Euro dhe Leku me të njëjtin “fat”, rekorde negativ kundrejt dollarit
Monedha Euro është në presion ndaj dollarit, duke shënuar vlerën më të ulët në dekadën e fundit. Monedha euro ka pësuar sot një rënie të ndjeshme, nën pragun e 1,05 dollarëve për herë të parë që prej janarit të vitit 2003, një rënie kjo si pasojë e hendekut të perspektivave ekonomike midis zonës euro dhe asaj të SHBA-së. Sot, euro kapi vlerën e 1,0495 dollarëve, nivelin më të ulët, që prej janarit te vitit 2003, para se të merrte veten ndjeshëm dhe të ishte në një nivel të qëndrueshëm në vlerën e rreth 1,06 dollarëve. ”Euro është nën presion. Për momentin nuk kam asnjë koment apo të dhënë tjetër që mund të hedh poshtë këtë përshtypje aktuale”, deklaroi Petra Kuraliova, analistja në ”TradeNext”. Duket se efektet e krizës ekonomike në kontinentin evropian po japin efektet edhe në zhvlerësimin rekord të monedhës Euros, gjatë këtij viti.
Leku shqiptar, në “gjurmët” e Euros
Ndonëse ka qëndruar në ekuilibër me euron, pasi edhe kjo e fundit po zhvlerësohet në tregjet ndërkombëtare, leku është zhvlerësuar me ritme të forta ndaj të gjitha monedhave të tjera kryesore të botës. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se prej ditësh dollari amerikan e ka kapërcyer kuotën e 130 lekëve, ndërsa paundi britanik për herë të parë po këmbehet në tregun e brendshëm me gati 200 lekë. Këto kuota historike në kursin e këmbimit janë rezultat i një zhvlerësimit të vazhdueshëm të lekut ndaj monedhave më të mëdha të botës, që nga fillimi i vitit. Sipas të dhënave të BSH, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, leku është dobësuar me 11.1 për qind ndaj paundit, 13.3 për qind ndaj dollarit dhe po në ritme dyshifrore ka humbur terren edhe ndaj frangës zvicerane e jenit japonez. Ky është një ritëm shumë i fortë dobësimi, i ngjashëm me atë që monedha kombëtarë përjetoi në vitin 2009. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se këto lëvizje, pasqyrojnë atë që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave, por me një veçori.
Leku po ndjek me përpikmëri euron dhe çdo dobësim i monedhës europiane ndaj dollarit, paund apo çdo monedhe tjetër përcillet automatikisht edhe si dobësim i tij ndaj tyre. Një situatë e cila ka ngritur pyetjen se çfarë është duke ndodhur në tregun valutor dhe pse leku po ndjek me përpikmëri fatin e euros. Shqipëria ka një regjim të lirë në kursin e këmbimit, por duket sikur kursi euro-lek është i fiksuar. Në kushte normale euro duhet të ishte dobësuar edhe ndaj lekut, por kjo nuk ka ndodhur. Ekspertët thonë se kjo situatë është tërësisht rezultat i tregut dhe transaksioneve të lira që individët zhvillojnë në të. Sipas tyre, vetë tregu, individët dhe bizneset duket se duan një kurs stabël euro-lek, pavarësisht asaj që ndodh me monedhat e tjera