Emblema e disidencës shqiptare

 

Nga Halil Rama

Vetëm tre vjet pas dekorimit nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “MJESHTRI I MADH”, vjen një tjetër titull nderi për aktivistin e të drejtave dhe lirive të njeriut, Besim Ndregjoni. Në kuadrin e 25-vjetorit të rënies së sistemit komunist në Shqipëri, Këshilli i Qarkut Tiranë nderoi misionarin e palodhur për dokumentimin dhe gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve nga regjimi komunist, Presidentin e Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Tiranë”. Është gjithashtu ky titull vlerësim për kontributin e rëndësishëm të zotit Ndregjoni si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë dhe për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist. Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ish-Presidenti Alfred Moisiu, deputetë, krerë të partive politike dhe ish-të përndjekur politikë të regjimit komunist nga Tirana, Dibra e Shkodra. Ndregjoni është shembulli i qëndrestarit, shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta. Ai ka të drejtë të krenohet për udhën që ka përshkruar gjatë gjashtë dekadave. Si askush tjetër, ai ka ditur të lërë gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës, gjurmë që duhet t`i ndjekin dhe pasardhësit e tij. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, për të cilat është e etur shoqëria jonë. I rritur dhe edukuar në një mjedis atdhetarësh, në Lukanin e Katër Grykëve, rrëzë Runjës hijerëndë e kreshnike, ai u bë shembull frymëzimi për bashkëkohësit, si udhërrëfyes i progresit dhe dinjitetit njerëzor. Ai në gjithë jetën e tij njihet si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshëm. Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbush mendjen për çdo gjë që mund të flasë. Një njeri tepër bujar, i thjeshtë si buka që ndante përnatë e përditë me miq nga më të ndryshmit në tryezën e vatrës së tij familjare. Është një ndihmëtar i pakursyer për të përcjellë nëpër shkolla dhe universitete të vendit, dhjetëra e dhjetëra djem dhe vajza të popullit, nga familje të burgosura e të persekutuara të regjimit komunist. Pikërisht këto vlera të tij i evidentuan gjatë fjalëve përshëndetëse, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Tasim Mema, kryebashkiaku i Peshkopisë, Ilir Krosi, Kreu i Shoqatës “Musine Kokalari”, z.Agim Musta si dhe Dr.Orhan Sakiqi.


Misionari vizionar u ka prirë zhvillimeve të rëndësishme

 

Emblema e disidencës shqiptare, Besim Ndregjoni, falë intuitës, inteligjencës dhe largpamësisë së tij ka ecur vrullshëm në jetën politike shqiptare të këtyre 25 viteve pluralizëm, duke u prirë zhvillimeve të rëndësishme.

Ai i përket atij brezi të vuajtur të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, ku vlera e njeriut ishte e papërfillshme dhe ku konstitutohej nga Kushtetuta diktatura e pakicës mbi shumicën. Ndregjoni vjen nga një  familje fisnike, e shquar në kontributet për shërbimet në drejtim të shoqërisë dhe kombit. Si familje fisnike u persekutua nga regjimi komunist; ai regjim i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes, dy, të tjerë i mbyti në hetuesi. Babain e tij Imer Ndregjoni e dënoi me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes ku nga torturat i çmendi në hetuesi kunatin (1982).  Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i tij luftoi me armë në dorë së bashku me Abaz Kupin kundra fashizmit në prill të vitit 1939. Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrejsh nga genocidi nazist. Me ardhjen e sistemit pluralist për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai i tij është shpallur “Qytetar Nderi i Selishtës Dibër” (2003).  Po ashtu, Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si luftëtar antifashist dhe për qëndresën ndaj regjimit komunist. Këshilli Bashkiak i Tiranës me rastin e 60-vjetorit të genocidit nazist mbi Hebrejtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, Rruga “Imer Ndregjoni” me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrejve gjatë okupacionit nazist. Gjatë kohës së regjimi komunist, atij iu privuan të drejtat dhe liritë themelore, ndër to e drejta e arsimimit, e punësimit. Gjatë atij regjimi, u caktua në bazë të një vendimi të pushtetit diktatorial, të punonte në punë të rënda në hapje tunelesh, dhe në vende të tjera, që sot konsiderohen si relike të diktaturës së komunizmit në vend, me detyrimin që të mos lëvizte, pa urdhër të pushtetit qendror. Por megjithë kalvarin e mundimshëm, dashuria për lirinë te ky njeri ka qenë e para, e përhershme dhe e përjetshme, i gatshëm për t`u flijuar dhe martirizuar edhe nën terrorin komunist.

 

Memoria historike e krimeve të komunizmit

 

Me përmbysjen e diktaturës komuniste, Besim Ndregjonin do ta shohim edhe një herë në vijën e parë të luftëtarit të lirisë. Gjatë viteve të pluralizmit, Besim Ndregjoni ka dhënë një kontribut të çmuar për dokumentimin, publikimin dhe memorien historike të krimeve të komunizmit. Mbrojtës i zjarrtë i kauzës së të përndjekurve politikë, duke qenë një oponent i vazhdueshëm ndaj pushtetit politik për integrimin dhe rehabilitimin e pasojave dhe traumave të  kësaj pjese të shoqërisë shqiptare. Ndregjoni shfaqet edhe në shtypin e përditshëm si publicist, me artikuj të shumtë që pasqyrojnë kalvarin e mundimeve të një luftëtari të lirisë dhe nëpërmjet veprës së tij ne njohim kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve të shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Dhe në këtë mënyrë, ai na shfaqet si shembulli i njeriut që ndjen detyrën ndaj atdheut dhe se si duhet ta bëjmë këtë detyrë, duke kapërcyer çdo vështirësi që na del përpara. Ai bën një paraqitje historike të fakteve të rënda të persekutimit komunist, botkuptimit dhe filozofisë së pakuptueshme që udhëhoqi Shqipërinë për katër dekada, duke nisur që prej viteve ’40 e deri në fillim të viteve ’90. Ndregjoni analizon në mënyrë të drejtpërdrejtë diktaturën shqiptare si një nga më të ashprat dhe pa asnjë element të përbashkët me pushtetet komuniste në Evropën Juglindore, duke mbajtur konstant genocidin mbi kundërshtarët e saj – të Përndjekurit Politikë shqiptarë, që kaluan një kalvar vuatjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimesh të pakrahasueshme në asnjë shoqëri të Evropës Juglindore. Në përditshmërinë e jetës zoti Besim Ndregjoni është një nga figurat më interesante, si përfaqësues i elitës intelektuale dibrane dhe mbarëshqiptare. Në miqësi me dijen, si simbol i mençurisë e diturisë, ai besoi dhe dëshmoi me vepra se njeriun në jetë e mban vetëm dija.

 

Pjesëmarrës dhe referues në dhjetra konferenca ndërkombëtare

 

Bashkëvuajtësit vlerësojnë aktin e z.Ndregjoni kur si ish Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ish të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, u larguat nga ky institucion në shenjë  proteste ndaj Qeverisë për mos dhënien e dëmshpërblimit të ish të  përndjekurve  politikë. Ata evidentojnë bashkëpunimin e kreut të tyre me institucionin e Avokatit të Popullit të Danimarkës dhe Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës për zbatimin e konventave ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Shqipëri. Por Besim Ndregjoni ka dhë një aktivitet intensiv në organizma prestigjiozë ndërkombëtarë. Më 25 janar 2008  ka referuar në Senatin Francez Paris, ”Familjet fisnike Shqiptare në mbrojtje te Hebrenjve”. Tre ditë më pas ai  referon ne  selinë e OKB-së në New York “Fisnikëria e familjeve shqiptare dhe  humanizmi  i tyre  për  shpëtimin e jetëve të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore”.

Është pjesëtar dhe referues i delegacionit shqiptar në Konferencën ndërkombëtare organizuar në Berlin- Gjermani me  temë: “Eksperienca gjermane domosdoshmëri, në dokumentimin e krimeve të komunizmit”.

Nën devizën “Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi”, themeluesi dhe drejtuesi i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, insiston në kërkesën që mazhoranca aktuale të bëjë ndarjen nga e shkuara komuniste, të dënojë krimet e komunizmit. “ Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi dhe jo hakmarrje siç e përdor politika shqiptare, sepse vetëm kështu mund t’i japim vendit një të ardhme të sigurte demokratike dhe europiane”,-shprehet zotiNdregjoni. Për këtë kalorës të fjalës së lirë, të përkushtuar maximalisht në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore, u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Nderi i Qarkut të Tiranës, nga Këshilli i Qarkut të kryeqytetit, ndërkohë që qindra pjesëmarrësit nga institucionet qëndrore e vendore  ndoqën me interes të jashtëzakonshëm dhe dokumentarin “Misionari i palodhur në dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive civile të përndjekurve politikë”, përgatitur nga gazetari i mirënjohur i RTSH, Defrim Methasani.

SHKARKO APP