Vettingu-Luan Rama: Lista me dy standarde; Noka: E përcaktuar nga kryeministri

Luan Rama, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), në komisionin ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e vettingut, deklaroi të mërkurën se Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit(ONM) po luajnë me dy standarde në këtë proces.

Sipas Ramës, në listat e emrave të miratuar ka persona që kanë konflikt interesi me familjarë që punojnë në sistemin e drejtësisë. Luan Rama thotë se këta persona janë favorizuar, ndryshe nga të tjerë që u penalizuan dhe hynë në zarfin e zi.

“Ka emra që mund të vlerësoheshin dhe mund të përfshiheshin në listën e miratuar, sepse për fat të keq edhe në seancat dëgjimore rezultoi se Avokati i Popullit dhe ONM kanë aplikuar dy standarde. Nëse një pjesë e kandidatëve janë penalizuar për rekomandim negativ për shkak të konfliktit të interesit, (dikush ka vellain apo gruan që punon në sistemin e drejtësisë), i njëjti standard nuk u respektua për të tjerë kandidatë dhe që u përfshinë në listën e miratuar.

Gjithsesi, vijon Luan Rama, edhe në punën e këtij komisioni dolën në pah defekte dhe vajtja në votim krijoi mospajtim mes palëve, PS dhe PD-së, të cilat duhet të ruanin frekuencat e marrëveshjes së madhe të arritur mes tyre. “Unë nuk ia dola dot t’i bëja bashkë dhe në këtë pikëpamje i mbetet dy komisioneve të tjera të bëjnë vlerësimin përfundimtar për të kandidatët”.

Ai shprehu keqardhjen që kandidatë me integritet dhe vlera që mund t’i bënin mirë këtij procesi janë penalizuar për arsye subjektive.

Deklarata e përfaqësuesit të LSI-së, u mbështet nga anëtari demokrat i komisionit ad hoc, Flamur Noka i cili akuzoi kryeministrin Rama se ka përcaktuar tashmë, me ndihmën e Avokatit të Popullit, njerëzit që do të bëjnë vettingun në Shqipëri.

“Sot anëtarët e maxhorancës në komision morën një vendim politik për të futur vetëm 67 kandidatet që ka përcaktur Edi Rama me Avokatin e Popullit. Juristë që kishin punuar në ndërmarrje këpucësh e pularish, avokatë që nuk kanë mbrojtur një çështje dhe prokurorë e gjyqtarë të PS-se”, u shpreh Noka.

SHKARKO APP