Efektet sezonale, euro bie sërish nën 136 lekë

Ardhjet e emigrantëve dhe rritja e fluksit të turistëve në kulmin e sezonit të verës ka ndikuar në forcimin e lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 135.96 lekë, 0.15 lekë më pak se në fund të javës së kaluar, duke zbritur sërish nivelin më të ulët të 6 viteve, që u arrit në javën e fundit të korrikut.

Në rënie më të fortë ishte dollari, që u kuotua me 121.75 lekë, 0.3 lekë më pak se të premten e javës së kaluar.

Rënie të ndjeshme ka shënuar dhe paundi britanik, që këmbehet me 158.17 lekë, 0.81 lekë më pak se fundi i javës së kaluar.

Aktorët e tregut pohojnë se forcimi i monedhës vendase lidhet me faktorët sezonalë që ndikojnë gjithnjë në këtë periudhë. Së pari, gushti është koha kur në Shqipëri vijnë emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë dhe sjellin valutë. Së dyti, është shtuar dhe numri i turistëve të huaj që vijnë për pushime në Shqipëi, ku kryesojnë ata nga Kosova, por këtë vit vihet re numër i shtuar nga gjithë Europa.

Ndërsa rënia e fortë e paundit lidhet dhe me dobësinë e tij në bursat ndërkombëtare, që nga 23 qershori, kur Britani vendosi përmes një referendumi që të dalë nga BE.

Në bursat ndërkombëtare, dollari shënoi pak ndryshime gjatë ditës së sotme në 101.29 yen JPY= dhe jo shumë larg prej nivelit të rëndësishëm mbështetës, rreth 100.80.

Euro ishte e qëndrueshme në $1.1160 EUR= pasi ishte luhatur në kufijtë e $1.1050 dhe $1.1230 për dy javët e fundit.

Në rënie ka qenë stërlina, që ka rrëshqitur lehtësisht që kur Banka e Anglisë filloi lehtësimin e politikës monetare, duke qëndruar në $1.2926 GBP= dhe duke qenë afër nivelit të post-Brexit, që arriti në $1.2797.

SHKARKO APP