Egli, gjeniu 9-vjeçar i shkollës pedagogjike të Elbasanit

Në shkollën pedagogjike të Elbasanit mëson edhe një nxënës pak i veçantë. Ai është nëntëvjeçari Egli Malësia që shkon në klasën e tretë dhe dëftesën e ka me nota të shkëlqyera. Egli është diagnostikuar me autizëm kur ishte 1 vjeç e gjysmë, por shtatë vjet përkujdesjeje të vazhdueshme nga nëna dhe psikologët e qendrës së autizmit, kanë sjellë rezultate mbresëlënëse.

Nëna e tij, Greta ka një mesazh për të gjithë: “Mos hiqni dorë nga fëmijët tuaj autikë.”

Egli Malësia ka shumë ëndërra si çdo fëmijë dhe mendon se një ditë do të jetë astronaut dhe do të studiojë planetet. “Mua më pëlqen shumë matematika. Kur të rritem kam dëshirë që të bëhem austronaut. Më pëlqejnë planetet dhe di emrat e tyre,”­ lexon Egli në ditarin e tij.

Është në klasën e tretë në shkollën pedagogjike në qytetin e Elbasanit dhe ka rezultate të shkëlqyera. Egli ka lindur me zhvillim normal por, siç thonë prindërit, pas një vaksine në moshën 18­ muajshe ai ndryshoi dhe u diagnostikua me autizëm.

Egli ka frekuentuar për 7 vite qendrën e autizmit në qytet, vite që dëshmuan një zhvillim të vrullshëm të tij. Mësuesja që e ka ndjekur prej klasës së parë, thotë se vogëlushi paraqet tiparet e një djali të zgjuar, të shkathët dhe me vullnet për të studiuar.

Anila Kamami për oranews: “Kur erdhi në fillim ishte fëmijë i zgjuar, me inteligjencë të përparuar, mund të them mbi shokët e klasës por kishte probleme në sjellje, në qëndrimin në klasë, ishte i papërqëndruar, kishte dëshirë për tu arsimuar por ishte si ai zogu i trembur. Është si të gjithë të tjerët, nuk ndryshon fare. Është i dashur me shokët dhe shumë bashkëpunues.”

SHKARKO APP