Energjia, 29,9 mln euro, OSHEE realizon blerjen për muajin gusht
Importet e energjisë për të përballuar konsumin e muajit gusht do t’i kushtojnë operatorit të shpërndarjes 29.9 milionë euro. OSHE njoftoi se ka përmbyllur blerjen e energjisë për të përballuar konsumin e muajit të ardhshëm.
Sipas njoftimit publik, kompania shtetërore e shpërndarjes ka blerë 434 mega vat energji për gushtin me një çmim mesatar prej 68.9 euro për mega.
Sipas OSHE, kjo sasi energjie është siguruar vetëm në tentativën e katër. Në tre raundet e para sasia e ofruar nga kompanitë private ka qenë më e ulët nga kërkesa e OSHEE për të përballuar furnizimin e konsumatorëve.
Kompania e Shpërndarjes thotë se u detyrua të blejë sasi rekord nga importi pasi kesh e furnizon vetëm me një sasi minimale. KESH ka ulur në minimum prodhimin nga kaskada e Drinit, si dhe e ka njoftuar zyrtarisht OSHE-në se nuk do të realizojë blerje energjie me kredinë e Bankës Botërore as në gusht.
Sistemi energjetik vendas po përballet me një situatë të vështirë si pasojë e mungesës së reshjeve. Rezerva hidrike në Fierzë ndodhet në nivelet më të ulëta duke detyruar OSHE-n të shpenzojë shumë ta mëdha për importin e energjisë.
Për periudhën dymujore Korrik-Gusht, Oshe ka shpenzuar gati 50 milionë euro për të blerë energji nga importi, ndërkohë që importet pritet të vazhdojnë edhe në shtator në sasi të larta. Kompania ka shkurtuar investimet për të përballuar situatën e vështirë, ndërsa qeveria është duke marrë në konsideratë ndryshimin e buxhetit, nëse kriza energjetike do të zgjasë.