Erion Veliaj, mes 40 bashkive më të spikatur në botë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u përzgjodh si një nga 40 kryetarët e bashkive më të spikatur nga vende të ndryshme të botës për hapjen e programit “Bloomberg-Harvard City Leadership Initiative” i zhvilluar në Nju Jork, nën kujdesin e Michael Bloomberg, ish kryebashkiak i Nju Jorkut.
Kjo nismë, e cila organizohet nga “Bloomberg Philanthropies”, “Harvard Kennedy School” dhe “Harvard Business School” është përpjekja e parë gjithëpërfshirëse në botë për të rritur bashkëpunimin, njohjen e instrumenteve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për drejtimin e një qeverie lokale më inovative dhe më të përgjegjshme. Bëhet fjalë për pajisjen e drejtuesve të qyteteve me njohuritë e nevojshme për të bërë përparim në politikat më të rëndësishme për qytetet dhe qytetarët e tyre.
Pjesëmarrësit në këtë forum ishin disa nga kryetarët më të sukseshëm të bashkive në botë që kanë sjellë ndryshime rrënjësore në drejtimin e qyteteve të tyre si: Muriel Bowser, kryetar i Bashkisë së Washington D.C, SHBA; Hanna Gronkiewicz-Waltz, kryetare e Bashkisë së Varshavës, Poloni; Remigijus Simasius, kryetari i Bashkisë së Vilnusit, Lituani; Karin Wanngård, kryetar Bashkie i Stokholmit, Suedi apo edhe Roberto Cláudio, kryetar i Bashkisë Fortaleza, Brazil.
Kryebashkiakët diskutuan mbi sfidat e menaxhimit të qeverisjes vendore dhe mundësitë që ekzistojnë për përdorimin e mekanizmave inovativë që rrisin dhe lehtësojnë shërbimin ndaj qytetarëve. Në diskutimin e tij, kryebashkiaku Veliaj solli në vëmendje një sërë hapash që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës në drejtim të nismave inovative, siç është aplikacioni “Tirana ime” apo platforma “Open Data”, ku qytetarët mund të bëjnë raportime mbi problematika të ndryshme, si dhe të marrin informacion mbi një sërë fushash dhe shërbimesh siç janë transporti, trafiku, rrugët, taksat, tarifat etj.
Kryetarët e bashkive dhe stafet e tyre mundën të njihen dhe përfitojnë nga eksperiencat e ndryshme, studimet nga ekspertët më të mirë të menaxhimit të pushtetit vendor dhe qasjen ndaj politikave globale në raport me qeverisjen vendore. Gjithashtu, kjo nismë do u krijojë mundësi krerëve të bashkive që të vijojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin në distancë të mbështetur edhe nga Universiteti Harvardit. Përveç kësaj, nisma në fjalë u krijon mundësi pjesëmarrësve që të kenë qasje të vazhdueshme në përfitimin e granteve të zhvillimit nga Bloomberg Philanthropie.
Në këtë forum pjesëmarrësit diskutuan edhe rreth përmirësimit të politikave ekonomike dhe sociale që mund të ndiqen për zhvillimin e mëtejshëm të qyteteve, si dhe për eksplorimin e mundësive që ofron zhvillimi i teknologjisë për t’u ballafaquar me sfidat e së ardhmes. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rritjes së performancës së qeverisjeve lokale për të eksploruar strategji të reja për të forcuar aftësitë organizative të bashkive.