Ekonomi: Punësuam 50 mijë gra më shumë gjatë këtyre katër viteve

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputetet në qarkun Durrës, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi një takim me punonjësit e një biznesi fason në zonën e Shkozetit i cili merret me prodhimin e këpucëve dhe ku janë të punësuar 100 punonjës.

 Gjatë bashkëbisedimit me punonjësit e këtij biznesi, Ekonomi u shpreh se gjatë këtyre katër viteve qeveria ndërmori një sërë reformash për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ministrja Ekonomi u ndal veçanërisht tek gratë duke theksuar se gjatë këtyre 44 muaj të qeverisjes janë punësuar 50 mijë gra më shumë.

 “Gratë në Shqipëri janë një forcë e madhe shumë e rëndësishme për ta çuar vendin përpara, por ndërkohë duhet t’i njihet ky lloj fuqizimi, duke u dhënë atyre më shumë mundësi për punë. Janë punësuar 50 mijë gra gjatë këtyre katër viteve qeverisje, por ne synojmë që gratë të kenë mundësi jo vetëm të punësohen, por të marrin pagesa më të larta”, nënvizoi Ekonomi.

 Më tej, Ministrja e Ekonomisë bëri një prezantim të programit të Partisë Socialiste për katër vitet e ardhshme duke theksuar se në fokus të këtij programi është rritja e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ekonomi u ndal veçanërisht tek investimet e huaja ku u shpreh se ka një fluks të bizneseve të huaja të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për të ushtuar aktivitetit e tyre.

 “Gjithandej nëpër Shqipëri po bëhen punë të transformojnë jetën e shqiptarëve. Ky është viti i parë që ne kemi patur një fluks të madh të investimeve të huaja. Kompani të huaja nga vende të ndryshme po vijnë dhe po ngrejnë aktivitete këtu.Ju i thoni faleminderit sipërmarrësit tuaj, që ju sjell punë, duke marrë kontrata nga Italia, Gjermania etj. Dhe këto kontrata bëhen të mundura kur lehtësohet tregtia dhe tregtia lehtësohet kur ne bëjmë ligje më të mira. Dhe ky është qëllimi ynë, që jetën e shqiptarëve ta bëjmë më të mirë”, deklaroi Ekonomi.

SHKARKO APP