E vërteta e braktisjes së tryezës nga PD është krejt tjetër…

Nga Andrea Stefani/

Nuk kishim asnjë dyshim se PD do vinte te mosmarrëveshja. Por, sikundër e kemi theksuar, kjo nuk është një lajm fort i keq. Lajmi më i keq do të qe marrëveshja, domethënë pazari. Pas kësaj PD do luftojë të realizojë “konsensusin” e kulisave politike. Por shpresojmë se mosmarrëveshja e djeshme do të ketë davaritur iluzionet e ndërkombëtarëve (për shembull të ambasadorit amerikan Lu) mbi gjoja “unitetin” e lidershipeve politike shqiptare lidhur me reformën…

Dje në në një shkrim parathamë se logjika e gjërave impononte dy opsione të mundshme për rezultatin e tryezës së ekspertëve mbi reformën në drejtësi: Ose një pazar, ose një mosmarrëveshje. Ka rezultuar kjo e dyta. Ekspertët e PD kanë braktisur tryezën me justifikimin se nuk kanë parë asnjë reflektim nga ekspertët e mazhorancës për sugjerimet e tyre. Ky është realisht, një justifikim. Por e vërteta e braktisjes së tryezës është krejt tjetër. Dhe nuk është fare sekret. Është thënë dhe rithënë shumë herë në media: Lidershipi i korruptuar i PD nuk është fare i interesuar për një drejtësi të pavarur që do të ndëshkonte korrupsionin e tij 25 vjeçar duke i dhënë fund një pandëshkueshmërie me moshë ne vetë tranzicioni shqiptar. Po vërtetohet logjika, që kemi shtjelluar në disa shkrime, se klane të politikës dhe qeverisjeve të kaluara nuk mund të mos i frikësohen një drejtësie të pavarur prandaj do të qe një iluzion të shpresohej në bashkëpunimin e tyre. E vetmja gjë e mirë që mund të bëhet për ta shpëtuar reformën nga intrigantët e korruptuar të politikës do të qe nxjerrja e reformës nga duart e politikës duke e hedhur për votim në publik. Shkurt, referendum!

***

Lidershipi i PD ka zgjedhur taktikën që të imponohet duke kërcënuar me mosmarrëveshje duke tentuar që nga një tryeza e ekspertëve reforma të kalojë në kulisat e fsheta të politikës ku janë gatuar të gjithë pazaret e ndyra të tranzicionit. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë reforma do kompromentohej përfundimisht. Produkti i saj nuk do të qe një drejtësi e pavarur por një “drejtësi” e kontrolluar nga klanet e mykura të politikës së vjetër, jo ndëshkimi i krimit dhe korrupsionit por mosndëshkimi i tyre.

***

Në të vërtetë PD i është bërë një privilegj sepse është e vetmja parti që është toleruar të përfaqësohet në tryezë me ekspertët e saj partiakë ndërkohë që përballë kanë patur vetëm ekspertë të pavarur shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Një përplasje me këta të fundit mësohet se ka ndodhur edhe në tryezën e djeshme. Ndonëse kishin dhënë sinjale se do tërhiqeshin nga kërkesa për zgjedhjen nga Kuvendi të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë me një shumicë prej 2/3-tat e votave (që do të thotë 93 deputetë) dhe se do të pranonin versionin e një shumice me vetëm 3/5-tat (që do të thotë 84 deputetë) dje, ekspertët e opozitës janë rikthyer përsëri në pozicionin fillestar. Një pozicion që është kundërshtuar jo vetëm nga ekspertët ekspertët shqiptarë por edhe ata ndërkombëtarë me sa duket nga që prapa tij, nuk është vështirë të shquash atë që mund ta emërosh pa frikë si një gjakim për tirani të një pakice.

***

Provohet, edhe në këtë rast, se politikanë me natyrë prej autokrati si Berisha, nuk mund të mos gjakojnë të bëjnë tiranin edhe kur bien në opozitë. Dhe mos thoni se është Basha që  i kavërdis punët në PD. Basha është kryetari formal i PD por lideri i vërtetë është Berisha. Raporti i Bashës me Berishën është si dikur ai i Haxhi Lleshit me Enver Hoxhën. Basha është thjesht gjethja e rrushit prapa së cilës fshihet Berisha. Prandaj edhe konflikti i tanishëm për reformën në drejtësi është në vazhdën e taktikave të stërnjohura berishiste të shantazhit dhe të presionit. Kush bie pre e këtyre grackave tregon se nuk ka mësuar asgjë nga 25 vjet tranzicion me Berishën.

***

Ndërkaq mësohet se ekspertët e tryezës së reformës, duke respektuar të drejtën e opozitës për të ofruar opsionet e saj, kanë propozuar që Komisionit të Venecias t’i dërgohet një projekt-reformë me dy opsione në pikat e mosdakordësuara. Por ekspertët e PD kanë refuzuar edhe këtë propozim. Nuk është vështirë të kuptohet se të pasigurtë në drejtësinë e opsionit të tyre, i tremben mundësisë që Komisioni i Venecias të japë një opinion më të përshtatshëm për versionin tjetër. Dhe po të ndodhte një gjë e tillë, do ta kishin thuajse të pamundur të bishtnonin. Prandaj kanë braktisur tryezën duke u justifikuar se frikësohen “për kapjen e institucioneve të drejtësisë”. Ashtu?! Atëherë pyetja që shtrohet është: Vallë këta berishistët, që nuk lanë institucion dhe gjykatë pa kapur sa qenë në pushtet madje, që disa nga këto kapje i gëzojnë edhe sot e kësaj dite, e kanë më shumë merak pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa, të themi, ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT apo EURALIUS?!

***

Nuk kishim asnjë dyshim se PD do vinte te mosmarrëveshja. Por, sikundër e kemi theksuar, kjo nuk është një lajm fort i keq. Lajmi më i keq do të qe marrëveshja, domethënë pazari. Fatmirësisht ky i fundit nuk ka ndodhur, mesa ç’duket, edhe për shkak të qëndrimit pricipial të ekspertëve. Edhe atyre ndërkombëtarë. Nuk kemi asnjë dyshim që pas kësaj PD do luftojë që të realizojë pazarin klasik, “konsensusin” e kulisave politike që e kemi parë kaq e kaq herë në momente të tilla. Por ne shpresojmë se mosmarrëveshja e djeshme do të ketë davaritur iluzionet e ndërkombëtarëve (për shembull të ambasadorit amerikan Lu) mbi gjoja “unitetin” e lidershipeve politike shqiptare lidhur me reformën. Dhe prandaj edhe t’i shtyjë që për të finalizuar një reformë të reale në drejtësi, vërtet jetike për fatin europian të Shqipërisë, të trashendojnë lidershipet e diskredituara, dhe ti drejtohen sovranit për ta shprehur vullnetin me referendum! Vetëm kështu reforma në drejtësi do të gjejë një mbështetje reale. DITA

SHKARKO APP