Dy fjalë për muzeun e Nënë Terezës në Durrës

Placeholder Image

Nga Albana Bano/Qe e trishtë të lexoja lajmin se Forumi Mysliman në Durrës (FM), ishte ngritur kundër ndërtimit të muzeut për Nënë Terezën pranë xhamisë së qytetit. Në letrën përcjellë kryebashkiakut Dako, Forumi shprehej se “kemi besimin se ju këtë akt nuk po e bëni për të provokuar ndjenjat e besimtarëve myslimanë, të cilët nuk ndjehen të përfaqësuar nga kjo figurë”.  Do ta mirëkuptoja ankesën e FM-së në qoftë se nuk do të donin që ngjitur me xhaminë të ngriheshin muze apo të vendoseshin foto të përfaqësuesve të krishterë. Por, së pari, këtu flitet për muzeun dhe shpalosjen pranë xhamisë të imazheve të Nënë Terezës që është një nga kulmet më të ndritura të krenarisë kombëtare të shqiptarëve pa dallim feje. Së dyti, cilësimi i figurës së Nënë Terezës si “provokim” dhe “jo përfaqësuese e pjesës myslimane të shqiptarëve” është në vetvete një provokim i rëndë i ndjenjave të shumicës absolute të kombit shqiptar. Ai nuk përfaqëson aspak qëndrimin e komunitetit të gjerë mysliman në vend.

Nga ana tjetër, më ra në sy fakti se në letër nënvizohet që “Durrësi ka plot figura fetare dhe jo-fetare që meritojnë respekt të veçantë dhe … që kanë dhënë kontribut real” për qytetin. Durrësi nuk ka plot figura që maten me Nënë Terezën. Dhe Shqipëria mezi e ka një të tillë dhe lufton dhëmb për dhëmb për të mos e ndarë atë me fqinjët, të cilët, meqë ra fjala, e kanë ngritur në piedestal figurën e saj, pavarësisht se nuk ndajnë me të as besimin fetar, dhe as gjakun.

Gjithashtu, habitem se si Forumi do të pranonte që afër tij të ngrihej një muze për jo-fetarë, të cilët mund të jenë nga origjina të krishterë, jo-besimtarë, ateistë, agnosticistë: çfarëdo. Pse ngritja e një muzeu për një jo-fetar nuk konsiderohet provokues? Dhe n.q.s jo-fetari do të ishte i krishterë, a do të provokonte ai njëlloj sikur Gonxhe Bojaxhiu, “misionarja e krishterë” sipas fjalëve në letër? Në këtë kuptim të ngushtë, mendoj se refuzimi i ngritjes së muzeut të Nënë Terezës, është përveç të tjerash, përjashtimisht paragjykues.  Mbetet i paqartë qëndrimi zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH) për këtë çështje. Të paqarta janë gjithashtu dhe marrëdhëniet që KMSH ka me Forumin.  A është FM-ja pjesë e Komunitetit Mysliman Shqiptar? N.q.s jo, ku bazohet legjitimiteti i tij për të bërë deklarata dhe mbajtur qëndrime në emër të besimtarëve myslimanë të Durrësit?

E përsëris: Nënë Tereza me përkushtimin e saj ndaj të vobektëve, u ngrit përmbi gjithë kornizat fetare në botë dhe është një personalitet me të cilën shqiptarët mburren anë e mbanë globit. Në këtë kontekst, që një figurë e kalibrit të saj të konsiderohet si “provokim” nga disa persona në vendin tonë, është mëse e dhimbshme dhe na ul shumë pikë si shoqëri e komb. Ndërkohë, ky qëndrim është në vazhdën e një tradite të konsoliduar anti-vlerë në Shqipëri. Ai nuk është ndonjë gjë e re dhe nuk lidhet ngushtësisht me Nënë Terezën. Kaherë kanë dalë dhe persona të besimeve të tjera fetare dhe kanë shpallur me krenari se nuk ndjehen  të përfaqësuar nga Gjergji i Madh i Kastriotëve. Kështu u çuan dhe budallenjtë e smirëzinjtë nga kolltukët e disa zyrave të shtetit, kundër dhënies së çmimit “Nobel” për Ismail Kadarenë. Sa turp!

TURP për të gjithë ne së bashku: për ata që i mbështesin këto deklarata dhe vjellin vrer kundër çdo thesari të këtij populli. Akoma më turp për ne të tjerët që dëgjojmë dhe heshtim kur nxihen figurat më të ndritura të kombit, veçanërisht treshja Gjergj Kastrioti-Gonxhe Bojaxhiu-Ismail Kadare. Kjo Triadë Gjigandësh, përfaqëson yjet më të ndritur në qiellin e errët dhe të trazuar shqiptar. Ata janë gjithashtu yjet drita e të cilëve na bashkon me qiejt e tjerë të botës duke na bërë të ndjehemi krenarë dhe më pranë me atë pjesë të rruzullit, ku shumica absolute e shqiptarëve ëndërrojnë të integrohen. Këtij vendi thjesht nuk i mjaftojnë disa foto apo ndonjë muze periferik për Nënë Terezën. Nuk do të mjaftonte dhe sikur figura e saj të lartësohej në çdo cep të Shqipërisë. Për kuriozitet, Maqedonia i ka ngritur muze në qendër të Shkupit, aty ku ndodhej shtëpia e saj. Natyrisht, që e ka nderuar dhe me ngritjen e flamurit maqedonas në kulmin e shtëpisë, duke i fshirë çdo asociim me pjesën shqiptare. Tek ne, përkundrazi, nuk dallohet pothuajse asnjë gjurmë e Nënë Terezës, apo e familjarëve të saj.

Prandaj ju lutem, para se të ngrini muzeun aty ku nuk e duan në Durrës, ngrini një të tillë në qendër të Tiranës që ta brohorasim të gjithë. Riktheni dhe mos e largoni më nga institucionet shtetërore portretin apo bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti.  Dhe së fundi, nevojitet një ndjesë e thellë dhe e sinqertë ndaj Kadaresë së madh, për gjithë smirën dhe helmin e papërmbajtur kundër tij. Mbase këto veprime nuk do të zhbënin dëmin e jashtëzakonshëm ndaj imazhit të Shqipërisë. Megjithatë ato me siguri që do të ndihmojnë brezat e ardhshëm për të kuptuar se cilat janë vlerat dhe përfaqësuesit e vërtetë të kombit, që duhen nderuar dhe ruajtur të pacenuar nga çdo denigrim, shpifje apo përdhosje.

SHKARKO APP