Edi Rama, Njeriu i surprizave të mëdha
Nga Albina Gjergji
Ditën e diel e gjithë bota pa një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri, e cila përcolli në të gjithë kontinentet mesazhin e madh që NE JEMI BASHKË, myslimanë e të krishterë. Pavarësisht përkatësisë fetare, ngjyrës së lëkurës dhe bindjeve politike, me datë 21 shtator NE i treguam botës që reflektojmë qytetari, kulturë fetare dhe unitet kombëtar.
Nuk kanë kaluar as 48 orë nga vizita e Papa Françeskut dhe shija e mirë që Ai la tek ne është ende e freskët. “Shqiponja fluturon lart, por kurrë nuk e harron çerdhen e saj. Fluturoni lart me besimin në Zot”, kështu u shpreh ndër të tjera Shenjtëria e Tij, i cili mes mesazheve të shumta që dha, sidomos për të rinjtë nuk harroi të linte indirekt edhe porosi therëse për qeveritarët, që ndodheshin fare pranë tij në karriget përballë Altarit. Por, përtej kësaj, ajo çfarë kishte më shumë rëndësi ditën e diel ishte MESAZHI që ne i dhamë botës. Dhjetëra media botërore e pasqyruan vizitën e Papës si një ndër ngjarjet më të bujshme të ditës, në mos më e rëndësishmja. Papa Françesku e vizitoi Shqipërinë, ishin titujt në gjithë globin. U prit me ovacione dhe emocione të jashtëzakonshme nga mijëra të rinj, pelegrinë, myslimanë e të krishterë.
Askush nuk mund të thotë që kishte diçka që nuk shkonte ditën e dielë, sepse përtej çdo detaji tjetër të kuruar me delikatesë, siguria mbi të gjitha ishte maksimale e për këtë mbarëvajtje sigurisht që meritat i shkojnë qeverisë aktuale. Një organizimin perfekt, që binte në sy që në momentin kur Papa Françesku shkeli në tokën shqiptare e duke vijuar më tej tek sheshi, “Nënë Tereza” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbi 300 mijë qytetarë e prisnin, duke mbajtur në duar portretin e Tij në shenjë mirënjohjeje dhe respekti. Ishin katolikë, myslimanë, ortodoksë, bektashinjë… ateistë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Të gjithë kishin ardhur për Papën…
Ati i Shenjtë, sapo zbriti në Rinas iu drejtua Kryeministrit Rama që, “e mbajta fjalën!”, pra erdha në Shqipëri. Me një parapërgatitje shembullore, për t’u patur zili nga shumë vende ku shkon Papa, e iniciuar dhe e kontrolluar personalisht nga Edi Rama gjithçka ishte e organizuar në perfeksion nga të gjithë ata, të cilët punuan së bashku; Kisha katolike dhe kryeministri, por edhe nga bashkia e Tiranës. Të gjithë me synimin që ta nderonin Shqipërinë atë ditë. Edi Rama meriton, për çka bëri një falenderim të madh popullor, pasi ishte pikërisht ai që drejtoi ftesën zyrtare për ardhjen e Atit të Shenjtë në tokën e shqiponjave, i cili na bekoi, por edhe na fisnikëroi më shumë me mesazhet mbresëlënëse rreth Shqipërisë, sidomos në sytë e botës. Kishim nevojë si komb për këtë vizitë, për fjalët e Atit të Shenjtë, të cilin jo çdo komb ka fatin ta ketë vizitor të tij.
Shqipërisë iu bë një e mirë e madhe. Ndër të tjera edhe një super reklamë ndërkombëtare. Vizita e Papës patjetër që mund të konsiderohet një dhuratë e shenjtë, të cilën shqiptarët dhe qeveria Rama e trajtuan në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u bërë kështu pasqyrë e një shembulli pozitiv në gjithë globin. Ardhja e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut në vendin tonë dhe mbarëvajtja e këtij eventi madhështor ka bërë gjithashtu që Edi Rama të shikohet me tjetër sy edhe nga skeptikët e djathtë, të cilët deri ditën e djeshme i gjykonin deklaratat e tij në daljet publike si flluska sapuni. Në fakt, përveç mediave shqiptare e botërore, mjafton të bëhet një “zapping” nëpër rrjetet sociale e jo vetëm, për të kuptuar që gjatë vizitës së Papës kanë zierë komentet pozitive, në të cilët vlerësohej puna e Kryeministrit Rama dhe thjeshtësia me të cilën ai i prezantoi Papës Shqipërinë tonë, atë Shqipëri që si asnjëherë tjetër e bëri krenar për qytetarinë e treguar nga i gjithë populli.
Na pëlqen, s’na pëlqen Edi Rama në disa veprime, apo vendime, këtë radhë ai meriton notën dhjetë si kryeministër. Mbarëvajtja e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri padyshim që na bëri të ndjehemi të gjithëve dinjitozë.
Në fund të fundit ky është Edi Rama, njeriu i surprizave të mëdha!
(Shtator – 2014)