Qendra Kombëtare e Biznesit: Ja si do funksionojë një sportel për gjithë shërbimet

Flet Vasilika Vjero, drejtore e përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit

Puna për krijimin e kësaj qendre të vetme ka nisur që në vitin 2014. Parashikohet që në tërësi, reforma për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri të përfundojë plotësisht në vitin 2017. Kjo reformë vjen në kuadër edhe të angazhimit që qeveria shqiptare ka marrë në atë që njihet si plani i masave i vendeve të Europës Juglindore (SEE2020 National Action Plan) për integrimin drejt tregjeve globale. Qeveria shqiptare është asistuar nga GIZ për krijimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit e cila do të mbështetet në pjesën më të madhe te shërbimet elektronike.

***

Qendra Kombëtare e Biznesit sapo ka nisur të funksionojë, si do të ndikojë në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes?

Qendra Kombëtare e Biznesit tashmë është funksionale dhe në të përfshihen në një sportel të vetëm regjistrimi, licencimi dhe lejimi i biznesit. Kjo qendër, përveç zyrave të saj qendrore, do të ketë një shtrirje më të mirë në territor me 33 zyra, si pranë njësive vendore, ashtu edhe pranë dhomave të tregtisë ku ka marrëveshje bashkëpunimi, siç është rasti i Durrësit. Për herë të parë, ne kemi krijuar edhe një zyrë informimi dhe asistence që do të ketë për qëllim të ndihmojë çdo aplikant ose biznes përpara sesa ai të ndërmarrë një veprim për regjistrim dhe licencim. Natyrisht nuk është detyra e kësaj zyre që të ndihmojë në përpilimin e aktit të themelimit, pasi ne nuk kemi target. Në të do të bëhet vetëm informimi dhe do të sqarohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe licencimin, si për kostot, proceset etj. Aplikantët mund të kontrollojnë edhe statusin e tyre nëse s’kanë mundësi që ta bëjnë online ose të presin fizikisht radhën në sportel. Kjo ka qenë edhe një kërkesë e artikuluar nga komuniteti i biznesit. I gjithë informacioni gjendet edhe në sportelet tona elektronike, si në regjistrin tregtar, ashtu edhe në atë të licencave.

Si reduktohet koha për biznesin në realizimin e këtyre procedurave?

Kjo është faza e parë e krijimit të këtij sporteli unik dhe jemi duke konsultuar të gjitha procedurat e licencimit. Ne jemi duke punuar për të paraqitur disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Hapi i parë është ai i aplikimit të menjëhershëm për regjistrim dhe pajisje me licenca të kategorisë së parë dhe të dytë. Këto janë licenca që jepen drejtpërdrejt nga QKB. Në rast se një biznes vjen për t’u regjistruar dhe për të bërë një ndryshim, ai menjëherë mund të bëjë edhe aplikimin për licencë, duke i përfituar të dyja pa qenë e nevojshme të paraqitet sërish në sportel. Kjo vlen edhe për kategorinë e dytë, ndërsa kategoria e tretë e licencimeve jepet me ndërmjetësimin e institucioneve të tjera. Në lidhje me këtë kategori ne do të bëjmë një vlerësim më të gjatë në kohë, për të parë mundësinë e reduktimit të proceseve dhe afateve.

Në planet afatgjata, është edhe rishikimi i autorizimeve. Edhe pse është miratuar vitin e kaluar në ligjin “Për lejet dhe licencat” nuk ka nisur zbatimi, pasi duhet që të konsolidohen aktet nënligjore. Ka përpjekje nga Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, si ato të linjës për ta përmbushur këtë reformë, por me shumë gjasë do të shkohet drejt procesit të riinxhinierimit, çka do të thotë se të gjitha autorizimet që do të jepen nga

QKB-ja apo institucionet e tjera do të vlerësohen një për një. Ne synojmë që të shkurtojmë në maksimum kohën e pritjes për të marrë një autorizim. Kjo vlen edhe për kostot.

 A ndryshojnë kostot e shërbimeve që ofrohen nga QKB?

Te lejet dhe licencat tarifat që paguhen pranë QKB-së nuk kanë ndryshuar. Shërbimi online gjithashtu do të vijojë që të ofrohet pa pagesë. Ne mendojmë që të mos ketë rritje të kostove, pasi nuk është qëllimi ynë që të shtojmë barrën.

Kur do të mund të flasim për mundësinë e reduktimit të lejeve dhe licencave?

Synimi fillestar për të cilën u krijua QKB-ja është sporteli me një ndalesë për proceset: regjistrim, licencim, lejim dhe autorizim. Në fazën afatshkurtër ne do të prezantojmë edhe një reduktim në procedura dhe afate, si dhe regjistrim dhe licencim të njëkohshëm për grupe të caktuara licencash. Në një periudhë më afatgjatë natyrisht që do të mund të adresohet edhe reduktimi i numrit. Megjithatë, fokusi ynë do të jetë fusha e autorizimeve, që do të jepen nga QKB, por edhe nga institucione të tjera. Ka kërkesa të larta nga biznesi për t’u pajisur me autorizime në një kohë të shkurtër. E gjithë kjo kërkon standardizim të proceseve.

Duhet të theksojmë se kjo reformë është duke u realizuar me buxhetet e parashikuara për këtë institucion nga qeveria dhe nuk ka kosto shtesë. Në momentin e bashkimit të dy institucioneve ne jemi ndihmuar me këshillim nga GIZ, gjë e cila vazhdon aktualisht. Megjithatë, ne jemi duke parë gjithë proceset dhe ku do të jetë e mundur për të ndërhyrë, ne do ta bëjmë për t’i bërë sa më efektive për biznesin.

E ndërsa flasim për lehtësim të regjistrimit, biznesi, veçanërisht ai i madh, ankohet për zgjatje të procedurave për mbylljen e aktivitetit, çfarë parashikohet të ndryshojë?

QKB-ja nuk mund të ndryshojë shumë në këtë proces, pasi është kryesisht një institucion që notifikon, nis procesin dhe më tej e publikon, por më pas ai ndiqet nga institucione të tjera. Megjithatë, ne ndërhyjmë në ato raste kur ka tejkalim afatesh dhe zbatojmë parimin e miratimit në heshtje. Ne nuk mund të ndërhyjmë në proceset e punës së institucionit tatimor, por mund të shikojmë afatet nëse ka tejkalime.

A parashikoni shtim të shërbimeve online?

Ne e inkurajojmë biznesin që të përdorin më shumë platformën online dhe të rritet numri i atyre që akesojnë shërbimet në këtë rrugë për të lehtësuar edhe punën e sporteleve. Gjatë këtij viti ne do të vazhdojmë të shtojmë gamën e shërbimeve online. Kjo do të thotë se do të prezantojmë në rrugë elektronike shërbime që nuk janë trajtuar më parë në këtë mënyrë. Për dy kategoritë e para të licencimit, aplikimi gjithashtu bëhet online. E reja e këtij viti do të jetë që ne do të bëjmë të mundur që të hedhim si në sistemin e brendshëm, ashtu dhe në atë online formularët për bashkimin ndërkufitar të kompanive shqiptare me ato të huaja. Ne do të përpiqemi që kjo të bëhet e mundur deri në fund të këtij viti. Nga ana e biznesit ka pasur kërkesa për këtë lloj shërbimi, por kanë qenë vetë kompanitë që nuk kanë qenë gati ose nuk kanë plotësuar kriteret.

 Këtë vit, ju keni nisur herët njoftimin e biznesit për dorëzimin elektronik të bilanceve dhe pasqyrave financiare, ndërsa mbetet një problem i vazhdueshëm, qoftë për respektimin e afateve, ashtu edhe për dorëzimin e tyre…

Për fat të keq, kjo është një situatë që përsëritet. Këtë vit e kemi nisur herët njoftimin e biznesit për këtë detyrim. Vitin e kaluar kishte probleme më të shumta për shkak të prezantimit të hedhjes online. Shpresojmë që këtë vit, biznesi të mos hasë në vështirësi. Deri tani, vëmë re se numri është shumë i ulët dhe ka të ngjarë që të përsëritet fenomeni i dorëzimit në minutë të fundit, gjë që do të çojë edhe në mbingarkimin e sistemit. Duhet të kujtojmë që aplikimi në minutë të fundit shoqërohet me vonesa në marrjen e dokumenteve nga sistemi, i cili ka një sasi të kufizuar veprimesh, por edhe me orë më të gjata pune nga ana e administratës. Biznesi duhet të ndërgjegjësohet për të depozituar online bilancet dhe pasqyrat financiare, pasi vonesat shoqërohen me penalitete. Kujtojmë këtu që kompanitë e huaja duhet të paraqiten pranë sporteleve, pasi nuk mund t’i dorëzojnë online, ndaj duhet të vijnë më herët për ta përmbushur këtë detyrim që njeh ligji.

Shërbimi

E reja e këtij viti do të jetë që ne do të bëjmë të mundur që të hedhim si në sistemin e brendshëm, ashtu dhe në atë online formularët për bashkimin ndërkufitar të kompanive shqiptare me ato të huaja

Tarifa ndahen në dy grupe:

-tarifa për kryerjen e funksioneve të QKB-së

-tarifa për shërbime shtesë për biznesin

Të parat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të dytat miratohen nga ministri.

Ligji përcakton edhe rregullat për përdorimin e të ardhurave nga tarifat e përfituara nga QKB-ja. Si rregull, të ardhurat nga tarifat derdhen plotësisht në buxhetin e shtetit, pavarësisht se ku mblidhen ato.

Sa u përket të ardhurave nga tarifat për shërbimet shtesë 10% do të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa vetëm 90% do të mbahen nga QKB-ja për t’u përdorur për përmirësimin e shërbimeve. Ky rregullim është i njëjtë me atë të bërë në legjislacionin aktual për QKR-në dhe QKL-në.

Ligji gjithashtu parashikon që ushtrimi i mbikëqyrjes të mos shtrihet mbi vendimmarrjen individuale për çështje konkrete administrative, me qëllim të ruajtjes së pavarësisë operacionale të QKB-së në procesin e regjistrimit të biznesit në mënyrë të veçantë.

Megjithatë ka një dispozitë procedurale delegimi, që i jep Këshillit të Ministrave përgjegjësinë për miratimin e statutit të QKB-së, që do të përfshijë rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e institucionit.

SHKARKO APP