Elbasani pjesë e Tourism Fair Albania 2026, prezantohet vizioni për turizmin gjithëvjetor
Ka nisur zyrtarisht panairi ndërkombëtar Tourism Fair Albania, ku Bashkia Elbasan merr pjesë me stendën e saj promovuese, duke sjellë më pranë vizitorëve pasurinë e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe natyrore të një prej qyteteve më me traditë të Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, në fjalën e tij theksoi se me krenari Elbasani prezanton vlerat e tij të spikatura, nga Kalaja simbol e qytetërimit ndër shekuj, rrugicat karakteristike, trashëgimia e arsimit dhe e zejtarisë, deri te peizazhet mbresëlënëse të Funarit, Gjinarit, e Shpatit.
Një vend të veçantë zë kulinaria tradicionale elbasanase, me gatime emblematike si tava e Elbasanit, ballokumet e Ditës së Verës, produktet e freskëta të fshatit dhe shijet autentike që përcjellin historinë e këtij qyteti.
Tradita e mikpritjes dhe tryeza e pasur e bëjnë Elbasanin një destinacion të dashur për çdo vizitor vendas e të huaj.
Sipas kryetarit, investimet e Bashkisë në rigjallërimin e qendrës historike, krijimin e hapësirave të gjelbra, promovimin e turizmit natyror dhe mbështetjen e sipërmarrjeve lokale po e kthejnë
Elbasanin në një model zhvillimi të qëndrueshëm, ku tradita, kultura dhe kulinaria bashkohen me vizionin modern për të ardhmen.
Në kuadër të Forumit të Bashkive, përfaqësuesit vendorë do të ndajnë eksperiencat mbi turizmin gjithëvjetor, marketingun strategjik dhe mënyrat për ta bërë Shqipërinë një destinacion edhe më konkurrues.
Stenda e Bashkisë Elbasan paraqet një udhëtim të plotë në identitetin e qytetit, trashëgimi, natyrë, kulturë, kulinari dhe traditë, duke pasqyruar vizionin për një Elbasan të hapur, mikpritës dhe të gjelbër.
Ju ftojmë të vizitoni stendën e Bashkisë Elbasan në Tourism Fair Albania dhe të zbuloni nga afër Elbasanin që duam!

KOHA JONË SONDAZH

