E Drejta Ndërkombëtare në Legjislacionin Shqiptar për Urbanistikën
Nga Pullumb Beqiraj*
Dinamizmi dhe zhvillimi i vrullshëm ekonomik në të gjithë hapësirën europiane ka sjellë me vete edhe fenomenin e lëvizjeve demografike, si atyre të jashtme, ashtu edhe të brendshme, kryesisht nga zonat rurale drejt atyre urbane. Për vetë peshën që kanë zonat urbane në zhvillimin e gjithanshëm ekonomik të çdo vendi, ka ardhur si rrjedhojë edhe zgjerimi i vazhdueshëm i tyre, zgjerim që dosmosdoshmërisht kërkon edhe zbatimin e disa rregullave themelore, për të pasur një mjedis urban të rregullt e funksional.
Duke mbajtur parasysh rëndësinë parësore që ka për cilësinë e jetës së individit mjedisi urban edhe normat juridike që bëjnë rregullimin e planifikimit urban janë konsideruar si të tilla në kuadrin e tërësisë së normave europiane në këtë fushë. Si bazë për të gjitha zhvillimin e mëvonshëm të legjislacionit urban mbi planifikimin urban, ka shërbyer Karta Urbane Europiane për Rilindjen Urbane të ndërmarrë nga Këshilli i Europës gjatë viteve 1980-1982. Kjo fushatë, drejtuar autoriteteve publike dhe individëve me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete, u fokusua në katër drejtime kryesore: (i) Përmirësimi i mjedisit fizik urban; (ii) Rehabilitimi i banesave ekzistuese; (iii) Krijimi i mundësive sociale dhe kulturore në qytet; dhe (iv) Zhvillimi i komunitetit dhe pjesëmarrja e publikut.
Në përputhje me angazhimin e Këshillit të Europës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fushata kishte moton: “Për një jetë më të mirë në qytete”. Më tej, fushata u pasua nga një program i Këshillit të Europës mbi politikat urbane gjatë viteve 1982-1986, i zhvilluar nga një Komitet Ndërqeveritar, i përbërë prej ministrave përgjegjës për çështjet urbane. Në vitin 1986, ky program iu transferua Konferencës Europiane të Autoriteteve vendore dhe Rajonale të Europës (CLRAE), duke iu referuar praktikës së ndjekur në shumë shtete europiane, ku vendimet që kanë ndikim mbi komunitetet urbane, merren nga drejtuesit e nivelit lokal, në përputhje me politikat e decentralizimit dhe respektimin e parimit të subsidiaritetit. Në themel të decentralizmit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve.
Përgjatë tekstit të saj, Karta përcakton parimet që duhet të udhëheqin organet vendimmarrëse për sa i përket planifikimit urban. Në mënyrë të përmbledhur, ato kanë të bëjnë me marrjen e masave për reduktimin e trafikut në qendrat urbane, parandalimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të individit, ruajtjen e zonave të gjelbra, të zonave me interes historik dhe arkeologjik, nxitjen e bashkëpunimit shtet-privat, parandalimin e krimit, mbajtjen dhe ofrimin e statistikave dhe informacioneve të ndryshme, ofrimin e mjediseve shplodhëse, sportive e kulturore, mundësimin e pjesëmarrjes së komunitetit në diskutimin e planeve dhe projekteve të zhvillimit të qytetit, si dhe krijimin e kushteve dhe klimës së favorshme për investime në zonat urbane që i japin hov zhvillimit ekonomik të qytetit.
Karta i mëshon më së shumti idesë se ndjekja e politikave të caktuara urbane ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të individit, në aspekte të ndryshme të saj, e për rrjedhojë, hartimi i këtyre politikave duhet të jetë rezultat i një bashkëpunimi të përhershëm midis përfaqësuesve të zgjedhur dhe publikut. Një mjedis urban ideal është ai që ruan ekuilibrat midis sektorëve dhe aktiviteteve që zhvillohen në të, që siguron kushtet më të mira të mundshme për jetesë, ku garantohen të drejtat e qytetarit dhe që iu përgjigjet nevojave të kategorive të ndryshme të tyre, sipas aktivitetit që ata ushtrojnë, për punë, studim, kulturë, argëtim etj.. Gjithashtu qendrat urbane duhet të balancojnë zhvillimin modern me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Një qytet pa histori është si një njeri pa memorie. Banorët e qytetit duhet të njohin të shkuarën, të ndjehen si pjesë e vazhdimësisë së tij, si dhe duhet të jenë të përgatitur për të ardhmen.
Pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ‘90, u miratua ligji nr. 7693, datë 06.04.1993 “Për urbanistikën”, i cili pasqyroi ndryshimet sociale-ekonomike të vendit në atë periudhë. Mirëpo gjatë zbatimit të tij u evidentuan mjaft mangësi, pasi ky ligj nuk mund t’i paraprinte zhvillimit të shpejtë urban të viteve të tranzicionit dhe rritjes së problematikës të lidhur me këtë zhvillim. Për rrjedhim doli si domosdoshmëri hartimi i një ligji të ri që do mbante parasysh këto zhvillime. Në këtë kuadër u miratua një ligj i ri, me nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” i pasuar nga amendamente të mëvonshme. Ky ligj u shoqërua edhe me rregulloren e miratuar me VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, e pasuar dhe kjo me ndryshime të mëvonshme.
Me gjithë përpjekjet e bëra ndërkohë për të krijuar një kuadër ligjor sa më të plotë, i cili sigurisht ka pasur ndikimet e veta pozitive, në këto zhvillime, nuk është arritur që ky kuadër ligjor të zgjidhë problemet e dala dhe t’iu përgjigjet zhvillimeve integruese të kohës. Mendoj se mangësitë në kuadrin ligjor ekzistues, ndër të tjera kanë ardhur për këto shkaqe:
– Me ndryshimet ligjore të bëra herë pas here, me sa duket, është synuar zgjidhja e problemeve të caktuara dhe të çastit, pa i parë ato në tërësi e të ndërlidhura midis tyre dhe me perspektivë të largët, në kuadrin e territoreve të gjera e sidomos të pellgjeve ujëmbledhës, në mungesë të një politike më vizionare;
– Gjatë përgatitjes së ligjeve dhe amendimeve të deritanishme nuk janë konsultuar sa duhet me grupet e interesit dhe publikun e gjerë; Nuk është realizuar në masën e duhur përafrimi i legjislacionit urban shqiptar me atë Europian; Zbatimi i keq i legjislacionit urban në praktikë mbetet mjaft problematik, si nga ana e autoriteteve kompetentë, ashtu dhe nga individët e veçantë.
Me zbatimin e keq të ligjit dhe rregullores së urbanistikës si dhe veprimet korruptive të disa drejtuesve dhe KRRT-ve të disa bashkive në drejtim të dhënies së lejeve të ndërtimit në kundërshtim me kondicionet urbanistike të përcaktuara në rregulloren e urbanistikës solli si pasojë shkatërrimin nga ana urbanistike të shumë qyteteve si Saranda, Tirana, Durrësi, Vlora, Lezha e sidomos kjo në shumë zona bregdetare si Orikum, Himarë, Shëngjin, Velipojë, Golem etj. Nga puna këmbëngulëse dhe kërkesa e lartë e llogarisë nga ana e Kryetarit të KLSH-së z. Bujar Leskaj, bëri që nga grupet e auditimit në shumë bashki dhe komuna, të kryheshin auditime cilësore në këtë fushë. Nga auditimet rezultoi se shumë leje ndërtimi ishin dhënë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e mësipërme, në drejtim të koeficientit të lartë të shfrytëzimit të sheshit të ndërtimit, intensitetit të lartë të ndërtimit, numrit të vogël të vendparkimeve, distancat nga bordura dhe aksi i rrugës, distancat nga objektet, nga kufiri i pronës etj.
Në kuadrin e përgjithshëm të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian, iniciativa më e fundit e ligjvënësit ishte miratimi i ligjit të ri “Për planifikimin e territorit”. Ky ligj në dallim nga ligjet e mëparshme, ka aplikuar një koncept më të gjerë, duke rregulluar jo vetëm planifikimin e zonave urbane, por duke kaluar në rregullimin e territorit në rrafsh kombëtar. Mbyllja përfundimisht e epokës se informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale do të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Në zbatimin e ligjit të ri “Për planifikimin e territorit”, Organet e Qeverisjes Vendore kanë hasur disa problematika të evidentuara si më poshtë:
Njësitë e Qeverisjes Vendore deri tani nuk kanë pasur aftësi dhe fonde për të menaxhuar, apo për të bërë të mundur hartimin e projekteve për zonën e tyre; Ndryshime të shpeshta të dispozitave ligjore në fushën e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit; Hartimi i Planeve Vendore dhe zbatimi i Rregullores Model të Planifikimit ndërkohë, ka qenë një tjetër problem i hasur gjatë zbatimit të ligjit si pasojë e moskordinimit institucional midis autoriteteve kombëtare;
Ligji për Planifikimin e Territorit ka pasur më shumë probleme teknike. Detyrimi i planifikimit tashmë në të gjithë territorit administrativ, zhdukja e konceptit të vijës së verdhë e vështirëson edhe më shumë situatën; Problematik rezulton kontrolli i zhvillimit të territorit; Nuk ka përputhje të zonave kadastrave me njësitë territoriale; Kontrolli i zhvillimit të territorit duhet bërë në mënyrë vertikale; Ndërtimet pa kriter në zonat bregdetare, në zonat pyjore dhe në afërsi të sipërfaqeve ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për turizmin; Mungon baza e integruar e të dhënave për territorin; Mungon përcaktimi i tipareve arkitekturore dhe urbanistike tradicionale të zonave dhe fshatrave e qendrave të banuara, veçanërisht në zonat turistike.
*Autori është auditues i lartë në Kontrollin e Lartë të Shtetit