Dy vite më parë, 11 premtimet e socialistëve për rilindjen e vendit
Nga Xhovani Shyti *
Në Konventën Kombëtare dy ditore të mbyllur në 20 maj 2013, një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare të 23 qershorit 2013, socialistët e qenë në opozitë zyrtarizuan programin e cilësuar prej tyre si: “të duhurin për të rilindur Shqipërinë”.
Prezantimi i detajuar i programit elektoral u bë nga deputetët dhe ekspertët e kësaj force politike, kurse ishte kryetari i tyre, dhe pretendenti për kryeministër në rast fitoreje të zgjedhjeve, pra Edi Rama,i cili i bëri një përmbledhje dokumentit, që do të ishte pjesë themelore edhe e programit të qeverisë së tij të rilindjes.
Konventa elektorale e socialiste e dy viteve më parë u mbajt nën një skenografi të veçantë, të përzgjedhur nga Edi Rama, që këtë punë di ta bëj shkëlqyeshëm. Ajo ishte e mbushur me deklarata, pyetje nga monitori etj., duke krijuar ndërthurje përgjigjesh dhe premtimesh në lidhje me atë që do të bënin socialistët në katër vitet e para të qeverisjes, në rast se shqiptarët i’a besonin qeverisjen koalicionit të majtë. Gjë që ndodhi.
Një milion shqiptarë më shumë i’a besuan votat këtij koalicioni, i cili që prej dy viteve ndodhet në krye të qeverisjes, i përfaqësuar nga Edi Rama kryeministër, ndërkohë që polemikat rreth mbajtjes apo jo të premtimeve vazhdojnë të mbeten pjesë thelbësore e debateve brenda e jashtë llojit.
I kanë mbajtur premtimet të majtët apo jo? Sa qeveria e pagëzuar me emrin e shentë të rilindjes ja ka dalë ti përmbush premtimet elektorale?
Duke huazuar terminologjinë vlerësuese të deputetit Ben Blushi, mund të themi se për “krenaristët” këto dy vite qeverisjeje duhen shënuar si ecje në rrugën e duhur, ndërkohë që vetë optika e Blushit e reduktuar në përgjigjet e 120 pyetjeve të ngritura prej tij, mbart krejtësisht të kundërtën. Domethenë mosmbajtjen e premtimeve, zhgënjimin dhe pesimizimin e thellë të më shumë se një milion shqiptarë, të cilët duke dëshiruar rilindjen i’a besuan votat “pro” qeverisjes së socialistëve.
Po atëherë, nga qendron e vërteta e këtij dualizmi midis “krenaristëve”, që tek kabineti Rama shohin mirëqeverisjen, dhe “blushistëve”( po i quajmë kështu), të cilët politikat e qeverisë i vlerësojnë rilindëse, vetëm për këta të fundit dhe “kanabistët” që si objektiv final presin ligjërimin e kabanisit?
Ka edhe pyetje të tjera të cilave sado të rrekesh ti përgjigjesh me paanshmëri përsëri nuk mund t’ja dalësh t’a meritosh një vlerësim të tillë. Ndaj dhe gjëja më e mire që mund të bësh në këtë rast është të listosh çfarë premtimesh zyrtarizuan socialistët, në atë Konvent të majit 2013, nga të cilat njëmbëdhjet të mëposhtëmet u theksuan: si më të duhurat për ta rilindur Shqipërinë, dhe gjithsecili t’i nxjerrë vetë konkluzionet.
Për sistemin e drejtësisë
Deputetja Ermonela Felaj foli për krijimin e një drejtësie të pavarur gjatë qeverisë së PS, e cila do të siguronte në mënyrë të barabartë qytetarët dhe sipërmarrjet. Sipas Felaj, PS do e çlironte drejtësinë nga presioni për interesat politike dhe korruptive, duke e pastruar atë nga çdo shërbëtor që i shërbente pushtetit.
Për luftën ndaj korrupsionit
Deputeti Taluant Balla u zotua dje në emër të socialistëve se gjatë qeverisjes së të majtëve askush nuk do të tolerohej të abuzonte me pushtetin dhe ta përdorte atë për interesa personale, të familjarëve apo klaneve të ndryshme. Ai theksoi se do të kishte ndëshkim ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe transparencë në çdo koncesion të dhënë. Sipas tij,krimi fiskal nuk do të tolerohej.
Për transparencën
Kandidati socialist për Fierin, Ilirian Celibashi, premtoi dje në Konventë se transparenca e punës së institucioneve do të ishte shtyllë qendrore për socialistët. Sipas tij, Kuvendi do të rifitonte funksionet e tij kushtetuese dhe se do të hapej një kanal televiziv për veprimtarinë e tij. Po kështu, respektimi i afateve për interpelancë me Kryeministrin do jetë normë për qeverinë socialiste.
Për infrastrukturën
Kandidati për deputet i Beratit, Artan Lame, theksoi se para të gjithash PS-ja do të ndërtojë rrugë për të lidhur akset e rëndësishme kombëtare. Përveç ndërtimit të korridoreve të Kaltër dhe të Gjelbër, Lame premtoi dhe ndërtimin e autostradës së parë të shqiptarëve, sipas standardeve të certifikuara.
Për rininë
Sekretari për Rininë në PS, Erjon Veliaj, theksoi se nën qeverisjen socialiste të rinjtë do të kishin mundësi të barabarta për punësim dhe karrierë, pavarësisht njohjeve të tyre. Ai theksoi se në diplomacinë shqiptare nuk do të punësoheshin më familjarë dhe se qeveria do të kishte një buxhet të konsiderueshëm për problemet e rinisë. Ai foli për ndërtimin e Korpus-it kombëtar të të rinjve dhe 10-fishimin e mikrokredive për ta.
Për pronat
Damian Gjiknuri deklaroi se pronat në Shqipëri ishin kthyer në një mision të pamundur për të gjithë ata që i dispononin me ligj. Sipas tij, për të marrë certifikatat e pronësisë ata ose do të jepnin 50% të pronës tek Argita Berisha, ose nuk do e merrnin fare. Ai premtoi në emër të PS reforma të thella në sistemin e pronave siç ishte dhe evidentimi i atyre që fshiheshin nga zyrtarët e ministrive. Sipas tij, për katër vite do të mbylleshin procedurat për ndërtimet pa leje në 800 dosje.
Marrëdhëniet me biznesin
Deputetja Vasilika Hysi theksoi se përgjatë qeverisjes së majtë do të kishte një partneritet të ri me biznesin dhe një klimë lehtësuese dhe favorizuese për të. Ajo theksoi se përveç heqjes së taksës për biznesin e vogël do të hiqeshin referencat aktuale në dogana e tatime dhe do të kishte një modelim të zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH. Po kështu do të ketë dhe stabilizim të administratës doganore dhe tatimore.
Pse femrat duhej të votonin PS-në?
Kryetarja e forumit të Grave Socialiste, Olta Xhaçka, tha se çdo grua e papunë duhet të votojë për PS, në mbështetje të zotimit tonë për të fuqizuar gratë dhe vajzat përmes punësimit dhe kualifikimit profesional të tyre. Ajo foli për shërbime sociale në ndihmë të të gjithë brezave të grave, në mënyrë që të arrihej barazia gjinore, e cila në Shqipëri është në nivele alarmante.
Përkujdesja për fëmijët dhe familjen
Deputetja Eglantina Gjermeni theksoi se PS kishte bindjen ripërtëritja e shoqërisë fillonte te fëmijët edhe familja dhe se për këtë angazhohej për shërbimet universale për fëmijët dhe drejtësi sociale. Ajo foli për fond kombëtar për shërbimet sociale dhe për dhënien e një përgjigje përfundimtare për regjistrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë.
Politika me emigrantët
Socialisti Artan Mullai e përqendroi fjalën e tij te masat që do të merreshin ndaj emigrantëve në kushtet kur ata janë braktisur plotësisht. Ai premtoi në emër të PS-së mundësimin e të drejtës së votës për ta, një buxhet të posaçëm për problemet dhe shqetësimet e tyre dhe ngritjen e strukturave mbështetëse gjatë kohës kur do të vendosnin të ktheheshin në Shqipëri.
Rilindje për median
Kandidati për deputet i Elbasanit, Alfred Peza, deklaroi se PS do ta rilindte dhe median shqiptare në 23 qershor 2013. Sipas tij, reklamat shtetërore nuk do të jenë më ushqim për mediat qeveritare dhe se RTSH do t’i kthehet publikut dhe interesave të tij. Ai premtoi akses të plotë për gazetarët dhe qytetarët te dokumentacioni shtetëror.
* Kryeredaktor i "shtypi.net"