Është  pjesë e lojës

FEJTON

Nga Hyskë Borobojka     –

-Do vij në stadium! – i thoshte nëna djalit të saj, futbollist i shquar

-Aman nënë, mos e bëj atë gabim ! –i lutej i biri.

-Kur vjen  gjithë qyteti, si të mos vijë nëna jote! – ngulte këmbë nëna.

Djali vazhdonte t’i lutej, që në asnjë mënyrë të mos vinte se do të tmerrohej. Sa herë që i biri të prekte topin me këmbë, tifozët e skuadrës kundërshtare do të thërrisni në kor, sa të merrte zë, jo vetëm stadiumi, por i gjithë qyteti:

-Nënën, nënën të bëfsha!

Ndërsa në shtëpinë e një futbollisti tjetër, ishte motra, që i lutej vëllait të vinte në stadium. Por ai e kundërshtonte, të mos e bënte këtë gabim të pafalshëm.

-Pse mos vij të shoh vëllanë, që t’u mburrem shoqeve! – s’tërhiqej nga dëshira e motra.

-Motër e dashur mos hajde. S’duroj dot kur sa herë të prek topin me këmbë, tifogrupet e skuadrës kundërshtare, do thërrasin me sa fuqi që kanë: “Të bëfsha motrën!”

Në “fushatën” e sharjeve me libër shtëpie, nuk shpëtojnë dot as gjyqtarët, që te kryesori, anësorët e deri te vëzhguesi i Federatës. Madje tregojnë (ndodhin pa rrëfehen) kori i tifozëve, ulërinte e shante gjyqtarin, se nuk kishte dhënë tre kartonë të verdhë, dy të kuq e kishte mohuar dy njëmbëdhjetë metërsh në favor të ekipit të tyre të zemrës.

-Nënën, nënën të bëfsha! – thërriste kori i tifogrupeve.

-Ç’nënë do t’i bëni? Nëna e tij ka dy vjet e ca që ka ndërruar jetë!- u thotë dikush.

-Motrën, motrën ! – e kthyen plakën  e sharjeve tifozëria.

-S’ka motër! – i ngacmoi një tjetër.

-Nusen!?

-Është beqar! Ka vetëm një vëlla më të madh!

-Vëllanë në…, – ulërinin ata.

Sharjet e ofezat, nuk vazhdojnë vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Humbjen e skuadrës së tyre të zemrës e shoqërojnë me shkuljen e froneve dhe hedhjen e tyre në qilimin e blertë. Kjo të kujton atë fshatarin që s’kishte ç’i bënte gomarit dhe i binte samarit Të tjerë ndezin fishekzjarrët e hedhin tymueset, sa qilimin e blertë e mbulon mjegulla e dendur.

Ndërsa në stadiumet e fushat e futbollit, vazhdojnë e mbarojnë me “sukses” sharjet e përleshjet ndërmjet tifogrupeve, në studiot televizive  mblidhen analistët, specialistët e komentatorët për të gjykuar e dhënë mendime e përcaktime për ndeshjet, si “Orakulli i Delfit”. E çfarë s’dëgjon në këto emisione maratonë: “Duhej apo s’duhej të jepej kartoni i verdhë!?” “Qe mjëmbëshjetë metërsh i pastër apo stimulim?! “Ishte ndërhyrje e rregullt apo e qëllimshme?! “Ka kontakt s’ka kontakt?!”. “E goditi s’e goditi?!” “Duhej s’duhej dhënë kartoni i kuq?!”. Këta analistë (më tepër janë tifozë të njërës apo tjetrës skuadër) nuk bëjnë analizë shkencore, nuk flasin për harmoninë, taktikën dhe teknikën e lojtarëve, rrjedhën e lojës, aksionet e studiuar e ritmike, të shoqëruara me koreografi, stil e bukuri të shoqëruar me lojë kolektive, që sportdashësi dëshiron të shohë, por vazhdojnë të flasin: “E preku s’e preku” (e lagu a s’e lagu?!).Tekniku i njërës skuadër duhet të bënte dy ndërrime e tre lëvizje. Tekniku i tjetrës pse e largoi “X”-sin nga loja e ta zëvendësonte me “Y-silon”. Bëri gabim të madh që e la “Z”-tën në stol. Pse filan lojtar e vuri në krahun e djathtë të mbrojtjes e tjetrin në të majtë të sulmit. Pastaj fillojnë historitë e fanellave të “rënda” e të “lehta”!” (s’ka gjë se disa nga fanellat e “rënda” ka disa vjet që vazhdojnë të këndojnë këngën “Dambër-dumbër këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare”). Harrojnë se s’të pyet njëri si ke qenë, por si je.

-More zotërinj, u thotë të tjerëve njëri nga analistët. Kur vjen puna e tifogrupeve. Është me vend të thuash se kemi nevojë për ta. Brenda sjelljes së tyre mund të gjesh edhe gjëra të “vogla”, që nuk shkojnë, si për shembull në ndonjë rast të “rrallë”, nga dëshira për t’u bërë më të dalluarit në stadium. Por në një vështrim të imët, është e pamundur të mos gjesh gjëra pozitive te ata. Por s’janë të rrallë  drejtues të sportit që thonë se tifogrupet shqiptare nuk etiketohen nga huliganizmi, vandalizmi e dhuna. (Sikur të kishin gojë e të tregonin stadiumet) Ata mbështesin skuadrën e tyre dhe jo rrallë “ndihmojnë” stadiumin e fushat sportive, duke krijuar një dekor të veçantë. Këta tifogrupe që “krijojnë “dekore të veçantë” i përkrah edhe klubi i tyre, prandaj s’u erret syri e thonë: “ Ne s’na trembin aspak gjobat financiare, pasi klubi ka bërë me dije nga penalizimit e Komisionit të Disiplinës, pasi i ka paratë jo lumë, por det e paguan.. Por harron të thotë se dekori i tyre është gara e farëngrënies dhe fuqia fizike për të brohoritur, për t’u përleshur (mjerë ndonjë sportdashës që ndodhet në mes tyre se mund ta bëjnë për qepë e kripë). Hedhin në fushën e lojës çfarë t’u zërë dora, gurë, drurë, shishe, fishekzjarrë. Por në fund të fundit, edhe kjo “është pjesë e lojës”, komentojnë analistët. Të gjitha këto janë trashëguar nga e kaluara.- vazhdon kori i tyre. Madje, ndonjëri arrin në përfundim se këta tifozë duhet përgëzuar e përkëdhelur.

-Hë për hë, – vazhdojnë analistët e thekur,- deri sa stadiumet tona mbeten të zbrazur dhe mungojnë tifozët për të inkurajuar e mbështetur skuadrën e zemrës, si mund të ketë gojë t’u thonë tifogrupeve se bëni diçka të shtrembër e të shëmtuar, që nuk shkon?! Harrojnë se spektatori i kulturuar vete në stadium të shohë një ndeshje të bukur dhe jo tifogrupe të sëmurë, që thërrasin e shajnë dhe as vandalë që shkatërrojnë stadiumet e fushat e futbollit.

Analistët vazhdojnë debatet dhe parashikimet e përcaktimet pa mbarim, duke i bërë “hesapet pa hanxhinë” Cili ekip i topit të këmbës do të dalë kampion, kush do të rrëzohet nga kategoria superiore e kush do të ngjitet në të?! Madje disa prej tyre e përcaktojnë që ditën e parë të kampionatit se cili ekip do të dalë  kampion. Kush e ka fanellën më “të rëndë” e kush më të “lehtë”. Harrojnë se disa nga “fanellat e rënda” munden apo barazojnë në shtëpinë e tyre me ekipe që u dridhen këmbët e përpiqen të mos rrëzohen nga “Kategoria superiore” apo të tjerë që porsa janë ngjitur në këtë kategori.

Të gjitha këto kusure janë pjesë e lojës, thonë analistët e thekur. Por nuk e dimë, a kanë mundur lojtarët dhe arbitrat t’u mbushin mendjen nënave dhe motrave të mos vijnë në stadium e në fushat e futbollit, që të mos dëgjojnë koret e sharjeve të tifozëve për to?!.

SHKARKO APP