Efekti “Amnisti” i kushton 4.3 miliardë lekë buxhetit të shtetit

Amnistia e pjesshme fiskale që qeveria ka nisur ta ndërmarrë këtë vit pritet të sjellë në buxhetin e vitit 2017 rreth 4.3 miliardë lekë më shumë. Ministria e Financave ka programuar se ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, pritet të ketë efekte pozitive në të ardhurat për vitin 2017, rreth 2.1 miliardë lekë.

Ndërsa efektet e pritshme të projektligjit për faljen e një pjese të gjobave me kusht pagimin e detyrimit tatimor do të jenë rreth 2.5 miliardë lekë. Qeveria duket se është duke i dhënë dorën e fundit një projektligji që fillimisht u trajtua si amnistia më e madhe fiskle e ndërmarrë ndonjëherë në vend, por për shkak të kushtëzimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtarë, do të finalizohet si një falje e pjesshme e gjobave, raporton Monitor.

Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik me bujë të madhe nga financat, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti, do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme.

Në deklaratën e fundit për median, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka pohuar se nga janari i 2011-s deri në dhjetor 2014, do të përdoret instrumenti pak a shumë që FMN ka lejuar të përdoret në Kosovë, që është një lloj incentivimi, paguaj principalin që të hiqen interesat dhe gjobat. Po për periudhën deri më 31 dhjetor 2014, 2015, 2016 asnjë gjë nuk ndryshon, detyrimet e vëna, interesat e kalkuluara, të gjitha do të mblidhen me ligj është shprehur ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi tatimor është 1.4 miliardë dollarë, nga i cili rreth 350 milionë dollarë i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2011 (duhet të kemi parasysh që kjo periudhë ka pasur edhe falje të mëparshme). Pjesa tjetër, janë detyrimet e pas 1 janarit 2012.

Tashmë nuk ka më shpresë për faljen e një pjese të rreth 1.1 miliardë dollarë detyrimeve të pas 2012-s, siç u tha në korrik, përkundrazi, ato do të mblidhen me forcë.

SHKARKO APP