Enver Hoxha dhe marrëdhëniet me Stalinin e Titon

Nga Skifter Këlliçi- (Vijon nga numrat e kaluar)

 Dihet se pas vdekjes së Stalinit, në mars të vitit 1953, në gjirin e PK të BS filloi lufta për pushtet. Malenkovi trashëgoi postet kyç të pushtetit: sekretar i parë i PK-së dhe Kryeministër. Por pa kaluar disa javë, me mbështetjen e Molotovit, Bulganinit, Kaganoviçit, që eliminuan ministrin e Brendshëm stalinist Beria, postin e kreut të partisë në shtator të atij viti e rrëmbeu Hrushovi, (1894-1971), i cili luajti një rol shumë të madh në politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik, sidomos përsa i përket korrigjimit të aspekteve të veçanta të teorisë dhe praktikës staliniste, të së uljes së tensionit ndërkombëtar midis dy blloqeve antagoniste dhe kryesisht midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 “Procesi i destalinizimit u zhvillua sidomos në luftën kundër kultit të individit, në rehabilitimin e shumë personave të dënuar nga Stalini dhe udhëheqës të tjerë të vendeve komuniste, në rishikimin e planeve ekonomike duke i kushtuar më tepër vëmendje prodhimit të artikujve të konsumit të përditshëm”, shkruhet në FESH, botimi i dytë, 2008 vëll. 2, faqe 982. Por jo vetëm kaq: Hrushovi ndërmori një hap që pa pritur ndikoi edhe në ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe këtij vendi që cilësohej deri atëherë si përjetësisht “miku ynë më i shtrenjtë”, ndonëse këtë epitet, siç e pamë, Enver Hoxha e kishte përdorur edhe për Jugosllavinë dhe do ta përdorte më pas edhe për Kinën. Hrushovi në Beograd dhe kundërtitë e para me sovjetikët, (1955) “Krisja në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike , -shkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime, ”-filloi ty nga viti 1955 kur Hrushovi shkoi për vizitë në Beograd dhe deklaroi se veprimi i ndërmarrë nga Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore (Kominformi), ndaj Jugosllavisë më 1948, ishte i gabuar, se Titoja ishte një marksist i vërtetë dhe fajtor për dënimin e që iu bë Jugosllavisë, ishte Stalini. ”(faqe 197). Dhe vazhdon: “Për çdo parti dhe për çdo vend këto deklarata të Hrushovit mund të merreshin si të besueshme, por për ne shqiptarët që e kishim provuar në”lëkurën” tonë “marksizmin” e Titos dhe të qeverisë së tij, ato ishin të pabesueshme. ”(po aty) Dhe Ramiz Alia ka plotësisht të drejtë. Nuk e vlen të zgjatemi në këtë pikë, po të gjykojmë masakrat e përbindshme serbo-malazeze dhe maqedonase në dekadat e paratë të shekullit të XX, që detyroi veçanërisht kosovarë e dibranë të linin trojet e tyre dhe të vendoseshin në Shqipëri, masakrat e Tivarit më 1945, për të ardhur në vitin 1948 kur serbomëdhenjtë synuan që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë, por jo pa edhe për servilizmin dhe puthadorin e neveritshme të Enver Hoxhës.

 Por edhe “marksizmin” e Stalinit e dëshmon edhe Pakti Molotov-Ribentrop, pra midis B. Sovjetik dhe Gjermanisë hitleriane, më 23 gusht të vitit 1939, për të cilin ish-ministri i jashtëm sovjetik, Kucinski i asaj periudhe, ka shkruar: “Me nënshkrimin e këtij traktati Stalini ia arriti qëllimit që Hitleri të shpërthente luftën jo kundër nesh, por kundër Perëndimit. (“Politika ruse në qerthullin e pabesisë”, pr. dr. Eshref Ymeri, sipas burimeve të arkivave sovjetike, artikull në internet, në gjuhën ruse, 24. 09 2008. ) Dhe më poshtë, ja dhe një pohim tjetër satanik i Stalinit, shkëputur nga fjalimi i tij, mbajtur katër ditë para nënshkrimit të këtij pakti , më 19 gusht të vitit 1939: “Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njeri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e Revolucionit Proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij”. Kështu, duke ndarë me Gjermaninë hitleriane Poloninë në dysh dhe duke u ndodhur në kufi me të, siç pohon Stalini në vazhdim të fjalimit të mësipërm, Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte, do ta pushtonte edhe atë, do të arrinte deri në Gjibraltar, (po aty), pavarësisht së kjo ide e denjë për ambiciet çmendurake të Hitlerit, (1889-1945), i ra si bumerang në kokë, , kur ky i fundit, duke shkelur pabesisht Paktin Molotov-Ribentrop, e sulmoi vendin e sovjetëve më 22 qershor të vitit 1941. S’ke ç’thua?!Kështu Stalini vërtetonte plotësisht se ishte “marksist i kulluar”, që zbatonte parullën: “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni”, por… nën zgjedhën ruse!”. Dhe që zbatonte ambiciet e car Pjetrit të Parë, (1672-1725), për një Rusi sa më të madhe, Stalini e dëshmoi këtë edhe me pushtimin vendeve baltike, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, më 1940, të cilat u çliruan nga zgjedha sovjetike vetëm pas shpërbërjes së BRSS-së më 1990.

Hrushovi- Enverit: “Ne nuk kemi interes që ta hedhim përsëri Jugosllavinë në prehrin e imperializmit”

 Por të kthehemi te Jugosllavia e Titos. Ajo ishte dhe mbeti vend marksist, po aq sa dhe Shqipëria e Enver Hoxhës, po aq sa edhe vetë BS i Stalinit ose Hrushovit dhe vendet e tjera komuniste kudo në botë, përderisa atje udhëhiqte vetëm një parti që quhej Lidhja Komuniste, që kishte një kryetar, ashtu si të gjithë sekretarët e partive komuniste të këtyre vendeve, pra edhe në Shqipëri, që zgjidhej pas çdo kongresi partie, të cilat zakonisht zhvilloheshin në çdo pesë vjet, për të mbetur deri sa të vdiste në atë post , si Lenini, (1870-1924), Stalini, (1879-1953), Mao Ce Duni, (1893-1976), Dimitrovi, (1882-1949), Tito, (1892-1980), vetë Enver Hoxha, (1908-1985)  etj., që ushtronin “diktaturën e proletariatit”, siç kishte propaganduar Marksi dhe Engelsi në veprat e tyre, pra “diktaturën e shumicës mbi pakicën”, së cilës i shërbenin leva të tilla të shtetit komunist, si ushtria dhe veçanërisht organet e specializuara të kësaj diktature-KGB-ja në Bashkimin Sovjetik, STASI në RD Gjermane, Sigurimi në Shqipëri dhe UDB-ja në Jugosllavi e vende të tjera komuniste, ku mungonin të drejta e njeriut, liria e fjalës, ku zbatohej lufta e klasave, ku të tërë ata që cilësoheshin armiq të shtetit komunist, dënoheshin me burgime dhe internime. Tjetër gjë se Titoja nuk deshi të qëndronte vasal i BS, sepse synoi të ndiqte një rrugë nacionale, të veçantë nga komunizmi stalinist, sepse synoi dhe arriti gjithashtu të krijonte marrëdhënie edhe me Perëndimin dhe për këto “devijime” nga teoria marksiste, Stalini e dënoi duke e përjashtuar nga kampi socialist. E megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak Titon që të vazhdonte rrugën tij me reforma ekonomike që Stalini dhe pas tij Enver Hoxha i përmblodhën me termin “socializëm specifik” dhe ky i fundit demaskoi vetadministrimin jugosllav “si teori dhe praktikë kapitaliste, e veshur me frazeologji marksiste”, (FESH, botimi i parë, faqe 1164), vetadministrim, i cili vite më pas zuri të zbatohej në një mënyrë, ose në një tjetër edhe në vende të tjera komuniste, duke përfshirë edhe vetë Bashkimin Sovjetik.

 Por më e rëndësishmja në këtë drejtim është vetë pohimi i Ramiz Alisë gjatë bisedave midis delegacionit sovjetik dhe shqiptar në Kremlin, në prill të vitit më 1957, ku bënte pjesë edhe ai vetë, atëherë kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe ministër i Arsimit, kur midis të tjerash Hrushovi, duke folur për Titon dhe rolin e tij në ngjarjet në Hungari më 1956, për të cilat do të flitet më poshtë, shpjegon: “-Edhe ne nuk kemi shumë besim te jugosllavët. Por duhet të kemi parasysh situatën e sotme. Ne nuk kemi asnjë interes që ta hedhim Jugosllavinë përsëri në prehrin e imperializmit”. (“Jeta ime”, faqe 207) E kuptueshme, po të kemi parasysh edhe ato që janë shkruar më sipër. Vetëm për Enver Hoxhën Jugosllavia nuk ishte shtet komunist. Përse atëherë, për disa veçori në ndërtimin e socializmit, të cilat do t’i vlerësonte, Hrushovi, pra Bashkimi Sovjetik duhej ta linte Jugosllavinë të mbetej nën ndikimin e sferës perëndimore? Veç kësaj, Jugosllavia, me përjashtimet Kosovës, krahinë autonome, ishte vend shumëkombësh sllav, ku republika më e madhe ishte Serbia, me të cilën carët rusë kishin pasur miqësi të kahershme, sepse rusët, pra sllavët e veriut, kishin lidhje shumë të afërta gjaku me serbët, pra sllavët e jugut, me malaziasit, si dhe me serbët e Bosnjë-Hercegovinës, me maqedonasit e Maqedonisë, vende ku fliteshin gjuhë të përafërta më rusishten, që shkruheshin me të njëjtin alfabet cirilik, me tradita gjithashtu të përafërta shpirtërore e kulturore dhe, mbi të gjitha, të një feje-ortodokse!

 Në luftën ruso-turke të vitit 1870 Perandoria cariste kishte luftuar, ec të tjerash, që sllavët e Ballkanit, ( dhe jo shqiptarët), të çliroheshin nga zgjedha otomane, madje të fitonin edhe toka me popullsi shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë edhe në veri të Shqipërisë, si Plava, Gucia, që u përmend më sipër…Po edhe kroatët e sllovenët qenë sllavë, sido që të Perëndimit.

 Kështu që afrimi i Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë, po të marrim parasysh të gjitha këto rrethana, ishte i natyrshëm. Për hir të mosmarrëveshjeve me Shqipërinë, Jugosllavia nuk mund të braktisej. Edhe pse ajo kishte pasur synime pushtuese ndaj Shqipërisë. Pastaj, më 14 maj të vitit 1955 u krijua Traktati i Varshavës, me afat prej 20 vjetësh, në të cilin, veç vendeve të tjera socialiste në Evropë, me B. Sovjetik në krye, bënte pjesë edhe Shqipëria. Në një nga dispozitat e Traktatit parashikoheshin: “…konsultime të ndërsjella…për veprime të përbashkëta, për ndihmë ushtarake, në rast të një sulmi të armatosur, ose të një kërcënimi mbi njërin, ose disa anëtarë të Traktatit. ”(FESH, botimi i dytë. 2008, vëll. 3, faqe 2736)

 Si pasojë “…dyshimi ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët , ashtu siç e kishte më pas më të theksuar për sovjetikët ”, që, sipas Ramiz Alisë sollën si pasojë që Enver Hoxha të kishte:”Një farë paranoje sipas meje të justifikuar”, (“Jeta ime”, faqe 199), nuk kishte bazë. Të paktën në vitet 1955 -1961 duke qenë anëtare e Traktatit të Varshavës Shqipërinë nuk mund ta kërcënonte asnjë shtet perëndimor, si Italia ose Greqia, por as edhe Jugosllavia.

 Kongresi i 20-të të PK të BS, (shkurt, 1956) dhe pasojat e tij në Shqipëri dhe në fushën ndërkombëtare

Por Enver Hoxhën në këtë kohë e shqetësonte deri në makth diçka tjetër. Dihet se fill pas Kongresit e 20-të të PK të B. S, (shkurt 1956), ku Hrushovi dënoi ashpër kultin personal të Stalinit, nën frymën e këtij kongresi u zhvillua Konferenca e Tiranës, (16-20 prill 1956). Shumë delegatë të konferencës, të nxitur edhe nga artikulli Enver Hoxhës “Marksizëm-Leninizmi na mëson se populli është krijuesi i historisë”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit’” një ditë para fillimit të kësaj konference, pra më 15 prill, ku ai “dënonte” gjithashtu kultin e Stalinit, ngulte këmbë “për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë…”që “… çdo anëtar partie të kuptojë së në parti nuk mund të ketë frikë”, se ne “nuk jemi për ashpërsimin e luftës së klasave…”, se “…në mjaft raste janë dhënë dënime me akuza të fryra deri në Kongresin e Parë të Partisë “, pra shumë delegatë u shprehën hapur dhe me guxim për zbatimin e vendimeve të këtij kongresi, kërkuan demokratizimin e mëtejshëm të partisë, kritikuan udhëheqjen për shkëputje nga masat….  Në dosierin “Enver Hoxha, Konferenca e Tiranës, (16-20 prill 1956), Ramiz Alia dhe Peco Kagjini “, që kam botuar disa vjet më parë, kam shkruar gjatë për ngjarjet e kësaj konference, të cilën më vonë Enver Hoxha (dhe në librin e vet “Jeta…” edhe Ramiz Alia), e cilësoi në mënyrën më absurde dhe pa asnjë fakt, ”komplot të përgatitur nga revizionistët jugosllavë” dhe e mbyti me terror.   Diktatori ynë u tremb shumë për fatin e tij të ardhshëm, sepse pa se ndërkohë ne vende të tjera socialiste kishte nisur procesi i rehabilitimit të udhëheqësve të dënuar në periudhën staliniste, si Rajku në Hungari, (1909-1949), Kostovi në Bullgari, (1897-1949), Slanski në Cekosllovaki, (1901-1952), Gomulka në Poloni, (1905-1982) dhe udhëheqës të tjerë stalinistë po mënjanoheshin në këto vende, dukuri që mund të ndodhte edhe në Shqipëri.  Në konferencën e Tiranës një pjesë e mirë e delegatëve në diskutimet e tyre shtruan edhe problemin se gjendja ekonomike e popullit po vështirësohej gjithnjë e më shumë, kurse vetë udhëheqja e partisë dhe e shtetit jetonte në kushtet e një mirëqenieje që po rritej.

“Ne duam të pyesim, ministrin e Tregtisë, shokun Kico Ngjela dhe ministrin e Financave Abdyl Këllezi, –nënvizonte Vehip Demi, sekretari i Partisë së Radio Tiranës, -nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e Bllokut të Udhëheqësve, në cilin kapitull të buxhetit futen ato?Ne duhet të pranojmë se masat poshtë bisedojnë shumë për çështjen e Bllokut. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë. Ne si komunistë nuk dimë t’i sqarojmë , sepse ne vetë nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut”. (AQSH, fondi i Komiteti të Partisë së Tiranës, Dosja A, A/1. A/2, 1956).

 Ishte kjo një nga arsyet që, i lajmëruar nga e shoqja e tij Nexhmia, Enver Hoxha erdhi me vrap nga Vlora, ku kishte shkuar që të përgatiste raportin e Kongresit të 3-të të PPSH-së që do të mbahej pas një muaji, dhe shtypi me dhunë zërat e diskutuesve një pjesë e të cilëve u arrestuan edhe u dënuan më burgime dhe internime, sepse kishin nxirë realitetin tonë të mrekullueshëm socialist dhe mbi të gjitha ishin ngritur kundër vijës marksiste-leniniste të partisë .

Por në qershor të po atij viti në një mbledhje të Byrosë Politike për probleme ekonomike Enver Hoxha detyrohej të pranonte: “Situata jonë është shumë e vështirë, por ata nuk do të na e hedhin lakun në fyt. Tani është rasti më i mirë të për t’i shtruar këto çështje’”. (Celo Hoxha, gazeta “Standad”, 10 mars 2013, bazuar ne AQSH, 1956, dosja 44). Kurse Mehmet Shehu, duke iu përgjigjur Rrapo Dervishit, këtij injoranti, anëtar i Byrosë Politike që bënte pyetjen: “Si ndodhi kjo punë që jemi në gjendje të vështirë?”, i përgjigjej: “Ne jemi në gjendje të vështirë, sepse kemi 900 milionë rubla borxh. Sa te lahen, këto bëhen 1 miliardë e 600 milionë rubla. Më 1965 bëjnë 12 miliardë rubla. Kështu do të jemi në situatë shumë të vështirë, sepse, po të mos na japin kredi, atëherë gjithë eksporti ynë duhet të jepet për borxhin dhe kështu mbaron ekonomia jonë popullore”, (po aty).

 Kjo gjendje e brendshme, me të vërtetë shumë e rëndë, e trembte Enver Hoxhën. Por atë e trembte edhe situata ndërkombëtare. Në radhë të parë, revolucioni që shpërtheu në tetor të atij viti në Hungari dhe që solli largimin e stalinistit të urryer, Rakoshi, (1892-1971). Dhe, siç do të dëshmohet më pas nga ecuria e ngjarjeve që përshkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, ishin para së gjithash të këto arsyet që Hungaria kërkoi të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik.

 Paralajmërimin e parë ia dha Tito. “Ai në muajin tetor të vitit 1956 , pra menjëherë pas Konferencës së Tiranës në një fjalim që mbajti në Pula të Jugosllavisë, theksoi se për të çuar deri në fund vijën e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duhet të rrëzohen udhëheqës të tillë si E. Hoxha e të tjerë, -shkruan Ramiz Alia”. (”Jeta ime”, faqe 200). Dhe në disa drejtime, kishte të drejtë, përderisa Enver Hoxha mbetej stalinist. Por Hrushovi duket nuk i vuri rëndësi këtij fakti, ndoshta duke menduar se e kishte Enver Hoxhën në dorë. Por këtu, siç do të shohim më poshtë, gaboi.

SHKARKO APP