, se na bëre me gaz…

SHKARKO APP