Edhe godina e ALUIZNI pa leje, Lame: Absurde, janë me qindra institucione publike
Operacioni i ndërmarrë nga qeveria për ndërtimet pa leje, nuk prek vetëm godinat e ngritura nga qytetarë apo biznese të ndryshme. Edhe godinat e institucioneve shtetërore, madje edhe vetë godina e ALUIZNI, rezulton të ketë kryer ndërtim pa leje. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame gjatë publikimit gjatë paradites së sotme, të procedurave të legalizimit të objekteve shtetërore, tha se në vend janë me qindra institucionet publike që kanë bërë shtesa apo ndërtime pa leje gjatë viteve të fundit. Duke e nisur me godinën e institucionit që ai drejton, ku në vitin 2008 tha se është bërë një shtesë kati, kreu i ALUIZNI-t shtoi më tej se mes institucioneve publike që ndër vite kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme ka disa institucione të rendit, arsimit, por dhe pushtetit lokal që kanë shkelur ligjin. Më tej kreu i ALUIZNI, Lame e konsideroi absurde këtë situatë në një kohë kur shteti kërkon që të respektohet dhe zbatohet ligji, ndërkohe është i pari, që e ka shkelur atë. Ai theksoi se shumë prej këtyre institucioneve nuk i janë përgjigjur as thirrjes së ALUIZNI-t për vetë-deklarim të tyre në mënyrë që të nisë procesi i legalizimit.
Në komunikimin e sotëm me mediat, Artan Lame, në përgjigje të interesimit të gazetarëve, përsëriti dëshirën dhe gatishmërinë për të qenë kandidat i së majtës në Tiranë. “Vazhdojnë ‘të më hanë duart për Tiranën”, por për kandidimin besoj se do të ketë një diskutim publik. Jam qytetar i Tiranës dhe dua të kontribuoj për të. Për këtë çështje do të ketë diskutime dhe brenda forcës sonë politike për të nxjerrë kandidaturat për Tiranën”, deklaroi Lame