E dashura, letër Migjenit: Do vras veten

Migjeni vdiq në 26 gusht të vitit 1938, në moshën 27-vjeçare dhe për aq sa la pas, ai është konsideruar si një “uragan i ndërprerë”. Dhimbja që shkaktoi vdekja e tij te njerëzit e dashur ishte e jashtëzakonshme. Këtë e dëshmojnë letrat që e dashura e tij, Bojka Nikolla, i dërgon motrës së Migjenit, njëkohësisht mikeshë e saj, menjëherë pas lajmit të keq. Në zgrip të dëshpërimit ajo mendonte t’i jepte fund jetës. Letrat që ajo i dërgonte Ollgës janë përfshirë në librin e studiuesit Nasho Jorgaqi, “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”.

Letrat e shkruara me dorë, të një epoke tjetër, edhe në mos qofshin të bukura për t’u lexuar, janë gjithmonë interesante. Mes radhësh lexon e, pjesërisht kupton, vitet nëpër të cilat kanë jetuar ata që i kanë shkruar. Për shembull, në këto letra të gjata që mikesha e Migjenit, pas vdekjes së tij, i shkruan motrës së shkrimtarit, nuk ngjajnë me asgjë, as me më të ndjeshmin e romantikun e kohëve të mëpasshme (do ishte e tepërt të thoshim të sotshme). Bojka Nikolla, më shumë sesa për të zbrazur dhimbjen e saj, duke i shkruar Ollgës, përpiqet t’i lehtësojë dhimbjen, t’i gjendet afër, qoftë edhe me fjalë ngushëlluese. Ato nuk i lidhte vetëm Milloshi; të dyja, qysh më herët kanë qenë mikesha, ndërsa tani, kur shkruhet letra, i bashkon një dhimbje e madhe. Dallohet një kujdes gati i tepruar i Bojkës, përmes fjalëve dashamirëse, për ta bërë Ollgën të ndihet më mirë. Ajo nuk merr përgjigje; mjaftohet me faktin që mund të jetë ngushëlluese. Nëpër radhë, përveç gjendjes së saj pas humbjes së të dashurit, do të njiheni edhe me dashurinë e tyre, ç’marrëdhënie kishin.

Nga ana tjetër, bisedat tregojnë gjithashtu për komunikimin e Migjenit me të motrat. Këto letra janë pjesë e librit “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili skalit portretin e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, një prej themeluesve të prozës moderne shqipe, përmes kujtimeve të miqve të tij bashkëkohës. Ndërsa vetë Jorgaqi rrëmon në bibliotekën e Migjenit, nëpër librat e tij, për të kuptuar më shumë nga ajo dritë që ndriçonte shpirtin e gjeniut, që u fik, në moshën 27 vjeçare. E ndër të tjera, edhe letrat e Bojkas që i dërgon të motrës së Milloshit, ku i zbraz dhimbjen dhe ato momente dëshpërimi, gjatë të cilave mendonte t’i jepte fund jetës…

Letrat janë dërguar vetëm pak ditë pas vdekjes së Migjenit, i cili u nda nga jeta në 26 gusht 1936. Lexojini vetë, për të jetuar disa minuta në një epokë dashurie të vërtetë.

PJESË NGA LIBRI “MIGJENI NË KUJTIMET E BASHKËKOHËSVE” TË NASHO JORGAQIT

“Ollga ime e dashur, Sillem nëpër shtëpi dhe qaj. Qaj si rrallë kur. Qaj dhe të dëgjoj edhe ty si qan. A të shkon nëpër mend se edhe unë, në të njëjtën kohë, qaj me ty Mirkon e dashur? Do të donja të më dëgjoje se si dhe unë dënes me zë me ty. Oh, sa fatkeqe që jemi! Si nuk mund të vi tek ti të të përqafoj e dashura ime Ollga fatkeqe! Ndoshta je krejtësisht vetëm atje?! E ndiej dhëmbjen tënde thellë, sepse është në të njëjtën kohë edhe dhëmbja ime. Unë e kam dashur dhe respektuar. Unë nuk mund të ngushëllohem derisa mos të të shoh. A thua unë do të mund të të jap pak ngushëllim? Gjatë kësaj kohe jam në shtëpi, kam pasur momente që të vendosja për vetëvrasje. Një dëshpërim i papërshkruar, nerva të tendosura më kishin mbërthyer. Më dukej në disa momente se po shkoja drejt çmendurisë. Një shqetësim kishte pllakosur shpirtin tim. Dhe vetëm një gjë mendoja, një gjë të vetme dëshiroja, një gjë të vetme shpresoja dhe një gjëje të vetme i gëzohesha: ardhjes tënde.

SHKARKO APP