“E-bujqësia”, Shqipëria pjesëmarrëse në forumin e FAO-s – “Zhvillimi i bujqësisë nëpërmjet teknologjisë”
Fermerët mund të përdorin mirë teknologjitë e informacionit në planifikimin, prodhimin dhe tregtimin e prodhimeve të tyre. Kjo ishte ën fokus të forumit rajonal të e-bujqësisë organizuar nga FAO që fokusohet tek vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, ku pjesëmarrës ishin Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova.
Përfaqësuesit diskutuan se si të ecin përpara me zbatimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) në bujqësi.
“E-bujqësia” përfshin hartimin, zhvillimin dhe zbatimin e mënyrave të reja për përdorimin e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit – duke përfshirë teknologjitë digjitale – në fushën rurale. Fokusi kryesor është në bujqësi, duke përfshirë peshkimin, pylltarinë dhe bagëtinë.
“Qëllimi është të rritet bujqësia dhe zhvillimi rural nëpërmjet përmirësimit të qasjes në informata. Kjo mund të ndihmojë njerëzit jetesa e të cilëve varet nga bujqësia, që të marrin vendimet më të mira të mundshme dhe të përdorin burimet e disponueshme në mënyrën më produktive dhe të qëndrueshme”, tha Nevena Alexandrova-Stefanova, oficere për sistemet e inovacionit bujqësor të FAO-s.
Prodhimi bujqësor mund të bëhet më i saktë, ekologjikisht miqësor dhe i shpejtë nëse teknologjitë digjitale depërtojnë në këtë sektor ekonomik. Kjo mund të nënkuptojë më pak informacione dhe kostot e transaksionit, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe lehtësimin e lidhjeve midis fermerëve, prodhuesve dhe konsumatorëve.