Embargoja ruse mbi grurin prek edhe Shqipërinë
Vendosja e embargos ruse mbi grurin pritet të japë efekte në tregun shqiptar duke rritur çmimin e bukës.
Vendimi hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe parashikon vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton grur.
Prodhuesit e miellit në Shqipëri shpjegojnë se kjo taksë do të rrisë kostot me 15% duke e dhënë efektin direkt në xhepat e qytetarëve.
Ndërkohë rritja e dollarit që është monedha me të cilën blihet drithi sipas tyre është një tjetër shtesë e kostos për këtë produkt i cili përdoret në masë nga qytetarët shqiptarë.
Shqipëria importon pjesën më të madhe të grurit i cili përdoret për miell nga Russia dhe kjo pritet të vërë në vështirësi industrinë e përpunimit të miellit.
Ndërkohë burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se ky problem po ndiqet nga afër dhe ditën e hënë Ministri do të diskutojë me prodhues të miellit për të gjtur një zgjidhje.
Sipas ministrisë gjetja e tregjeve të reja për importin e grurit është një prej zgjidhjeve që do ti jepet prodhuesve të miellit.
Por për vetë përfaqësuesit e kësaj industrie gjetja e burimeve te tjera për furnizim është e vështirë dhe do kohë.
Shiqpëria importon mbi 50 % të grurit nga Rusia dhe pjesën e mbetur nga Serbia e cila gjithashtu e importon grurin nga ky vend.
Rusia ka vendosur embargo për një sërë produktesh që eksporton si një kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura nga BE ndaj këtij vendi por edhe si një mënyrë për të frenuar inflacionin në këtë vend.
Embargoja e vendosur nga Rusia pritet të prekë një sërë vendesh europiane pasi është transportuesi i katërt më i madh i drithërave në botë.