Dy gabimet që po bëjmë të gjithë me rrogat: Shtri këmbët sa ke jorganin
Nuk është surprizuese që shumica e shqiptarëve apo njerëzve nëpër botë për atë punë, presin rrogën për të shtyrë muajin. S’bëhet fjalë për një fond për ditë të këqija apo ca para mënjanë. Ndoshta rrogat janë të ulëta, ndoshta po i manaxhojmë gabim.
Mund të thoni që kam punuar për këtë ditë, pse të mos i shpenzoj paratë që fitoj me djersë. E drejtë, të gjithë meritojmë të shijojmë frytet e punës dhe kjo ndonjëherë na bën të kultivojmë vese të pashëndetshme me shpenzimet. Janë dy veprime financiare që duhen mbajtur nën kontroll gjatë gjithë kohës:
Pagesat për shtëpinë tejkalojnë 30% të rrogës
Natyrshëm, stehimi kushton shumë. Natyrshëm, është mirë të jetosh në një shtëpi të bollshme, të rehatshme, afër punës. Të tilla kërkesa mund të na bëjnë të shpenzojmë më shumë se ç’duhet për shtëpinë, e të na vërë financat në rrezik.
Pavarësisht sa fitoni çdo muaj, shpenzimet për shtëpinë, qofshin qira, siguracione, taksa, kredi, etj., nuk duhet të tejkalojnë 30% të pagës. Nëse e tejkalojnë këtë vlerë, merreni si shenjë që duhet të shpërnguleni.
Nuk po kurseni asnjë qindarkë
Rekmandohet të kurseni 10% të çdo page çdo muaj për situata emergjence, rreziku, sëmundjeje të papritur apo për t’ia shtuar fondit të pensionit. Nëse vini re në fund të muajit që në llogarinë tuaj bankare s’ka mbetur asgjë, mund të jeni duke jetuar një jetë më të shtrenjtë nga ç’përballoni dot. 10% mund të mos ju duken shumë, por situata duhet parë në këndvështrim më të gjerë. Mendoni fillimisht për kulturën e të kursyerit që do t’i kultivoni vetes. Mendoni më pas për fondin që do të keni mbledhur vite më vonë, thjesht duke prishur më pak.
Mund të arrini qëllimin tuaj për të kursyer në dy mënyra. Ose duke hequr dorë nga një shpenzim i madh, si këstet për një makinë të re, ose duke shkurtruar shpenzimet e vogla e të panevojshme, si vaktet nëpër restorante apo veshjet. Se cilën zgjidhni varet nga lloji i personit që jeni dhe me çfarë ndiheni më komodë./Anabel/