Ekonomi: T’i japim zë dhe zgjidhje shqetësimeve të konsumatorit

Në Ditën  Botërore të Metrologjisë, që është  festa vjetore e nënshkrimit të Konventës së Metrit më 20 Maj 1875 nga përfaqësuesit e shtatëmbëdhjetë kombeve, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi një takim pune në  Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë.

Petrit Rama drejtor i përgjithshëm i DPM-s i bëri ministres Ekonomi një panoramë të situatës së trashëguar tre vite më parë dhe atë që është sot falë këmbënguljes dhe pasionit me të cilin punojnë specialistët e këtij institucioni.

“Situata e gjetur në këtë drejtori ishte shumë shqetësuese, në drejtim të numrit mjaft të vogël të verifikimit të instrumentave, besueshmëria e konsumatorëve ishte në nivele të ulta. Kishte shumë ankesa nga qytetarët sidomos për instrumentat tek hidrokarburet dhe të parapaketimet etj. Menjëherë nga kjo drejtori  u bë organizimi i të gjithë qendrave rajonale, u kalibruan të gjithë instrumentat që përdoreshin nga metrologët, u vunë në efiçencë të gjithë autolaboratorët.  Rezultatet ishin të menjëhershme, duke u rritur numri  i verifikimeve të instrumentave matës me 11520 instrumenta krahasuar kjo me vitet 2011, 2012, 2013”- u shpreh Rama.

Drejtori i DPM-së  tha se në bashkëpunim me 4 sektorët e  shërbimeve: në Tiranë, Fier, Lezhë dhe Korcë në 2014-2015  u kryen gjithsej 4.440 kalibrime dhe 92.800 verifikime në terren.

Ministrja Milva Ekonomi pasi vlerësoi punën në këtë institucion u shpreh se: “Për sa kohë që bëhet fjalë për një shkencë dinamike siç është Metrologjia dhe për sa kohë flasim për teknologji të reja që vijnë në botë ju jeni ata që keni kërshërinë ti shikoni më përpara se gjithë të tjerët. E kështu duke qenë se punoni në një sektor ku shkenca është në praktikë ju keni shansin t’i rrisni diskutimet me homologët tuaj për të rejat e fundit të shkencës që vijnë në përdorim”.

Ministrja Milva Ekonomi kërkoi një promovim të mëtejshëm të shërbimeve që ofron kjo drejtori përmes laboratorëve modern instaluar në godinën e DPM-së në një sipërfaqe prej 5.000 m2.
“Është e nevojshme të shtohen aktivitetet për ta promovuar më tej Metrologjinë për të qenë më afër konsumatorit. Në kuptimin e dhënies së dijes konsumatorit për ato raste ku ne mund të ndërhyjmë kur konsumatori nuk ka fuqi të negociojë vetë duke bërë protestën e vet të zakonshme që malli që ka marrë nuk është i mirë. Ju duhet ti jepni zë shqetësimeve të konsumatorëve për problematikat që ata ndeshen për produkte të caktuara. Këtë duhet ta bëjmë më shumë për aq kohë sa kemi marrë përsipër ti japim këtë dije shoqërisë publike” theksoi  ministrja Ekonomi.

Ndërsa Metrologjia, shkenca e matjes, është aq e vjetër sa qytetërimi njerëzor dhe vazhdon të ndryshojë vazhdimisht, ajo vazhdon  përshpejtimin përpara e vazhdon të jetë dinamike, lind nevoja, tha ministrja Ekonomi, e bashkëpunimit rajonal.

“Ne jemi duke punuar për atë që njihet si “konektiviteti”. Duhet të bëheni gati për ta shtrirë bashkëpunimin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dhe Serbinë, në pasjen e një fryme më të mirë ndërveprimi, për të vënë në qendër shërbimin publik pasi jeni organizata që i shërbeni të mirës publike” u shpreh ministrja Ekonomi.

Më pas ministrja Ekonomi vizitoi laboratorët e kësaj drejtorie duke u njohur nga afër me proceset që kryhen në to.

Metrologjia shqiptare ndër vite

 Shekulli  XVII – Evidencat e para të shkruajtura datojnë në shekullin e XVII

1921 – Fillesat e metrologjisë moderne me ligjin bashkiak

1922 –  Ligji për adoptimin e Sistemit Metrik

1928 – Ligji për Masat dhe Sistemin matës

1946 – Ngritja e Drejtorisë për kontrollin e instrumentave matës

1993 – Ngritja e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit (DPMK)

2003 – Emri u ndryshua në Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM)

Info Dita Botërore e Metrologjisë

 Dita Botërore e Metrologjisë është festa vjetore e nënshkrimit të Konventës së Metrit më 20 Maj 1875 nga përfaqësuesit e shtatëmbëdhjetë kombeve. Konventa vendosi  kornizën për bashkëpunim botëror në shkencën e matjes dhe në kërkesat e saj industriale, tregtare dhe shoqërore. Qëllimi origjinal i Konventës se Metrit – Uniformiteti në mbarë botën e matjes – mbetet edhe sot po aq i rëndësishëm sa ishte dhe në vitin 1875.

SHKARKO APP