Ekonomia, çfarë u ofron politika shqiptarëve 4 vitet e ardhshme

Partitë kryesore në spektrin politik shqiptar nuk i kanë kursyer premtimet në fushën ekonomike gjatë fushatës aktuale zgjedhore. Po çfarë ofrojnë ato? Ajo që bie në sy është kryesisht ulja e taksave dhe shtimi i vendeve të punës.

Asnjeri nga subjektet kryesore të politikës nuk paraqet program investimesh, që do të ishin burim rritjeje reale, por paraqesin vetëm efekte të një rritjeje të supozuar, që nuk dihet shpjegohet nga askush se si do të arrihet.

Partia Socialiste
Pritshmëritë e Partisë Socialiste për rritjen ekonomike afatmesme variojnë në 5-5.5%. Kjo, pa dhënë asnjë shpjegim se si do të zëvendësohet efekti pozitiv i dhënë vitet e fundit nga investime madhore, të tilla si TAP apo HEC-et e Devollit, që kanë qenë elemente kryesore të rritjes ekonomike në këto vitet e fundit.
Në këtë fushatë, PS premton ulje të lehtë të barrës fiskale. Tatimfitimi parashikohet të lihet në nivelin e 15 përqindëve, ndërsa parashikohet që tatimi mbi dividendin të zbresë, nga 15% që është sot, në 6%. Po kështu, një premtim tjetër është ai që katër vitet e ardhshme do të ketë përshkallëzim të tatimfitimit për bizneset innovative, në 5%.

Po kështu, lidhur me tatimin mbi pagat do të vazhdohet me progresivitetin, vetëm se norma maksimale mendohet të zbresë, nga 23% që është sot, në 18%.
TVSH do të mbetet 20%, ndërkohë që vetëm në prill 2017, për herë të pare, TVSH u përshkallëzua në 6% për shërbimet e turizmit. Katër vjet më parë u premtua ulje e TVSH-së për energjinë apo ushqimet, po kjo nuk u realizua dhe as premtohet më.

Nëse do të jenë në pushtet mandatin e ardhshëm, socialistët premtojnë edhe 220 mijë vende pune të reja. Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se nga tremujori i tretë 2013 deri në tremujorin e parë 2017 janë shtuar neto 158 mijë vende pune.

Partia Demokratike 
Partia Demokratike, në linjë me politikën që ndoqi në mandatin e dytë të qeverisjes së saj (2008-2013), ka premtuar një ulje të thellë taksash. Tatimfitimi premtohet të zbresë në 9%, një pikë përqindje më ulët se niveli që ishte deri në vitin 2013. Taksë e sheshtë në 9% parashikohet edhe për tatimin mbi pagat, duke përjashtuar ata që kanë paga deri në 30 mijë lekë.

Por premtimi më i guximshëm është ai për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 15%. Që pas vitit 1997, kur TVSH u rrit, nga 12.5%, në 20%, niveli i saj ka mbetur i pandryshuar.

Ka patur në fushatë premtime të tjera si psh për heqjen e taksave për karburantin dhe uljen e taksës së punës, ndonëse për këtë të fundit nuk ka angazhim konkret.
Pavarësisht planeve ambicioze për ulje taksash, Partia Demokratike nuk ka një dokument zyrtar të shkruar të shpërndarë në shtyp, ose të publikuar në faqen e saj të internetit për programin ekonomik.

Ekspertët e saj pohojnë se nuk premtojnë punësim masiv me 200 apo 300 mijë vende pune, por në një rritje ekonomike prej 5%, pritet një zgjerim i vendeve të punës prej rreth 3% në vit.

Sipas objektivave të PD, rritja e të ardhurave parashikohet në 12%, por edhe këtu nuk kemi asnjë program konkret se si do të vijë rritja e PBB-së.

LSI
Nga ana e vet, Lëvizja Socialiste për Integrim i është bashkuar filozofisë së taksave të ulëta dhe e quan të dështuar politikën e ish-aleatit të saj socialist që në 2013-n rriti tatimfitimin e taksa të tjera. Në programin e saj parashikon tatimfitim me tri kategori: Bizneset që kanë një xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë do të kenë vetëm 5% tatimfitim (rritje e pragut nga 8 milionë lekë që është sot), ndërsa bizneset deri në 5 milionë lekë do të vijojnë të jenë të përjashtuar; bizneset që kanë një xhiro nga 20 milionë lekë deri në 100 milionë lekë do të kenë një tatimfitim 8%; bizneset që kanë një xhiro vjetore mbi 100 milionë lekë do ta kenë 10% tatimfitimin.

Ulje premtohet edhe për tatimin mbi pagën. Kufiri që nuk taksohet do të rritej nga 30 mijë në 35 mijë lekë. Për pagat 35 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, Tatimi mbi të Ardhurat Personale do të ishte 8% për diferencën; për pagat mbi 200 mijë lekë do të aplikohej 10% TAP. LSI i rikthehet uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, me përgjysmimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës (bukë, vaj, miell, sheqer, etj.) nga 20% në 10%.

LSI parashikon zgjerim të PBB-së me 8% për të arritur në rritje dyshifrore, shifër që duket e pamundur të arrihet.

Premtimet ekonomike të fushatës
PS

Rritje ekonomike                     5-5.5%

Tatimfitimi                          15%

Tatimi mbi dividendin                6%

Tatimfitimit për bizneset inovative 5%

Tatimi mbi pagat e larta             18%

Vende të reja pune                   220 mijë

PD 
Tatimfitimi                          9%

Tatimi mbi pagët                           9%

TVSH                                 15%

Vende të reja pune                   +3% në vit

LSI
Tatimfitimi                                       5% (xhiro vjetore deri në 20 mln lekë)
8% (xhiro 20-100 milionë lekë)
10% (xhiro mbi 100 milionë lekë) do ta kenë 10% tatimfitimin.

Tatim mbi pagën                          0% deri 35.000 lekë/muaj
8% deri 200.000 lekë/muaj
10% mbi 200.000 lekë

TVSH                                       10% për produktet bukë, vaj, miell, sheqer, etj

SHKARKO APP