“Erdhi nusja, erdhi nusja…”

Nga Thoma Goga/Një ditë të diel në mëngjes herët, si “përshëndeta” Skënderbeun te sheshi, duke u llafosur me vete, mora rrugën nga universiteti. Kur vjen një karvan me makina. Të gjitha makinat kishin lidhur e tërhiqnin nga një tufë kanoçe në bulevard dhe u binin borive me të madhe. Siç duket lajmëronin se një hajvan po ndahej nga epoka e beqarllëkut. Nuk vonoi shumë dhe një tjetër karvan dasmorësh ma “prishi” muhabetin. Këtij karvani u printe një makinë, ku daullja dhe curlja të çante “daullen” e veshit. Pas “orkestrës” vinte një kalë, mbi të cilin ishte një tjetër “hajvan” që mbante një bajrak me 3 kokrra mollë. Të dy karvanët ndoqën të njëjtin itinerar; nga ministritë, te Presidenca, nga universiteti te kryeministria…

Këto zhurma vërtet ma prishën muhabetin, por më bën edhe mirë; u hodha pak më thellë në histori. Po të rrëmosh në traditën e popullit tonë, dasma ka disa kulminacione. Ja për shembull, ardhja e nuses është një rit i bukur. “Erdhi nusja, erdhi nusja…”. Dalin e presin njerëzia. Del e pret vjehrra, kunatat, gjitonia. Po si e marrin nusen? Ja ç’thotë historia:

Një herë e një kohë të largët nuset i merrnin me kalë. Mundësisht të ishte i bardhë. Kuptohet, sepse kështu martesa mund të ishte e mbarë… Kali atëherë mund të krahasohet sot me “Benz”-in  4-fenersh. Diku në fshatin e largët një poet, i përmalluar e zemërpërvëluar pas më të bukurës që kish fshati, shkroi këngën:

       “… Të hipën në kalë /      Përmbi jeleverdhë,/Krushku ndan oriz,/ Unë ca lule hedh…”.

Në anët tona i kanë marrë nuset edhe me qerre. Nga balta e madhe rënkonin rrotat e qerres. Që atëherë doli fjala; në vend që të qajnë qetë, qan qerrja…Nejse. Nga qerrja te karroca. Duket se po vinte një kohë më e avancuar. Ishte më e shpejtë, ishte me 4 rrota. Jo më kot shpikja e parë në botë ka qenë rrota… Përpara me karrocierin një dajo dhe një xhaxha. Ky “protokoll” nuk prishej se “thartohej” miqësia…Më pas orkestra dhe krushqia. Të gjithë me nga një faqore raki. Rrugës valonte dollia. Kuajve u lidhnin tek freri rrëzë veshit ca shami të kuqe. Kështu edhe krushqit, edhe kuajt i zinte tërbimi… Po një ditë… Ah, për atë ditë! Karroca çante rrugën e pluhurosur. Kur donte dhe pak të mbërrinin te shtëpia e nuses, ca djemuri të fshehur në një ferrë, vërvitën topa bajgash. Njëra iu ngjit karrocierit si dekoratë në gjoks, xhaxhait i hoqi qylafin. Kurse një nga ato bajgat iu ngjit dhëndrit në fytyrë si maskat e karnavaleve… Harroi fare i ziu ku po shkonte. Eh, të shkuara të paharruara! Tashti kanë ardhur kohë moderne. Një paralli që i shtyn paratë me lopatë, e mori nusen me helikopter. Një modernist e mori ndryshe nusen; mblodhi 5 “dumduma” me nga një “dumdumpist”. Bëri bujë kjo ngjarje, se edhe “dumdumpistat” për herë të parë vunë kollare…Një tjetër e mori nusen me 5 zetora. Fshatarët po prisnin të mblidhnin kashtën apo jonxhën e korrur, kurse këta korrnin lekët e ndonjë tjetër paralliu…

Eh, si është kjo botë! Portokalle mo, portokalle, nuk thonë kot. Sado kërkojnë mjete moderne si helikopter apo avion, i kthehen traditës. Një gjiton e mori nusen me pajton. Pajtoni s’është gjë tjetër, veçse një karrocë 2-vendshe e mbuluar me hark. Po kali? Edhe nga Amerika ta marrësh, njëlloj është. Kafsha kafshë mbetet. Pajtonxhiu ishte veshur shik dhe ia valonte kafshës varda me kamxhik. “Skapamentua” e kalit shfrente sa nuk çonte xixa. Dhëndrri nuk e ndjente dhe aq se ishte mbështetur pas “gushëbardhës” nuse. Kurse asaj i mbetën sytë te bythkat e kalit e iu nxi dita nga “tymi i skapamentos”. E po, kafsha kafshë mbetet. Jepte e merrte “gushëbardha” me një freskore që s’bënte punë, se “skapamentua” filloi të nxirrte dhe shkumë…

– Erdhi nusja, erdhi nusja,- bërtitën kalamajtë te shtëpia e dhëndrit.

Te porta, nën hijen e portokalles doli vjehrra, kunatat e gjitonia. Sa puthnin nusen, fshinin buzët. E ndjenin erën e “parfumit” të markës “Bajga”. Nusja kishte ulur kokën. Nxinte e sterronte gjithë nur. Siç ndodh në këto raste, u ndezën sazet. Dajua futi dorën në xhep e nxori dy “llapushka”… Plasi kënga. Ato që u dëgjuan ishin ca krushka si mushka.

“Ngrije kokën lart moj, /Se na dogji malli,/Vinte gusha jote moj,/Aromë pordhë kali…”.

– Ç’janë këto që deformojnë këngën, merr vesh ti, – bërtiti një krushk që merakosej se po vinte erë të keqe edhe folklori. – Nuk është kështu vargu i fundit…

– Po mos u mërzit, o krushk, i ka dasma këto, – ia priti një dasmor tjetër. – Të vërtetën thotë edhe vargu i fundit, kupton apo jo…Hajde gëzuar! Të paça e më rruaç!

SHKARKO APP