Edi Rama: Shkollat e mesme profesionale punësojnë, aq sa universiteti
Kryeministri Edi Rama i cili ka shpërfillur deri tani totalisht protestat për reformën në Arsimin e Lartë, pak orë pas një proteste të fundit ka zgjedhur të vizitojë një shkolle të mesme profesionale në Fier, ku edhe ka komentuar të ardhmen e arsimit në vend. Ai thotë se mori pjesë “Në një bashkëbisedim me nxënës dhe stafin pedagogjik gjatë përurimit të shkollës së rilindur profesionale “Petro Sota” në Fier, mbi rëndësinë e rritur që formimi profesional ka në tregun e punës. Ka nisur një kthesë e madhe në drejtimin e duhur dhe shifrat flasin qartë për peshën e arsimit profesional në punësim.”
Më tej kryeministri Rama, foli edhe për shifra konkrekte, që sipas tij, janë fryt i punës së kësaj qeverisje dhe punësimi që afrohet nga shkollat e mesme profesionale është i barabartë me atë të universiteteve. – “Këtë vit akademik është shënuar një numër 40% më i lartë në shkollat profesionale. Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës së INSTAT, shkalla e punësimit së atyre që përfundojnë arsimin profesional (65%) është thuajse e barabartë me shkallën e punësimit të atyre që përfundojnë universitetin (65.7%). Ndërkohë që shkalla e papunësisë për ata që përfundojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm është 24.3%, për ata që përfundojnë universitetin është 18.1% ndërsa për ata që përfundojnë arsimin profesional është vetëm 13%.”
Kryeministri Rama ende nuk ka preferuar t’i përgjigjet kundërshtimeve që i vijnë nga universiteti publik për reformën që është përgatitur nga qeveria e tij, mbi Arsimin e Lartë.