E plotë/ Deklarata e OSBE për zgjedhjet: Ja nga se varet vlerësimi përfundimtar
Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve publikoi sot një deklaratë, në të cilën thuhet se subjektet konkurruese në zgjedhjet e 25 qershorit ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe liritë themelore u respektuan.
Zbatimi i marrëveshjes politike krijoi sfida për zyrtarët elektoralë dhe rezultoi në zbatimin e ligjit në mënyrë selektive dhe jo njësoj.
Zgjedhjet u zhvilluan në klimën e ndarjeve të thella dhe të gjata politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës, si dhe në klimën e një besimi të ulët të publikut tek procesi zgjedhor.
Por, thuhet në deklaratë, politizimi i forumeve dhe institucioneve që lidheshin me zgjedhjet si dhe akuzat e përhapura për blerje votash dhe trysni mbi votuesit e gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor, raporton VOA.
Në ditën e zgjedhjeve, e cila përgjithësisht kaloi në mënyrë të rregullt, thuhet aty, disa procedura të rëndësishme nuk u respektuan plotësisht, në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi të vëzhguara.
Në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi në mënyrë transparente, me seanca publike të rregullta. Pas marrëveshjes politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Komisioni u përball me një sërë sfidash komplekse, megjithatë i vuri në jetë detyrat i tij bazë.
Por për shkak të vonesave në formimin e komisioneve të shkallëve më të ulta dhe të numrit të madh të zëvendësimeve, – thuhet në deklaratë, – një pjesë e mirë e stafit zgjedhor nuk arriti të trajnohej. Të gjitha këto e ulën efektivitetin e administrimit të zgjedhjeve.
Për sa i përket regjistrimit të votuesve, thuhet në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë, përgjithësisht nga pjestarët e misionit nuk u ngritën çështje rreth saktësisë së listave.
Por, thuhet në deklaratë, vonesat në publikimin e listave të votuesve, e kufizuan shqyrtimin nga publiku të këtyre listave.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se gratë ishin aktive por jo të përfaqësuara sa duhet në fushatë.
Përsa i përket medias, në deklaratë thuhet se megjithë mbulimin e gjerë të fushatave, stacionet televizive u përqendruan kryesisht te veprimtaritë e tre partive kryesore.
Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve, thuhet në deklaratë, do të varet pjesërisht nga mënyra se si do të zhvillohen fazat përfundimtare të procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin e votave, shpalljen e rezultateve dhe trajtimin e ankesave apo apelimeve të mundshme.