Dy votat kundër shkarkimit të Spiropalit në Kuvend/ Topalli pranon gabimin, kurse Berisha akuzon Peleshin
Mes 83 votave të socialistëve për shkarkimin e Elisa Spiropalit si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, janë dhe dy vota kundër nga radhët e demokratëve. Jozefina Topalli mësohet se teksa ka kërkuar të drejtën për të replikuar në seancë ka votuar kundër si nga ulësja e saj por edhe e kryetarit të PD.
”Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, deklaroi Topalli.
Një version tjetër jep Sali Berisha pohoi se as Topalli nuk ka votuar në emër të tij. ”Absolutisht nuk e kam votuar fare, një mashtrim i paskrupullt. Ne nuk kemi votuar fare”. Por del te sistemi? “Se çfarë ka bërë sistemi, unë nuk di gjë, unë kam qenë gjithë kohën, siç e ke parë ti, merr kamerën tënde, unë kam qenë në platformë”, deklaroi Berisha.
Keni mandatuar zonjën Topalli? ”Jo, kategorikisht. As zonja Topalli nuk ka votuar. Nuk e ka shtypur, nuk ka qenë fare zonja Topalli aty. Është e tëra mekanizëm i Niko Peleshit”. Berisha shtoi se Spiropalit ia dha përgjigjen nga foltorja e Kuvendit, ku siç tha ai, shkarkimi i saj është iniciuar nga Belinda Balluku.
KOHA JONË SONDAZH

