Edhe ilaçet me pullë fiskale. Pritet rritje e çmimeve

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shtrenjtë për ilaçet, të cilat shumë shpejt do të pajisen me pullë fiskale nga koncesionari.

Qeveria ka miratuar një projektligj, qe tashme i ka kaluar Kuvendit per shqyrtim, i cili ndryshon marrëveshjen e koncesionit me kompaninë SICPA, duke i dhënë kompanisë monopolin edhe të pajisjes së ilaçeve me pulla. Deri tani këtë detyrim e kanë patur cigaret dhe alkooli.

Sipas projektligjit, i cili tashmë ka mbërritur në Parlament, kostoja i pullës fiskale për ilaçet do të jetë sa 2.4 për qind e çmimit me pakicë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptare do të paguajnë minimalisht 2.4 për qind më shumë për ilaçet nga momenti që kontrata e re të hyjë në fuqi.

Rritet çmimi

Pajisja e ilaçeve me pullë fiskale, ashtu si cigaret dhe alkooli ishte parashikuar që në kontratën fillestare të konçesionit të miratuar në vitin 2011. Por deri tani barnat nuk i janë nënshtruar këtij detyrimi, pasi fillimisht kjo u kundërshtua nga prodhuesit dhe importuesit e illaceve e më vonë rezultoi e pamundur teknikisht. Në atë kohë ishte parashikuar që kostoja e pullës të ishte 2.3 lekë për copë.

Ndërsa me ndryshimin e ri që ka mbërritur në parlament, ajo shkon në 2.4 për qind të çmimit me pakicë të çdo medikamenti. Çmimi i ri është dukshëm më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratën fillestare, të konçesionit me kompaninë SICPA, pasi shumica dërrmuese e medikamenteve e kanë çmimin më të lartë se 100 lekë.

Kjo do të thotë që kosto 2.4 për qind është dukshëm më e lartë se sa ajo fikse prej 2.3 lekë  dhe do të çojë në një rritje të konsiderueshme të çmimit që paguajnë qytetarët për barnat. Gjatë kohës që ishte në opozitë, partia socialiste e pati kundërshtuar koncesionin si korruptiv dhe që vjedh qytetarët. Në atë kohë madje premtoi anulimin e tij. Por koncesioni jo vetëm që nuk u anulua, por qeveria është duke rritur koston për qytetaerët, me qëllim që koncesionari të përfitojë më shumë.

SHKARKO APP