Ekonomi: Fluturimet direkte Hungari-Shqipëri rrisin bashkëpunimin

Shqipëria dhe Hungaria janë të gatshme të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik mes tyre, pasi nisja e fluturimeve direkte  Hungari – Shqipëri dhe anasjelltas nga kompania Wizzair, do t’i shërbejë këtij qëllimi.

Ky ishte qëndrimi i përbashkët mes Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi  dhe Péter Szijjártó ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të Samitit 16+1 të nivelit të lartë mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, në Riga të Letonisë.

Të dy ministrat gjatë bashkëbisedimit vunë re se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tregojnë rritje. Të dhënat për volumin e tregtisë në 2015 u rritën  me 41% krahasuar me 2014. Ndërsa në muajt e parë të 2016 u shënua një rritje me 26%.

“Aktualisht në Shqipëri, – tha ministrja Ekonomi, – operojnë 43 biznese hungareze, por ky numër duhet të rritet pasi Shqipëria është një vend plot mundësi në të bërit biznes”.

Ekonomi e vlerësoi si një zhvillim të rëndësishëm hapjen e zyrës së përfaqësimit nga “National Trading House i Hungarisë” në Tiranë, me qëllim eksplorimin e mundësive të reja të tregut dhe nxitjen e tregtisë së jashtme ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë.

Nisjen e fluturimeve direkte Budapest-Tiranë tremujorin e parë të 2017 nga kompania Wizzair, ministrja Ekonomi e quajti një zhvillim të rëndësishëm për dy vendet, që do t’i shërbejë bashkëpunimit ekonomik dhe turistik me përfitime të ndërsjella.

Të dy ministrat ranë dakord që takimi i Tetorit 2016 në Budapest ndërmjet bashkëkryetarëve të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Hungari, kryesuar nga zëvendës-ministrja e MZHETTS, Adela Karapici dhe Magyar Levente, Sekretar Shteti në MPJT të vazhdojë me një tjetër takim pune në Shkurt 2017.

Péter Szijjártó ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtinë në emër të Qeverisë Hungareze ritheksoi mbështetjen për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai theksoi se të dy vendet duhet të intensifikojnë bashkëpunimin mes vetë bizneseve dhe dhomave të tregtisë, përfshi promovimin në fushën e turizmit. Në takim Z. Péter Szijjártó u shpreh se Hungaria do të vijojë të mbështesë me bursa studimi 20 studentë shqiptarë.

Të dy ministrat diskutuan edhe për  organizimin e  “Javës së Trashëgimisë Kulturore” në vendet respektive, ku të përfshihen shfaqje të ansambleve popullore, ekspozita të kostumeve popullore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, artizanatit, kulinarisë, veglave popullore, sfilata të kostumeve tradicionale, prodhim filma dokumentarë me temë nga trashëgimia kulturore.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për vijimin e asistencës nga pala hungareze, për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të ujërave si dhe atë të aviacionit civil.

Në fund të takimit u ra dakord edhe për krijimin e kushteve të nevojshme për binjakëzimin e Krujës me qytetin Eger në Hungari.

SHKARKO APP