Emrat “Vip” që mbetën jashtë parlamentit të ri, “paralelizohet” PD-ja
Kur procesi i numërimit po i afrohet fundit dhe KQZ të shpall rezultatin final duke zbuluar se cilët do të jenë deputetët e rinj të parlamentit të ardhshëm, që do të presë 140 ligjëvënës. Por këto zgjedhje ku çdo votë bën diferencën, ka lënë jashtë kuvendit një sërë personazhesh të cilët për vite me radhë kanë qenë protagonistë në skenën politike në vend. Goditjen më të madhe e ka Partia Demokratike.
Ben Blushi dhe LIBRA e tij nuk arritën dot të hynin në Parlament, edhe pse morën rreth 20 mijë vota. E për këtë, Blushi me anë të një statusi në Facebook i mori përgjegjësitë vetë. “Kanarina nuk hyri dot në minierën e qymyrit megjithëse fluturoi”, shkroi Blushi në profilin e tij.
Përpos rezultatit dërrmues të PD-së në rang kombëtar, me vetëm 43 mandate, listës fituese të partisë do ti mungojnë figura të rëndësishme si Arben Ristani dhe Dashamir Tahiri në Vlorë, Agron Duka në Durrës, Gert Bogdani në Tiranë, Gjok Uldedaj në Shkodër, Preç Zogaj në Lezhë, Astrit Veliaj në Berat, apo Roland Bejko në Gjirokastër.
Nga lista e PS-së, fitues nuk kanë dalë Spartak Brako dhe Milena Harito në kryeqytet si dhe Safet Gjici në Kukës.
Në Tiranë fletët e votimit po shihen me lupë, pasi parlamentit pritet ti mungojnë për herë të parë edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda. Ndërsa nga LSI bie në sy emri i Sokol Dervishajt. Edhe në listën e Partisë Socialiste janë të paktën 3 emra që me këto rezultate nuk do të jenë deputetë.