Elez Gjoza: Peshëngritësit tanë të pastër, grekët sabotuan edhe ekipin turk
Hysen Pulaku i pezulluar tetë vjet, Romela Begaj dy vjet dhe po kaq edhe Daniel Godelli. Të tre sportistët shqiptarë të Peshëngritjes Shqiptare vinin pas medaljeve që fituan në Botërorin e Kazakistanit, por fill pas këtij suksesi, ata i shoqëroi skandali i dopingut, që jo vetëm iu hoqi të drejtën e medaljeve por edhe të pjesëmarrjes në aktivitetet e ardhshme sportive. Kështu, sporti shqiptar para Lojërave Olimpike “Rio 2016” mori një goditje të rëndë, për shkak se shpresat më të mëdha për ndonjë sukses të Shqipërisë në Olimpiadën e Brazilit ishin më tepër tek të tre sportistët më të dalluar që përfaqësojnë edhe sportin më të suksesshëm për vendin tonë.
Për herë të parë pas zyrtarizimit të skandalit më të madh të historisë së Peshëngritjes Shqiptare, presidenti i kësaj federate Elez Gjoza, ngre dyshimet e tij rreth asaj që ka ndodhur me përgatitjet e sportistëve tanë në Greqi, para Botërorit të Kazakistanit. Ishin vetë sportistët që pas pezullimit fajësuan trajnerin Luan Shabani, dhe stafin mjekësor të vendit fqinj, për përdorimin e substancave të ndaluara. –“Ushqimi në Greqi vinte me katering, në çdo porcion kishte emrin e sportistit. Xhelozia është prezente ndërmjet federatave dhe ndërmjet shteteve. Unë them që një gjë e tillë është bërë me dashje dhe me qëllim. Mund të jetë abuzuar me kateringun e sportistëve tanë. Dua të shtoj se mjeku, që punon në Federatën greke, ka ndihmuar edhe ekipin turk dhe me të njëjtën substancë janë kapur edhe 11 sportistë të ekipit turk. Gjërat nuk janë rastësore”, tha Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Përpara garës sportistët morën garanci nga trajneri i tyre me origjinë shqiptare, por që përfaqësoi në karrierën si peshëngritës Greqinë, Luan Shabani, se ishin të pastër, por rezultatet e analizave treguan të kundërtën. Presidenti Gjoza sqaron se ka pasur vetëm një kontakt me trajnerin, që stërviti ekipin tonë në Athinë, Luan Shabani, i cili ka përjashtuar përdorimin e substancave të ndaluara nga vetë sportistët tanë. – “Unë i kam bërë prezent të gjitha gjërat, që nga dita e parë me takimin me Luan Shabanin, deri në daljen pozitiv të sportistëve. Po ju garantoj se Luan Shabani nuk ka shprehur absolutisht asgjë. Ai më ka garantuar vetëm një gjë, që sportistët nuk kanë faj, vetëm këto kanë qenë fjalët e Luan Shabanit”, shprehet më tej Elez Gjoza.
Arben Carkanji, Theodhor Maslavica, Ndriçim Pulaku, Muharrem Berisha janë anëtarët e Komitetit, nga Federata e Peshëngritjes Shqiptare, që pas skandalit, dhanë dorëheqjen dhe, sipas presidentit Gjoza, janë ata personat që vendosën e mbështetën vendimin për të çuar ekipin përfaqësues në Greqi, përjashtuar Ilir Kullën, ish-zv. president, që ka dhënë gjithashtu dorëheqjen. – “Kryesia ka statusin e vendimmarrjes dhe vendos për stërvitjen e ekipit kombëtar në Greqi. Jo rastësisht 4 anëtarë kryesie dhanë dorëheqjen. Unë e kam shumë të thjeshtë të jap dorëheqjen, është gjëja më e lehtë dhe akti më i thjeshtë që mund të bëj. Por unë jam nga ata njerëz që edhe kur rrëzohem di të ngrihem dhe të eci sërish përpara. Këta sportistë të mëdhenj do të thonë përsëri fjalën e tyre”, shprehet Elez Gjoza.