Edi Rama:Rimëkëmbja e sektorit të naftës
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetit për rimëkëmbjen e sektorit të hidrokarbureve:
Para pak se të vija këtu, isha në Panairin e Punës dhe e mbylla fjalën time me një shprehje, me të cilën dëshiroj të filloj këtë fjalë, një shprehje të Shën Franceskut të Assisit, i cili thotë: “Fillo duke bërë çfarë është e nevojshme që më pas të mund të bësh çfarë është e mundur. E papritur do të kuptosh se do të realizosh të pamundurën”.
E pra, çfarë kemi bërë deri më sot dhe çfarë do të bëjmë sot me nisjen e këtij operacioni rrënjësor dhe kapilar kundër grabitësve të pasurisë sonë kombëtare dhe kundër mashtruesve të konsumatorëve tanë, është pikërisht ajo që Shën Francesku porosit në fillim; E nevojshmja. Ajo, me të cilën fillon çdo operacion, që nga operacionet për të shpëtuar jetë, tek operacionet për të shpëtuar vende, tek operacionet për të shpëtuar ndërmarrje, tek operacionet për të shpëtuar sektorë apo struktura, të cilat gjenden në kushtet e pamundësisë për të bërë çka mund dhe duan të bëjnë.
Këto operacione janë pjesë e planit tonë, në radhë të parë, për të çuar më tutje një proces që pasoi natyrshëm ndaljen e hemorragjisë që ishte pjesa më e parë e mandatit tonë qeverisës. Ne e gjetëm vendin si një trup të shtrirë përtokë që kullonte gjak nga të gjitha anët, nga çdo organ vital, nga çdo sektor.
Nuk ka një sektor të jetës së vendit tonë, ku nuk mund të thuhet, se 18 muaj më parë, gjendja nuk ishte hemorragjike dhe sektori i energjisë, që është padyshim dhe zemra e ekonomisë dhe jetës së një vendi, ishte shëmbëlltyra më kuptimplotë e kësaj hemorragjie asfiksuese.
Njësoj, siç bëmë me energjinë, – flasim këtu për energjinë elektrike, sepse siç tha edhe ministri jemi përsëri në një operacion brenda sektori të energjisë, ku fillimisht u angazhuam për të ndalur hemorragjinë dhe pastaj filluam operacionin që vazhdon dhe do të vazhdojë, deri kur i gjithë organizmi të jetë gati për t’u vënë në lëvizje të plotë, në funksion të konsumatorit, – po bëjmë dhe sot me naftën.
Faktikisht, çfarë kemi bërë për të ndalur hemorragjinë; Në radhë të parë kemi marrë masat për të pasur në dorë instrumentet e nevojshëm për të qenë në gjendje që hemorragjia të ndalet. Instrumentet kanë qenë instrumente të atypëratyshëm, kontrolli, veprimi të menjëhershëm, ndalimi dhe ndëshkimi, por dhe instrumentet për procese më afatgjatë të natyrës ligjore dhe administrative. Sot, falë këtij vizioni të qartë dhe këtij plani të qartë ne kemi një bazë ligjore, mbi të cilën mund të thellojmë më tutje, me të cilën sapo kemi nisur.
Gjatë vitit 2014 u shënua momenti i kthesës, por nuk është kryer kthesa. Ka filluar. U rrit prodhimi i naftës bruto, me rreth 15 % në krahasim me një vit më parë, pra prodhimi vendas, pra u prodhua më shumë, u përpunua edhe më shumë në raport me 2013.
300 mijë ton në 2014, në raport me 60 mijë ton në 2013. Parashikojmë dyfishimin këtë vit. U arkëtua nga pagesat e rentës minerare një shumë prej 242 milionë dollarësh, pavarësisht uljes dramatike të çmimit të naftës, deri në vitin 2014. Nga marrëveshjet hidrokarbure në fushën e kërkimit u arkëtuan plot 200 milionë dollarë. Shifra, të cilat ishin të paimagjinueshme vetëm një vit më parë 2014-s.
Nga ana tjetër, 7 kompani kanë investuar rreth 300 milionë dollarë në sector. Sot ne edhe falë këtij procesi të 18 muajve të parë, kemi bërë një analizë të thellë të sektorit, analizë kjo e pamundur nga jashtë qeverisë, ashtu si e pamundur edhe analiza e borxhit nga jashtë qeverisë, sepse kur ishim jashtë qeverisë edhe ne si të gjithë shqiptarët, ishim përpara një perdeje të hekurt, që pengonte të gjithë informacionin, dhe kur hymë në qeveri peshqeshi i pare, që gjetëm aty si amanet nga ata që e lanë qeverinë, ishte një paketë borxhi prej 720 milionë dollarësh, që nuk figuronte në borxhin publik të regjistruar.
Në mënyrë shumë cinike, por dhe me një ligësi proverbiale, na thuhet sot se ne rritëm borxhin. Por, ne nuk e rritëm borxhin, ne vetëm legalizuam borxhin që gjetëm aty. Nuk e legalizuam për ndonjë arsye tjetër përveçse për të respektuar një parim që ka qënë parimi bazë, mbi të cilin ne kemi vendosur të qeverisim dhe mbi të cilin kemi kërkuar votën e shqiptarëve; që do të qeverisim me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.
Forca e shembullit në këtë rast është që qeveria nuk ka drejtë të sillet me kompanitë dhe me qytetarët si një forcë eprore që është mbi ligjin. Qeveria nuk ka të drejtë që kompanive t’u kërkojë punën në bazë të kontratave të nënshkruara me qeverinë dhe pastaj t’u thotë “ju gjejeni lekët ku të doni se unë lekët nuk jua jap”. Kështu, mbi bazën e asaj analize, ne jemi sot në kushtet kur kemi shlyer gjysmën e këtij borxhi. Po të mos ishin shpenzuar gjithë ato para e po të mos ishin shpenzuar gjithë ato të tjera për të shlyer borxhet e të shkuarës do ishim sot në kushtet kur të gjithë ato para do të vlenin për të bërë ato investime që na i kërkojnë sot në formë llogarie të gjithë ata që na i bënë sot të pamundura, sepse e gjetën Shqipërinë në mëngjesin e fitores sonë të zgjedhjeve, njësoj si një familje që një mëngjes zgjohet dhe gjen tek dera një tufë njerëzish që kërkojnë lekët që babai i ka lënë të tëra në bixhoz dhe duan edhe shtëpinë madje, sepse edhe shtëpinë e ka lënë në “ruletë”, ndërkohë që familjes i ka thënë “shiko sa mirë jetojmë ne, më mirë se gjithë lagjja”.
Kjo ishte Shqipëria që gjetëm ne, në të gjithë aspektet. Ne nuk mund të vazhdonim me të njëjtën rrugë që t’u kërkonim kompanive të vazhdonin të paguanin me lekët e tyre rrugët elektorale, që të vazhdonim t’i kërkonim qytetarëve të paguanin energjinë edhe për ata që vidhnin, t’i kërkonim fëmijëve tanë që nesër të na justifikonin nëse nuk do të kishte më asnjë copë territor të Shqipërisë, të ndërtuar pa leje e kështu me radhë.
Kemi filluar t’i promovojmë blloqet e lira të naftës në një formë krejtësisht të re dhe kemi vendosur një standard që do ta ndjekim deri në fund, duke bërë të mundur që kush do të vijë në Shqipëri për të eksploruar naftë, të jetë me emër të njohur dhe të respektuar botërisht, jo kështu siç ndodhi deri dje. Pasojat i kemi sot e gjithë ditën që fushat e naftës, pasuritë kombëtare u jepeshin fantazmave që më pas i shqyenin këto pasuri, duke i bërë Shqipërisë në këtë sektor, në tetë vitet e qeverisjes së shkuar, atë që asnjë armik nuk mund t’ja bënte dhe faktikisht nuk ja ka bërë. Ka pasur pushtues Shqipëria që ia kanë shfrytëzuar naftën dhe nuk ia kanë bërë atë shfrytëzim kriminal kësaj pasurie nëntokësore dhe nuk kanë lënë pas atë shkatërrim dhe nuk kanë prodhuar përditë atë shkatërrim mjedisor, përveçse atë shkatërrim gjeologjik që është prodhuar në tetë vitet e fundit të pushtetit të rrënimit.
Nga ana tjetër, rritja e përpunimit të naftës bruto në vend, nëpërmjet rritjes së investimeve për të përmirësuar teknologjinë përpunuese dhe dhënia fund e atyre baxhove, me demek rafineri, njësoj si ato të qumështit dhe të djathit, por të paktën ato shfrytëzojnë delet e tyre, kurse këta shkatërrojnë vende të tëra, për vite të tëra, duke prodhuar një produkt me cilësi skandaloze dhe me kushte skandaloze. Ne praktikisht kemi çelur një faqe të re në këtë sektor. Sigurisht që, edhe shifrat flasin. Ju e keni vërë re besoj që këtu kush merret me qeverinë përdor shifrat e veta, sikur shifrat të ishin mendime të lira, sikur shifra të ishin opinione demokratike që secili ka të drejtë t’i japë dhe me shifrat e veta na tregon ne se si Shqipëria është bërë më e varfër, se si Shqipëria është bërë më e pajetueshme, se si Shqipëria është bërë kështu dhe ashtu.
Ndërkohë që, ne jemi shumë të vetëdijshëm që Shqipëria që duam, Shqipëria e rilindur, Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë është ajo që do të bëjmë falë drejtimit të duhur që kemi zgjedhur. Ne sot nuk i japim shifrat dhe nuk flasim për rezultatet për të thënë se shqiptarët duhet të jenë të lumtur që na kanë. As se Shqipëria e 18 muajve më parë ndryshon si nata me ditën me Shqipërinë e sotme. Jo!
Ne i japim shifrat dhe flasim për rezultate për të thënë se nuk ka një sektor të vetëm ku hemorragjia të mos jetë ndalur apo është duke u ndalur dhe ku kthesa të mos ketë filluar të merret në drejtimin e duhur. Nuk ka një. E kjo është ajo që ka rëndësi sot. E nevojshmja që po bëjmë, për të bërë të mundurën, më pas për të realizuar së bashku atë që sot duket e pamundur për shumëkënd, por jo për mua; Shqipërinë që duam.
Janë bërë 110% më shumë kontrolle nga inspektorati qendror teknik, dyfishi i kontrolleve të vitit 2013. Janë vendosur 60 % më shumë gjoba për ata të tregtojnë naftë. Janë bllokuar 76 subjekte, por është shumë pak dhe kjo na ka sjellë këtu sot, për të bërë ekzaktësisht atë që bëmë në fundin e vitit të shkuar duke nisur nga kjo shkallë me sektorin e energjisë, bazuar mbi këtë moment ku kemi fillimin e një kthesë, por ende jemi larg së marruri kthesën që do ta marrim me forcë dhe me shpejtësi tani, siç e morëm në sektorin e energjisë elektrike. Më lejoni t’u them se ajo që nuk mund të ishte imagjinuar tetorin e shkuar, është realitet sot.
OSHE nuk është më një kompani që merr nga buxheti para për të ndenjur në këmbë.
Ndenjjen në këmbë e garanton me të ardhurat e veta sot. Por, ne nuk duam thjesht që OSHE të rrijë në këmbë. Ne duam që OSHE të shkojë më tutje dhe të kthehet nga një bandë e organizuar me sfond politik ku parkoheshin të gjitha burimet njerëzore të nivelit më të ulët të pushtetit të vjetër në një kompani dinjitoze me standarde ndërkombëtare që i shërben klientit, konsumatorit, dhe sigurisht edhe vendit tonë sepse është një kompani publike, ashtu siç ata që e paguajnë energjinë, kanë të drejtë që ta kenë shërbimin.
Për herë të parë këtë vit, falë atij mirëkuptimi të madh, falë asaj mbështetje fantastike të 300 mijë konsumatorëve, mbi treqind mijë në vetëm 4 muaj e gjysmë që nënshkruan marrëveshjet dhe pranuan të futen në kushtet kur kemi filluar investimet në këtë sektor. Investimet për të rimëkëmbur një rrjet shpërndarjeje që përfytyrojeni pak në 85% të vetën e ka datëlindjen në vitet ’70. Në 85% të vetën. Një makinë që ka bërë nuk e di se sa remonte kapitale dhe që ka 85% të saj prodhim të Fiat-it të viteve 70. Llogarisni tani se çfarë mund të kërkosh nga ajo makinë dhe ku mund të shkosh me atë makinë. Ata që na e lanë atë farë makine, na thonë pse nuk e keni rilindur atë tani që të bëjmë gara tek Formula Uno.
Ky operacion është ngritur mbi bazën një mekanizmi institucional ku përfshihen 4 ministri; Ministria e Ekonomisë, e Financave e Energjisë dhe e Brendshme. Ka në përbërje të gjitha institucionet që kanë lidhje me këtë sektor, me këtë treg, që nga institucionet kontrolluese tek institucionet fiskale e deri tek Policia e Shtetit. Policia e Shtetit do të jetë pjesë e këtij operacioni njësoj si me operacionin energjisë. Policia e Shtetit do të jetë aty për të garantuar deri në fund që kush kapet në shkelje të ligjit dhe në grabitje ose mashtrim të konsumatorit të ndëshkohet sipas ligjit.
Ky mekanizëm do të garantojë kryqëzimin e të dhënave në kohë reale sepse jemi të vetëdijshëm që kryqëzimi i të dhënave dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale është një nga problemet kryesore që duhet të zgjidhen dhe që mekanizmi i zgjidh. Do të garantojmë gjithashtu që ajo që ajo çka rezulton nga deklaratat e importit, që certifikohet për cilësi dhe që shënjohet në magazinat portuale, përpara se të dalë në qarkullim të jetë e njëjtë me atë që shitet, gjë që nuk ndodh, në një pjesë të madhe të rasteve. Ajo që shënjohet në magazinat portuale dhe që prezumohet të ketë cilësinë e duhur, nuk është e njëjtë me atë që shitet, sepse brenda futet lëndë, ai holluesit i famshëm, apo ku e di unë se ç’janë në gjendje të fusin shqiptarët, kur hyjnë në atë veprimin “inovativ” për t’ja futur tjetrit, atij që ia shesin, duke bërë një dëm kolosal. Dëm kolosal për ekonominë kombëtare, dëm kolosal për ekonominë familjare e atyre që automjetin e tyre kujtojnë që e ushqejnë me lëndën e duhur, në fakt e ushqejnë me lëndën e gabuar dhe në fakt pasi kanë investuar për atë automjet në vend që ta kenë për aq vite sa ua ka dhënë garancinë Mercedesi, apo secila kompani, por po marr Mercedesin sepse nafta jonë ka arritur të thyejë edhe garancitë e Mercedes-it, -dhe Mercedes-i që është automjeti më i garantuar sot në botë, sipas klasifikimeve, naftës shqiptare këtu nuk i reziston dot, këputet dhe bëhet ai Skodë brenda tre vjetësh, – por edhe dëmin kolosal që shkaktohet në mjedis, sepse djegia e këtij lloj produkti, të ashtuquajtur naftë në më të shumtën e herës, shpartallon njëlloj si Mercedes-in, edhe mushkëritë e shqiptarëve. Dhe, pastaj, duke garantuar që fatura tatimore, që ajo që shitet në fund të ciklit, me kupon, fatura tatimore të jetë plotësisht konform asaj që është shitur. Për këtë arsye, kryqëzimi i të dhënave mes Drejtorisë së Tatimeve, Inspektoratit Shtetëror dhe Metrologjisë, në mbikëqyrje të plotë të të gjithë sistemit, do të sigurojë që karburanti as të mos përzihet, as të mos reduktohet, sepse ka edhe reduktim të rëndë për shkak të gjithë këtij manipulimi.
Nga ana tjetër, kanë bërë një shpikje, ata që sot na kërkojnë llogari ne. Një shpikje që nuk e ka asnjë vend në Europë, që ndërkohë që pompat e karburanteve duhet të raportojnë online dhe të jenë të kontrollueshme elektronikisht, kanë futur edhe një pompë manuale, që është pompa rezervë dhe pika e shitjes mund ta përdorë nëse nuk i funksionojnë këto pompat e tjera. Parafytyrojeni vetë se ç’bëhet me atë pompën manuale, ndërkohë që nuk punon pompa elektronike, përdoret pompa me dorë. Përfytyrojeni se ç’bëjnë me pompën me dorë, ata të cilët mashtrojnë konsumatorët, mashtrojnë edhe tatimet dhe mashtrojnë shtetin mbarë. Kjo nuk do të ndodhë më. Pompat manuale janë të ndaluara. Nëse do të gjenden të tilla, do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë administrative dhe penale.
Çdo shitje do të raportohet online. Ne ndërtuam sistemin online, se ka shumë gjëra në këtë proces të ndalimit të hemorragjisë që kanë të bëjë me sisteme që duhen ndërtuar dhe që nuk janë të dukshme e të prekshme, nuk janë rrugë, rrugë, rrugë që njerëzit i shohin, por janë rruga e vetme për të ngritur sisteme që pastaj funksionojnë. Kështu që, çdo shitje raportohet direkt online dhe çdo shkelje e raportuar në shitje, përsëri do të ndëshkohet ashtu siç duhet.
Do t’i ashpërsojmë masat dhe përgjegjësinë penale, siç bëmë edhe me sektorin e energjisë, siç bëmë edhe me ndërtimet pa leje. Do të ashpërsohen duke vendosur penalitete shumë të rënda për çdo abuzues dhe duke ndjekur penalisht, sipas rastit, të gjithë ata që shkelin ligjin në kurriz të konsumatorëve.
Synimi i këtij operacioni nuk është thjesht të mbledhim të ardhurat, por është të mbrojmë drejtpërdrejtë të gjithë shqiptarët, që përdorin naftë. Dhe duke mbrojtur ata, të mbrojmë Shqipërinë nga përdorimi i një nafte që është jashtë standardeve dhe që kthehet në helm për mushkëritë e shqiptarëve. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të kuptohet që kjo është edhe një mbrojtje e drejtpërdrejtë e konkurrencës së ndershme dhe e pastrimit të fushës nga tentakulat e shtrira të një konkurrence të pandershme të ngritur në sistem, të cilës ne i kemi prerë disa koka, por jo të gjithë kokat. Prandaj tentakulat vazhdojnë lëvizin.
Do të veprojmë shumë fort për të sistemuar pas 20 e kusur vitesh rrumpallë, mënyrën sesi ngrihen, sesi funksionojnë pikat e karburanteve. Të gjithë ata që kanë kapërcyer kufirin e Shqipërisë me tokë e kanë të pamundur – të paktën pa kapërcyer ndonjë Oqean Indian, por të paktën me tokë, se matanë Oqeanit Indian edhe mund të ketë, – të tregojnë për qytete apo për vende që kanë këtë pamje skandaloze në rrugët kombëtare, ku në çdo kilometër shfaqet nga një pikë karburanti, a thua se Shqipëria është aerodromi nga duhet të ngrihen në një moment, të gjithë avionët luftarakë të NATO-s për të sulmuar, apo të gjithë raketat e botës për të shkuar në hënë. Një situatë çmendurake, me të cilën ne do të merremi shumë seriozisht. Për çdo pikë karburanti do të bëjmë edhe kontrollin e ligjshmërisë mbi bazën e së cilës janë dhënë ato leje, që në të shumtën e rasteve janë në kundërshtim të plotë me ligjin e Republikës së Shqipërisë, që ndalon ndërtimin në 20 metra në dy anët e rrugëve nacionale dhe që mbi të gjitha kërkon standarde të qarta për të penguar aksidentet, e kështu me radhë. Një nga punët e para të qeverisjes së re vendore do të jetë kjo. Sepse, tanimë kemi 61 bashki dhe jo afro 400 bashki dhe komuna. Ndërkohë që, kemi ndaluar shtimin e këtyre kërpudhave, do të bëjmë sistemin e tyre, ashtu siç duhet.
Së fundi, është me shumë rëndësi të kuptohet qartësisht se ky operacion, ashtu si operacionet e tjera nuk është një aksion me goditje të përqendruar, që fillon e mbaron siç mbaronin dikur aksionet me goditje të përqendruara. Ju kujtohen besoj ato aksionet që bënte CEZ-i, kur dilte drejtori me pinca në dorë e priste tela, si zakonisht në Kamzë dhe pastaj mbas tre ditësh aksioni mbaronte, drejtori kthehej në zyrë dhe vjedhja vazhdonte, sepse i kishim të tanët. Jo! Ky operacion do të vazhdojë njësoj si operacionet e tjera deri në fund. Ky operacion do të përfshijë siç edhe operacionet e tjera, edhe ju, të gjithë ata që brenda institucioneve janë pjesë e kësaj grabitjeje dhe mashtrimi, ashtu siç përfshiu një numër të konsiderueshëm punonjësish të OSHEE, që sot vuajnë heqjen e lirisë.
Nuk mundet dot që ky sistem të mbahet në këmbë, me kaq shumë mashtrim brenda, pa bashkëpunim me ‘diversantët’ e shtetit shqiptar. Kështu që beteja do të bëhet e baraslarguar, qoftë me mashtruesit e karburanteve, qoftë me ‘diversantët’ brenda shtetit shqiptar, që thithin nga pompat e tyre manuale. Që do të thotë që, kjo betejë do të garantojë të gjithë ata që në këtë sektor investojnë seriozisht, punojnë seriozisht, përfitojnë përmes punës të bazuar në ligj dhe kontribuojnë në arkën e shtetit shqiptar. Sepse asnjë operacion i yni, asnjë betejë e jona nuk është kundër të drejtës së sipërmarrjeve për të fituar më shumë. Përkundrazi, ne duam që çdo sipërmarrje të fitojë më shumë, sepse, në qoftë se sipërmarrjet nuk fitojnë më shumë, nuk ka më shumë për të tjerët, në qoftë se Shqipëria nuk bëhet më e pasur, nuk ka më shumë për ata që s’kanë, por këtë mund ta bëjmë duke garantuar konkurrencë dhe duke siguruar që secili të respektojë ligjin, që secili të fitojë atë që i takon, sipërmarrja atë që i takon, por sigurisht shteti atë që i takon.