Esposito: Shqipëria vendi i vetëm me shumë masa paraburgimi!

Shqipëria vijon të përballet me problematika serioze në fushën e paraburgimit, si për nga numri i lartë i personave të vendosur në këtë masë, ashtu edhe për nga kohëzgjatja e saj. Kështu vlerëson Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, situata aktuale përbën arsye të forta shqetësimi, duke iu referuar raportit më të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili evidenton se Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të burgosjes në Këshillin e Evropës. Raporti thekson gjithashtu rritjen e përdorimit të paraburgimit, që ka sjellë mbipopullim në disa institucione paraburgimi.

Esposito nënvizon se, sipas të dhënave zyrtare të nëntorit 2025, në burgjet shqiptare ndodheshin 4578 persona, prej të cilëve 58% ishin në paraburgim. Shkalla e paraburgimit arrin në 94,6 persona për 100 mijë banorë, duke qenë katër deri në pesë herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër problem i rëndësishëm mbetet kohëzgjatja e paraburgimit, me një mesatare prej 253 ditësh. Sipas Espositos, paraburgimi i zgjatur dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm janë konstatuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime ndaj Shqipërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai thekson se paraburgimi prek drejtpërdrejt liritë individuale dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, ndaj duhet të përdoret vetëm si masë e jashtëzakonshme. Përmirësimi i situatës kërkon si reforma strukturore, ashtu edhe ndryshim të praktikës gjyqësore, duke i dhënë përparësi alternativave ndaj paraburgimit.

Sipas Espositos, kuadri ligjor shqiptar është përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane, por problemi kryesor qëndron te zbatimi i tyre në praktikë. Këshilli i Evropës, përmes projekteve të bashkëpunimit, synon të mbështesë autoritetet shqiptare në përkthimin e këtyre standardeve në përmirësime konkrete në sistemin e drejtësisë penale.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?