Emigrantët, ja si njihen vitet e punës dhe marrja e pensionit

Nga Naim Balluku.

E migrantët shqiptarë në Itali përfaqësojnë komunitetin më të madh pas atij maroken me 498.500 individë. Krahas pjesës aktive të emigracionit, ku të punësuarit përbëjnë gjithsej 250.341 të numrit të përgjithshëm të emigracionit shqiptar, janë edhe emigrantë të moshuar. Ashtu sikurse dihet në mbi 20 vite emigracion, një pjesë e emigrantëve ka arritur në moshën e tretë, ndërsa si rezultat i bashkimeve familjare, këtij kontingjenti i janë bashkuar edhe të moshuar të tjerë. Nisur nga këto fakte, rezulton se rreth 6.6 për qind e numrit të përgjithshëm të emigrantëve janë në një moshë mbi 60 vjeç. Në këtë mënyrë rreth 15 deri në 20 mijë emigrant shqiptarë, kanë plotësuar moshën 65 vjeç. Po të kemi parasysh se për të përfituar pension pleqërie sipas legjislacionit italian, personi duhet të ketë jo më pak se 20 vite vjetërsi kontributive, rezulton se të paktë janë ata persona që mund të përfitojnë pension në Itali. Kjo lidhet dhe me faktin, se emigracioni shqiptar që ka filluar pas vitit 1990, është relativisht i ri, dhe e bën tepër të vështirë plotësimin e kësaj vjetërsie kontributive. Nga shifrat e publikuara në vitin 2014, rezulton se trajtohen me pensione në Itali vetëm 2 518 pensione, (një shifër mjaft e ulët krahasuar me komunitetet e tjerë). Në këtë regjistër përfshihen pensionet e invaliditetit që janë të shumta për shkak të punëve të vështira që bëjnë emigrantët shqiptarë, pensionet familjare (në rast humbje jete të familjarit ) dhe pensionet e pleqërisë. Në legjislacionin italian, si amortizator social, për të ndihmuar ata persona që rezultojnë pa të ardhura, apo me të ardhura të ulëta për të përballuar jetesën, u jepet pagesa sociale ose siç quhej pensioni social, term që shpesh përdoret dhe sot nga përfituesit.

Ç’është pagesa sociale ?

Pagesa sociale paguhet çdo muaj nga INPS, dhe ka zëvendësuar pensionin social nga 1 janari 1996. Është një e ardhur ekonomike që lind pavarësisht nga derdhjet e kontributeve të detyrueshme, për ata qytetarë që nuk kanë të ardhura të tjera për të mundësuar mbijetesën. E drejta për pagesë sociale u lind personave që plotësojnë kërkesa specifike, ose që hyjnë në kufijtë e përcaktuar të të ardhurave, që ndryshojnë në varësi të faktit, që kërkuesi është i martuar ose jo, dhe që çdo vit INPS komunikon publikisht me kërkesat personale të aplikantëve. Pagesa sociale, gjithashtu nuk është objekt i zbritjeve tatimore për të ardhurat dhe jepet gjithmonë në mënyrë të përkohshme pasi instituti do të ketë verifikuar çdo vit plotësimin e  të ardhurave dhe vendbanimin aktual të qytetarit aplikues. Tjetër karakteristikë a pagesës sociale, është që në ndryshim  me lloje të tjera të pensionit, nuk mund të jepet në favor të trashëgimtarëve, në rast të vdekjes të mbajtësit. Po ashtu, kjo e ardhur është e lidhur me rezidencën në Itali dhe humb, në qoftë se personi largohen nga Italia. Pagesa sociale pezullohet kur personi përfitues qëndron jashtë Italisë më shumë se 30 ditë. Pagesa sociale për vitin 2016, u jepet të gjithë qytetarëve italianë, komunitarëve dhe ekstrakomunitarëve në zotërim të një leje qëndrimi në BE për një periudhë të gjatë.

Aplikimet

Kërkesat për të bërë aplikimin  për pagesë sociale janë 3 lloje dhe bëhet sipas kushteve që po i përmendim më poshtë. Kërkesa personale: Mosha 65 vite e 7 muaj, (rritja e moshës për 3 muaj për gratë dhe burrat, është përcaktuar nga Reforma Fornero mbi pensionet, bazuar në principin e koeficientit të jetëgjatësisë). Kërkesa e rezidencës: Kanë të drejtë për pagesë sociale për vitin, të gjithë banuesit efektivisht në mënyrë të përhershme në Itali. Nga 01 janari 2009, për të lindur e drejta e pagesës sociale, si një kërkesë shtesë, është domosdoshmëria për të pasur një qëndrim të ligjshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme në Itali, për jo më pak se 10 vite. Kërkesa e të ardhurave: Pagesa sociale, si një formë e të ardhurave asistenciale, u jepet të gjithë qytetarëve pa të ardhura, ose që kanë të ardhura në një shumë më të vogël se kufiri i përcaktuar në ligj. Limiti i të ardhurave për 2016 për pagesën sociale është 5830.76 euro në vit. Aplikimi për pensionin social duhet të dërgohet në rrugë telematike, duke përdorur shërbimet online të INPS, në rast se disponohet PIN, ose duke telefonuar në numrin e gjelbër 803 164 pa pagesë, ose nga një telefon fiks 06164164. Aplikimi mund të bëhet edhe nëpërmjet patronateve si ndërmjetësues të INPS pa pagesë.

Sa është shuma e pagesës sociale?

Pagesa sociale për vitin 2065 duke marrë parasysh indeksimin e pensioneve për vitin 2015 nga ISTAT që është vlerësuar e 0.3 për qind, bëhet kështu 448.52 euro. Masa e plotë e pagesës sociale miratohet nëse personi është brenda kufijve të ardhurave të fiksuara me ligj, të publikuar çdo vit nga INPS në janar të çdo viti, e cila për vitin 2015 është e barabartë në 5,830.76 euro në vit. Në këtë mënyrë pagesa nga 447,17 euro që ishte në vitin 2014, u rrit në 448,52 euro në muaj për 13 muaj dhe kështu kufiri i të ardhurave është i barabartë me 5,830.76 euro në vit, ndërsa për pensionet sociale të paguara për mbajtësit që trajtohen para datës 31 dhjetor 1995, do të jetë deri 369.63 euro në muaj. Pagesa sociale 2016 paguhet nga INPS, duke filluar nga dita e parë e muajit të ardhshëm, në të cilin është paraqitur moduli i aplikimit sipas të gjitha kërkesave ligjore të përcaktuara, në moshë 65 vite e 3 muaj, shtetësia, rezidenca aktuale dhe qëndrimi i përhershëm në Itali, si dhe kërkesa e të ardhurave.

Kriteret/Përfitimi, si llogariten të ardhurat

Pagesa sociale jepet bazuar në shumën e të ardhurave personale, dhe në rast se personi është i martuar merren parasysh të ardhurat e përbashkëta me bashkëshortin. Pagesa sociale mund të llogaritet në një vlerë të plotë ose reduktuar. Kanë të drejtë për masë të plotë të gjithë personat e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur dhe të martuarit që kanë të ardhura familjare më të vogla se 5.830,76 euro në vit. Ndërkohë, kanë të drejtën për pagesë të reduktuar personat e pamartuar që kanë të ardhura më të vogla vjetore se pagesa sociale dhe personat e martuar që kanë një të ardhur familjare më të vogël se dyfishi i shumës vjetore të pagesës që kap një shumë 11.661,52 euro. Të ardhurat që përfshihen Konsiderohen të ardhura të aplikantit dhe të bashkëshortit; të ardhurat neto që trajtohen nga taksat dhe sigurimet shoqërore, të ardhurat e përjashtuara nga tatim-taksat, të ardhurat që i nënshtrohen tatimit në burim, (për shembull,  fitimet në lojëra, konkurse edhe kur paguhen nga shteti, apo nga subjektet publike dhe private), të ardhurat subjekt  i taksave zëvendësimin: interesave postare dhe bankare, BOT (Buoni Ordinari del Tesoro  ) bono thesari, letra me vlerë të tjera të ardhura qeveritare, premio dhe të ardhurave të tjera në obligacionet, ose të ngjashme të lëshuara nga bankat dhe zyrat postare. Gjithashtu, për përfitimin e pagesës sociale përfshihen edhe të ardhurat nga prona, pensionet e luftës, pagesat periodike nga INAIL (Instituti Nacional i Invalidëve të Punës), pensionet e drejtpërdrejta nga jashtë, pensionet dhe pagesa invaliditeti (civilë, të verbër e të shurdhër) e të ardhurat ushqimore. Nëse një emigrant shqiptar në Itali, përfiton pension në Shqipëri, apo të ardhura të tjera, për shembull nga prona, këto të ardhura do t’i zbriten nga pagesa sociale. Shpesh herë ka ndodhur që disa emigrantë duke e konsideruar si pension, kanë ardhur në Shqipëri, duke humbur kështu të drejtën për përfitimin e kësaj të ardhure. Duhet theksuar se, përfitimi i pagesës sociale është i lidhur drejtpërsëdrejti me mbajtjen e rezidencës në Itali. Nuk mund të largohen më shumë se 1 muaj, për të cilën duhet ta deklarojnë pranë komunës ku banojnë.

SHKARKO APP