Edhe “Nënë Tereza” pedonale
Pas Sheshit “Skënderbej” edhe Sheshi “Nënë Tereza” do të shndërrohet tërësisht në pedonale për qytetarët.
Ekspertët e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës janë duke studiuar për mundësinë zhvendosjes së lëvizjes së automjeteve, pasi edhe në Sheshin “Italia” nuk do të ketë më makina.
“Hapi i parë është hapësira tek Sheshi Italia. Nis shumë shpejt tani investimi për një parking nëntokësor publik. Hapësira mbi parkimin publik do të jetë një hapësirë pedonale”, thotë Joni Baboçi, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.
Automjetet do të lëvizin përreth stadiumit “Qemal Stafa”, ndërkohe që në krah të Pallatit të Kongreseve do të hapet një tjetër rrugë lidhëse me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Jemi duke shqyrtuar dhe një mënyrë serioze është ai i hapjes së rrugës me Rektoratit dhe Pallatit të Kongreseve. Pra, një rrugë me një kalim dhe një korsi biçiklete. Njëkohësisht në sheshin Italia, qarkullimi të bëhet rreth e rrotull stadiumit, që u jep edhe akses parkimeve për stafin e lojtarët, por edhe parkimeve publike për banorët dhe qytetarët”, shton Baboçi.
Nga stadiumi “Qemal Stafa” deri në afërsi të Gardës është një tjetër mundësi ku mund të lejohet lëvizja e automjeteve.
“Duhet ruajtur një aks lëvizjeje mes stadiumit dhe hapësirës para Universitetit, që lidhet më pas me pjesën e Bllokut dhe pjesën e Gardës. Gjithashtu, duhet zgjidhur edhe si do të lidhet bulevardi me këtë sistem mobiliteti. A ka një unazë që shkon rreth e rrotull Sheshit Nënë Tereza, apo do të ketë një akses tek Presidenca që e lidh bulevardin me hapësirën e Gardës? Këto janë ende duke u studiuar, por qasja është që sa më shumë hapësira në Tiranë, pa patur një ndikim më të madh në përkeqësimin e trafikut, të gjenerojmë sa më shumë hapësira publike dhe sa më shumë hapësira pedonale për qytetarët”, deklaron Baboçi.
Por a do të ketë një tjeter parking nëntokësor në Sheshin “Nënë Tereza”, ashtu sikurse në Sheshin “Skënderbej”?
“Fakti që kemi një parkim nëntokësor tek Sheshi Italia e bën më pak flekzibël dhe më pak ekonomike që të ketë dhe një parkim pranë sheshit Nënë Tereza. Por duhet parë, sepse në rastin e ndeshjeve në stadium do të ketë një numër të madh automjetesh që do të vijnë e të parkojnë”, sqaron Baboçi.
/ TCh