Dy javë pa punë, naftëtarët e Ballshit në protestë: Na paguani, ose..
Punëtorët e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh kanë protestuar mëngjesin e sotëm para uzinës. Punëtorët e uzinës kërkojnë pagën e një muaji, e cila iu është bllokuar pas mbylljes së përkohshme të punës. Ata kanë kërcënuar se nëse nuk paguhen, do të kalojnë në protesta të tjera.
Rreth 1000 punonjës janë prej 15 ditësh të papunë, pasi Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial ka pezulluar punën për të kryer remontin në repartin e koksit, ku rreth 15 ditë më parë ndodhi një avari dhe u plagos një punonjës.
Sot punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të furnizuar me lëndë të parë uzinën për fillimin e punës, sipas premtimit të kryeministrit Edi Rama, që nafta shqiptare të përpunohet në uzinën e Ballshit.
“Kryetari thotë që këtej e tutje të bëjmë grevë ditore këtu te uzina ose në Ballsh duhet marrë leje nga policia. Ne duhet t’u themi këtyre që të furnizojnë me lëndë të parë uzinën me qëllim që uzina punojë. Punëtorët i thonë atij që të lidhet tani me kryeministrin përndryshe të mos flasë”, tha Kamber Iliazi, kryetar i Sindikatës së Përpunimit të Naftës.
Këta punonjës janë ish-punëtorë të uzinës Fier, të cilët kanë qenë këtu, por për shkak të mbylljes janë transferuar në uzinën e Ballshit.
/shqiptarja.com