Eksportet në vështirësi, rënia 2% në tremujorin e parë

 

Eksportet në total shënuan një rënie prej 2% për periudhën janar-mars 2015, duke zbritur në 58.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara sot nga INSTAT.

Ndikimin kryesor në këtë tendencë rënëse e kanë dhënë shitjet shumë të dobëta të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë dhe performanca e dobët e tekstileve, ndërsa shpëtimtarët e eksporteve kanë qenë materialet e ndërtimit dhe makineritë e pajisjet. Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 30% në 14.3 miliardë lekë.

Ndikimin kryesor këtu e ka dhënë rënia e eksporteve nga ‘Bankers Petroleum’, si për shkak të çmimeve më të ulëta ashtu dhe të faktit që, gati 40% të prodhimit ‘Bankers’ po e shet në tregun e brendshëm. Shitje të dobëta kanë regjistruar dhe metalet e mineralet, këto të fundit për shkak të konjukturës së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare.

Pesha e këtij grupi, që deri një vit më parë ishte motori i eksporteve shqiptare, ka zbritur në 27%, nga rreth 35%, që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë shënuar një performancë të dobët, duke u rritur vetëm me 1.3%, në 21.8 miliardë lekë, ndrysh nga viti i kaluar kur kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n.

Aktorët e tregut e kishin paralajmëruar këtë situatë, teksa industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë. Tekstilet dhe këpucët kanë kaluar në grupmallin kryesor të eksportuar, me 37% të totalit.

Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë bërë kthesën duke u rritur me 36% në 10 miliardë lekë. Ky grup ka pasur si destinacion kryesor Italinë. Ky grup zinte 17% të totalit për tre mujorin. Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 82% në 3.6 miliardë lekë.

Sipas burimeve nga Doganat, eksportuesi kryesor i këtij grupi është kompania turke FMT, e cila monton gjeneratorë në Shqipëri dhe më pas i eksporton jashtë vendit, kryesisht në Itali. Gjithsesi, kjo kompani nuk është prodhues-eksportues i drejtpërdrejtë, por punon në fushën e materialit të porositësit për produktet industriale.

SHKARKO APP