Ekonomi: Cilësia në turizmin shqiptar, kusht për zhvillimin e tij

Zhvillimi dhe promovimi i turizmit dhe marrja e masave për sezonin që vjen ishin në qendër të takimit të zhvilluar mes Unionit të Operatorëve turistik Shqiptar (UOTSH) dhe ministres së Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.

Gjatë takimit ministrja Ekonomi bëri të ditur se aktet nënligjore të Ligjit të Turizmit që lidhen me vlerësimin e strukturave akomoduese, udhërrëfyesit turistik, operatorët turistik dhe agjencitë e udhëtimit do të ndikojnë në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë. Sipas kreut të Unionit, Rrahman Kasa sezoni i ardhshëm parashikohet të ketë një rritje turistësh me rreth 30% .

Një ndër çështjet që u diskutua në takim ishte edhe cilësia në turizmin shqiptar,si nj kusht për zhvillimin e këtij sektori. “Cilësia në turizmin shqiptar është një proces i cili kërkon një punë të përbashkët mes qeverisë dhe atyre që operojnë në këtë sektor. Ky proces nuk ka aspak si qëllim të penalizojë por shërben në arritjen e standardeve të duhura për strukturat akomoduese”, tha ministrja Ekonomi.

Gjatë takimit kreu i UOTSH kërkoi vijimin e traditës së zhvillimit të panaireve të turizmit. Lidhur me këtë u bë e ditur se në Qendrën Kombëtare të Panaireve janë shënuar në kalendar dy panaire për turizmin me karakter jo thjesht rajonal apo ballkanik por me një shtrirje në të gjitha shtetet e Europës. Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana International Tourism Fair, dhe Mediterranean Tourism Fair, do të jenë dy panaire që synojnë të kthejnë vëmendjen nga Shqipëria jo vetëm si destinacion turistik por edhe si një platformë ekspozimi për ofertat turistike të Europës.

Në kuadër të pormovimit të vendit tonë krahas shfrytëzimit të aktiviteteve kulturore ndërkombëtare për promovim, aplikimit të një formulari ose aplikacioni në doganë për regjistrimin statistikor për vizitorët-turistë etj u diskutua edhe hapja e një kanali televiziv shqiptar Travel.

SHKARKO APP