Ekspertët: Ulja e pragut të TVSH, duhet mirëmenaxhim për të rritur arkëtimet
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë uljen e pragut në 2 milion lekë të përfshirjes në TVSH të bizneseve por ngrenë si shqetësim faktin se do të jetë më i vështirë administrimi. Ardian Civici shprehet se kjo masë ka qetësuar mikrobizneset të cilat do të prekeshin më shumë.Ndërkaq Sotiraq Dhamo deklaron se mbledhja e TVSH-së do të jetë e vështirë.
Ulja e pragut të TVSH-së në 2 milion lekë në vit duke përjashtuar një sërë biznesesh të vogla është pozitive.
Ardian Civici thotë se është e nevojshme që në këtë proces të ketë transparencë në mënyrë që të japë efektin e duhur në luftën kundër informaliteit.
Ardian Civici: Vlerësoj që është një hap pozitiv në gjithë këtë luftë apo ambjent që ne po mundohemi të krijojmë për të luftuar informalitetin dhe për të ruajtur formalizimin e ekonomisë por natyrisht nuk mund të jetë veprim i njëanshëm që ka të bëjë vetëm me mbledhjen e më shumë të ardhurave, vetëm me favore që mund të ketë biznesi i madh apo biznesi i formalizuar tashmë nga ky proces por është një proces i domosdoshëm.
Por për kontabilistin Sotiraq Dhamo kjo masë do ta vështirësojë administrimin e kësaj takse.
Sotiraq Dhamo: Nëse nuk shoqërohet kjo ulje e pragut ose me vendosjen e tatimit mbi fitimin e biznesit të vogël ose me një administrim shumë të mirë tatimor, unë kam dyshimet e mia mbi efektivitetin që do të ketë ulja e këtij pragu.
Përfshirja në TVSH e bizneseve me një xhiro mbi 2 milion lekë nga 5 milion që është aktualisht është një nga ndryshimet kryesore të paketës fiskale për 2018.
/Oranews